Instituti i Studimeve Politike (ISP) sjell një publikim të ri profesional në kuadër të monitorimit aktiv të Kuvendit të Shqipërisë dhe të veprimtarisë parlamentare të deputetëve, projekt i cili mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta. Gjatë 2019 ISP realizoi në një anketim me 90% të grave deputete në parlamentin aktual si dhe me 10% të grave deputete të opozitës që dorëzuan mandatet parlamentare në shkurt 2019.
Anketimi paraqet një panoramë të plotë dhe analizon faktorë më të rëndësishëm që lidhen me karrierën politike të grave deputete, aktivitetin parlamentar, komunikimin me zgjedhësit, cilësinë e përfaqësimit, çështjen e kuotave dhe të raporteve me organizatat e grave në partitë politike, etj. Të dhënat janë mjaft interesante dhe plotësojnë një boshllëk të të dhënave cilësore / sasiore të kësaj problematike në partitë politike dhe në parlament.
Të dhënat e paraqitura në këtë kërkim u prezantuan në një takim me gratë deputete nga i gjithë spektri politik, si dhe partnerë ndërkombëtarë të fokusuar në çështjet e demokracisë dhe të përfaqësimit, si dhe janë pjesë e një trajnimi dy ditor që ISP dhe ambasada po zhvillojnë me gratë në politikë. Botimi do t’u vihet në dispozicion partive politike parlamentare, institucioneve politike në vend, OJF-ve që merren me të drejtat e njeriut, zgjedhjet dhe përfaqësimin politik, si edhe partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri. Siç thuhet në parathënie, ISP beson se gjetjet dhe rekomandimet do të ndihmojnë në rritjen e përfaqësimit politik gjinor, në përmirësimin e standardeve të përfaqësimit dhe në adresim të problematikave të mundshme në institucionet përgjegjëse për rrugëzgjidhje sa më efektive.
REKOMANDIME KRYESORE
a) Kuvendi duhet të përmbushë përgjegjësitë e tij për trajnime të vazhdueshme të deputetëve dhe të krijojnë një axhëndë trajnimi periodike që përputhet me nevojat reale dhe me funksionet thelbësore ligjvënëse
b) Kuvendi duhet të mbështesë AGD me buxhet të dedikuar dhe me asistencë më të qëndrueshme profesionale dhe legjislative
c) AGD duhet mbështetur dhe forcuar në komponentin e ndërveprimit mbi ndarjet politike, si dhe si një mekanizëm efikas për promovimin e modeleve pozitive dhe karrierës së grave në parlament dhe në jetën politike të vendit
d) Partitë politike parlamentare duhet të forcojnë organizatat e tyre të grave, të kenë buxhet të vecantë për to dhe të nxisin konkurrencën brenda tyre mbi bazën e një sistemi meritokracie dhe vlerësimi të kontributeve publike
dh) Grupet parlamentare duhet të miratojnë Rregullore dhe norma etike të brendshme, të cilat mundësojnë eleminimin e cdo forme diskriminimi për shkak të gjinisë dhe përfaqësimin e barabartë të gjinive në të gjithë strukturat e tyre drejtuese dhe përfaqësuese
e) Reforma zgjedhore duhet të marrë në konsideratë nevojën e kalimit nga kuota kandidimi në kuota zgjedhore në parlament. Përmes sistemit të kuotave të nxitet një klimë mbështetëse për prurjet e reja në politikë, rritjen e konkurrencës dhe cilësisë së përfaqësimit, duke harmonizuar meritat profesionale, aftësitë dhe mbështetjen politike.
f) Shoqëria civile dhe media, organizatat ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm në raport me Kuvendin dhe partitë politike duhet ta trajtojnë me prioritet nevojën e rritjes së përfaqësimit gjinor shumëplanësh në vendimmarrjen politike.
g) Kuvendi, Grupet parlamentare dhe partitë politike duhet të zhvillojnë anketime të vazhdueshme për të kuptuar më mirë problematikat e brendshme dhe cështjet e përfaqësimit, si mënyrë e njohjes më të mirë të gjendjes dhe bazë për ofrimin e rrugëzgjidhjeve përmirësuese për të ardhmen.
gj) Kuvendi, grupet parlamentare dhe partitë politike duhet të zgjerojnë rrethin e ekspertizës së jashtme profesionale në funksion të procesit legjislativ, si dhe të sigurojnë asistencë ligjore të vazhdueshme për gratë deputete dhe deputetët e tjerë
h) Kuvendi, grupet parlamentare dhe partitë politike mund e duhet të bëjnë akoma më shumë për edukimin më të thelluar ligjor të kandidatëve për deputetë, për evitimin e prurjeve problematike (të fortët/dekriminalizimi/biznesmenët) dhe për krijimin e një klime mbështetëse për individë me potenciale profesionale e politike
i) Gratë deputete mund e duhet të jenë më solidare dhe bashkëvepruese si në promovimin e politikave gjinore dhe rritjen e përfaqësimit, ashtu edhe në kërkesat për standarde më të larta të aktivitetit parlamentar për veten e kolegët e tyre
RAPORTI I PLOTË I ANKETIMIT, ME ANALIZËN, GJETJET, REKOMANDIMET, MUND TË LEXOHET / SHKARKOHET KËTU:
ISP – Anketim me grate deputete 2019-2020
PËRMBLEDHJA NË ANGLISHT E GJETJEVE DHE REKOMANDIMEVE MUND TË LEXOHET/SHKARKOHET KËTU:
ISP survey with Women MPs – Main findings and recommendations