Institutit i Studimeve Politike (ISP) është duke zbatuar prej një viti projektin “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA. Pjesë e projektit kanë qenë botime informative mbi zgjedhjet vendore dhe parlamentare, forume të hapura, deklarime publike, monitorimin e partive dhe të KQZ, monitorimin e fushatës zgjedhore dhe të rolit të institucioneve të tjera të lidhura me zgjedhjet, adresimin e rekomandimeve dhe mbajtjen e pozicioneve publike mbi problematikat kryesore që lidhen me zgjedhjet, partitë dhe përfaqësimin.
Ky raport dhe procesi paraprak i anketimit kombëtar është pjesë e këtij projekti, duke synuar që përmes gjetjeve të ndikojë në sensibilizimin e Kuvendit për komisionin e reformës zgjedhore, të partive politike për një angazhim më efektiv për reformën dhe të institucioneve për më shumë vëmendje ndaj problematikeve kritike të reformës. Një demokraci funksionale, përveç institucioneve dhe bazës ligjore, kërkon edhe kulturë demokratike dhe qytetarë aktivë, – anketimi ndihmon modestisht për të kuptuar gjendjen e këtyre elementëve në raport me problematikat zgjedhore dhe përfaqësuese dhe çështjet apo momentet e adresimit për përmirësimin apo reformimin e tyre.
Institutit i Studimeve Politike (ISP) falënderon donatorin për mbështetjen, organizatat partnere të shoqërisë civile për bashkëpunimin, ekipin e studentëve të shkencave politike dhe marrëdhënieve publike nga universitetet publike në Tiranë dhe Durrës për angazhimin në jetësimin e pyetësorit, stafin e ISP për koordinimin e procesit, drejtuesen e anketimit Dr. Dorina Bërdufi, përgjegjëse e departamentit të shkencave politike në UAMD, si dhe ekspertët e përfshirë në dhënien e opinioneve paraprake për anketimin dhe procesin e vlerësimit të raportit.
GJETJE KRYESORE
Lidhur me reformën e ardhshme zgjedhore: qytetarët kanë kuota të larta bindjeje adresimin e problematikave kryesore që lidhen me piketat e pritshme të reformës. Kjo do të thotë se ka konsensus të gjerë në bazë, por parlamenti dhe partitë politike do të duhet të marrin në konsideratë pritshmëritë qytetare për të jetësuar reformën e munguar zgjedhore.
Konkretisht,
- 96% janë mbështetës të aplikimit masiv të votimit dhe numërimit elektronik
- 90% mbështesin pjesëmarrjen e diasporës / emigracionit në zgjedhjet parlamentare
- 89% janë mbështetës të hapjes së plotë të listave dhe konkurrimit me kandidatë
- 84% duan më shumë hapësirë për kandidatët e pavarur dhe partitë e tjera
- 82% kërkojnë ndalime të qarta të aktiviteteve elektorale përpara datës së zgjedhjeve
- 79% sugjerojnë uljen e pragut zgjedhor për të arritur përfaqësim sa më të madh
- 76% sugjerojnë financimin e partive mbi bazën e numrit të votave që kanë marrë
- 61% janë dakord që të përjashtohen nga votimi kandidatët dhe votuesit që janë në burg
- 91% mendojnë se partitë duhen penalizuar me ligj nëse kanë kandidatë të inkriminuar
Lidhur me partitë politike, KQZ dhe administrimin zgjedhor. Qytetarët kërkojnë parti më demokratike dhe transparente, ndarje të qartë të tyre nga lidhjet dhe financimi kriminal ose informal, refuzimin e presioneve dhe denoncimin e shkeljeve ligjore nga partitë në fushatë, kuotim më të lartë të programit të kandidatëve si cilësi zgjedhore, si dhe kanë njohje e mbështetje mesatare për KQZ dhe strukturat zgjedhore.
Konkretisht,
- 79% mendojnë se partitë duhet të detyrohen me ligj të bëjnë zgjedhje të brendshme partiake
- 67% mendojnë se partitë politike shqiptare financohen nga krimi i organizuar
- 66% mendojnë se partitë politike shqiptare janë të lidhura me krimin e organizuar
- 63% mendojnë se partitë tona politike nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve
- 87% e qytetarëve duan refuzimin e kandidatëve/partive që bëjnë presione në fushatë
- 84% e qytetarëve mbështesin denoncimin në Prokurori të çdo personi që shet votën
- 74% e qytetarëve mendojnë se programi i kandidatit duhet të jetë përcaktues për votën e tyre, ndonëse 40% e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë lexuar programe elektorale
- 55% e qytetarëve njohin Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, por vetëm 30% e tyre kanë njohuri për ekzistencën e Komisionit Rregullator
- 45% e qytetarëve mbështesin shprehjen që KQZ është institucion i pavarur për zgjedhjet
- 44% e qytetarëve mendojnë se KQZ është institucion i besueshëm për zgjedhjet
- 39% e qytetarëve mendojnë se KQZ ka aftësinë të zgjidh mosmarrëveshjet
- 40% e qytetarëve mendojnë se KQZ ka siguruar barazi për partitë dhe kandidatët në zgjedhje
- Një e treta konfirmuan se u mungon informacioni i nevojshëm për mënyrën e votimit në zgjedhje
- Në 52% të rasteve qytetarët informohen nga media për mënyrën e votimit, me diferencë të madhe nga roli i KQZ dhe vetë partitë politike në informimin e tyre
- Një e treta e qytetarëve do të donin të kishin më shumë informacion mbi mënyrën e numërimit dhe administrimit të votës, 22% mbi mënyrën e denoncimit të rasteve abuzuese
Lidhur me qytetarët dhe sjelljen zgjedhore të tyre: numri i qytetarëve që merr vendim mbi preferencën politike gjatë fushatës ose në prag të votimit është minimal, çfarë do të thotë se partitë tradicionale kanë bazë solide mbështetjeje. Qytetarët ndikohen nga familja, rrethi shoqëror dhe më shqetësuese, oferta klienteliste e kandidatëve për kryetar bashkie. Besimi tek vota e lirë ende nuk është solid, pothuajse gjysma nuk e shohin votimin si mekanizëm për ndryshim pozitiv, nuk ka diferenca midis gjinive në sjelljen zgjedhore dhe koncepti i votës si detyrë qytetare ka mbështetje të vogël.
Konkretisht,
- Vetëm 16% marrin pjesë në zgjedhje duke e konsideruar pjesëmarrjen detyrë qytetare
- 23% e qytetarëve mendojnë se vota është e lirë dhe vetë ata nuk janë të lirë të votojnë
- 57% e qytetarëve mendojnë se vota sjell ndryshim pozitiv, 30% mendojnë të kundërtën
- 56% e qytetarëve i konsiderojnë njësoj të rëndësishme zgjedhjet vendore e parlamentare
- 89% e qytetarëve duan të denoncojnë çdo padrejtësi gjatë votimit dhe fushatës
- 83% e qytetarëve mendojnë të votojnë vetëm pasi të ketë njohur programet e kandidatëve
- 53% e qytetarëve preferojnë mbështetjen për kandidatin që është nga zona e tyre
- Dy të tretat e qytetareve e kanë krijuar bindjen e votës përpara fushatës, 28% në fushatë
- 21% e votuesve që vendosin momentin e fundit për kë votojnë, ndikohen nga shoqëria e tyre, 15% nga ofertat klienteliste të kandidatit dhe 13% nga familja e tyre
- 60% e moshës së tretë e kanë pasur gjithnjë të paracaktuar se për kë do të votojnë
- 40-42% e të gjitha grupmoshave e kanë të paracaktuar gjithmonë votën e tyre
- 11% -18% e votuesve nën 30 vjeç e përcaktojnë votën ditën e fundit të fushatës
- 70% e votuesve militantë mendojnë se me votën e tyre sjellin ndryshim pozitiv.
- 53% e qytetarëve me votë të përhershme të përcaktuar besojnë tek lideri politik
- Nuk ka diferencë midis gjinive në përcaktimin e kohës së votimit dhenë sjelljen politike
Lidhur me zgjedhjet vendore dhe sfidat e bashkive. Qytetarët i kanë të qarta sfidat e pushtetit të ri vendor, kanë besim moderuar nga institucioneve vendore, si dhe kategoria që çmon aftësinë e kryetarëve të bashkisë për zhvillimin ekonomik të zonës me aftësinë e tyre për oferta klienteliste, – një formë e abuzimit me pushtetin, janë relativisht me mbështetje të larta, një shqetësim që flet për nivelin e kulturës politike dhe perceptimin kritik për të zgjedhurit.
Konkretisht,
- 62% e qytetarëve mendojnë se papunësia, varfëria dhe pagat e ulta janë problematikat prioritare që duhen përmirësuar në bashkinë ku jetojnë
- 41% e qytetarëve kanë më shumë besim tek institucioni i kryetarit të bashkisë, 10% tek këshillat bashkiakë dhe 34% nuk kanë besim tek asnjë institucion përfaqësues qendror apo vendor
- Aftësia e administrimit ekonomik është kriteri kryesor për 21% të qytetarëve për të vlerësuar një kryetar bashkie, ndjekur nga kriteri klientelist, aftësia e kryetarëve për të ofruar favoreve për shtat të pozitës zyrtare (punësim, licenca, etj) (19%)
- 27% e qytetarëve deklarojnë se bashkia nuk e përmbushi detyrimin ligjor për informim e qytetarëve mbi qendrat e votimit
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: