Shqipëria po përgatitet të zhvillojë zgjedhjet pasuese parlamentare në fundin e pranverës së vitit 2025. Prej vitit 2020 nuk ka pasur ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që shumë prej rekomandimeve të ODIHR/OSBE-së për zgjedhjet e vitit 2019, 2021 dhe 2023 ende nuk janë adresuar. Gjatë këtyre viteve janë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që imponojnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, përfshirë edhe ri përcaktimi i herësit dhe plotësimi i akteve ligjore për votën e diasporës. Një Komision i Posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore i krijuar nga legjislatura aktuale parlamentare nuk arriti të ketë aktivitet normal dhe as vendimmarrje. Mosmarrëveshjet politike fillimisht për objektivin dhe kalendarin e punës dhe më pas për përbërjen politike të tij çuan në paralizimin e Komisionit dhe pas fillimit të vitit 2024, përfundimin e mandatit të tij pa dhënë rezultate.
Formula e Komisionit është zëvendësuar aktualisht nga një Grup i Dialogut në kuadër të Komisionit të Ligjeve në Kuvend, me përbërje të balancuar midis palëve politike, por me konflikte e mospërputhje midis partive përbërëse të opozitës. Ky grup nuk ka statusin e Komisionit të Posaçëm dhe nuk vepron mbi një kuadër ligjor funksional, të atillë që të sigurojë vendimmarrje efektive dhe as jetësimin e reformës. Produkti i tij ndërvaret nga vullneti politik i dy grupeve më të mëdha politike në parlament dhe ky “kusht” e bën grupin më të dobët institucionalisht, sesa praktika e mëparshme e Komisionit Ad-Hoc. Për më tepër, Komisioni kishte detyrimin e mbledhjeve, procedurës, produktit dhe raportimit në Kuvend, detyrime të cilat nuk vlejnë në rastin e Grupit të Dialogut.
Pavarësisht debateve rreth mekanizmit që mund të shqyrtojë dhe adresojë çështjet prioritare të reformës, vetë reforma është e domosdoshme, është tema kryesore e diskursit politik dhe është një kriter i rëndësishëm për progresin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri. Bazuar në praktikat e Komisionit të Venecias, një reformë funksionale dhe solide do të duhet të bëhet një vit përpara datës së zgjedhjeve, periudhë kalendarike që tashmë është tejkaluar, por që mund të kompensohet, nëse Kuvendi vendos për ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor brenda sesionit aktual parlamentar (qershor-korrik 2024). Kjo vlen sidomos për ndërhyrje të rëndësishme, siç janë: ndryshimet e pretenduara për sistemin zgjedhor, ndryshimet në legjislacion për jetësimin e votës së diasporës, mundësinë e aplikimit tërësor të votimit dhe numërimit elektronik apo depolitizimit të administrimit zgjedhor. Çështje të tjera mund të jenë objekt debati dhe vendimmarrje edhe në periudhën midis një viti deri në gjashtë muaj përpara zgjedhjeve.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka monitoruar në vazhdimësi ecurinë e aktivitetit, vendimeve dhe propozimeve të ardhura nga partitë politike, Kuvendi dhe institucionet e tjera lidhur me tematikat zgjedhore. Në kuadër të projektit Cluster One, në nëntor 2023 ISP organizoi një tryezë debati me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike parlamentare dhe KQZ lidhur me prioritetet e reformës. Debati ishte konstruktiv, për më tepër kur zhvillohej në kushtet kur parlamenti nuk ishte funksional dhe opozita ishte në protestë dhe bojkotim ndaj tij. Disa prej gjetjeve në këtë debat ishin të vlefshme dhe ofruan këndvështrime jo vetëm politike, por edhe profesionale lidhur me pritshmëritë, prioritetet dhe mundësitë reale të ndërhyrjes për reformën zgjedhore. Duhet thënë se disa prej deputetëve të përfshirë në debat dhe që bënin pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën apo edhe aktualisht në Grupin e Dialogut, përveçse politikanë me përvojë, janë edhe ekspertë shumë të mirë të çështjeve zgjedhore, me eksperiencë të gjatë në reformat zgjedhore prej viteve 2000, – një tregues lehtësues për cilësinë e vendimmarrjeve të mundshme të tyre. Ky është edhe një tregues se politikanët ekspertë kanë sensibilitet më të madh për reformën sesa, liderët politikë jo ekspertë, dhe që kanë veton reale politike me impakt pozitiv ose negativ për jetësimin e reformës.
Në këto rrethana shoqëria civile është investuar në ruajtjen e urave të komunikimit midis palëve politike, sidomos midis politikanëve ekspertë, të cilët përfaqësojnë një spektër më të gjerë politik, si dhe adresimin e vazhdueshëm të rekomandimeve dhe të apelit për dialog konstruktiv. ISP, ASP dhe organizata të tjera të shoqërisë civile kanë adresuar pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës rekomandime konkrete për çështje të ndryshme të reformës, që bëjnë pjesë në rekomandimet e ODIHR ose që i tejkalojnë ato, por ende Kuvendi nuk ka pasur një përgjigje zyrtare mbi rekomandimet e dërguara. Tryezat e debatit midis parlamentarëve, partive politike, faktorit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile janë një rast i mirë adresimi dhe diskutimi.
Për këtë arsye ISP zhvilloi gjatë pranverës së vitit 2023 dhe asaj të 2024 një anketim kombëtar, në të cilin u përfshinë rreth 1 mijë shtetas me të drejtë vote nga 12 qarqet e vendit. Ideja e anketimit nuk ishte aspekti statistikor i të dhënave, por testimi i perceptimit dhe pritshmërisë publike mbi prioritetet e reformës dhe çështjet të cilat janë pjesë e diskursit politik dhe publik. ISP ka zhvilluar edhe intervista me ekspertë të fushës dhe ka monitoruar ligjërimin politik mbi reformën, të dhëna, të cilat në formë të kryqëzuar ndihmojnë në krijimin e një pasqyre me të plotë të perceptimit publik për prioritetet e reformës.
Anketimi i zhvilluar në prill 2024 me të njëjtën metodologji (në 12 qarqe, 980 pjesëmarrës, përgjigje anonime dhe të kategorizuara në aspekt gjeografik, nivel arsimor, nivel punësimi dhe nivel të ardhurash financiare), pati synim të njëjtë për të tërhequr perceptimet publike për debatet aktuale lidhur me sistemin tonë përfaqësues, reformën zgjedhore, reformën në legjislacionin mbi partitë politike dhe prioritetet për zgjidhje për t’u trajtuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Një anketim paralel me kontakt direkt me qytetarët në qarqet ku u testua votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2023, përfshiu pyetje specifike dhe teknike lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, të dhënat e të cilit janë përfshirë në këtë raport si pjesë integrale e tij.
Në dallim nga viti 2023, ku fokus patën edhe problematikat e zgjedhjeve vendore, në vitin 2024 fokus kryesor patën propozimet e ndryshme të adresuara nga partitë politike për reformën zgjedhore në funksion të zgjedhjeve parlamentare. Anketimi u bë si pjesë e projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta përmes programit MATRA, në realizimin e të cilit Instituti i Studimeve Politike (ISP) është në partneritet me Akademinë e Studimeve Politike (ASP).
Vlen të theksohet se ekziston një hendek midis diskursit politik për reformën dhe njohurive të thelluara qytetare për detajet e propozimeve për reformën dhe impaktin real të tyre, si dhe një lidhje gjithnjë e më e ndërvarur midis pozicionit politik të partive kryesore ndaj çështjeve kryesore të reformës me pozicionimin edhe të qytetarëve mbështetës të forcave të tilla politike. Sa më afër procesit zgjedhor, aq më shumë njësohen qëndrimet dhe preferencat politike edhe të qytetarëve, ndërkohë që pothuajse në të gjitha pyetjet kryesore ekziston një kategori e konsiderueshme votuesish të mundshëm që kanë paqartësi, mosbesim dhe neutralitet ndaj problematikave kryesore të reformës zgjedhore dhe reformës në përfaqësimin politik.
Nga ana tjetër, diskursi për reformën zgjedhore ka treguar se vetë aktorët politikë, përfshirë aktorë të rinj, më shumë konsumojnë ide dhe propozime kryesisht populiste, sesa kanë qasje strukturore, realiste dhe konstruktive ndaj reformës. Për shembull, mbledhja e 20 mijë nënshkrimeve për ndryshime të sistemit zgjedhor është një akt politik simbolik përballë faktit se ndryshimet në Kushtetutë nuk janë objekt i të njëjtës praktikë të inicimit të ligjeve të zakonshme. Ekzistojnë nisma të tilla të njëjta edhe nga grupe nga shoqëria civile, pa një qasje efektive dhe me pritshmëri minimale për të ndikuar realisht në debatin dhe vendimmarrjen mbi reformën zgjedhore. E njëjta kritikë vlen edhe për diskursin politik, sidomos nga palë politike që kanë mbështetje edhe nga institucionet ekzekutive, të cilat ndonëse marrin në konsideratë dhe deklarojnë angazhime (p.sh., vota e diasporës) de-facto e dinë se mungon regjistri dhe baza solide e jetësimit të saj. Po ashtu, palë politike kryesisht të opozitës, të cilat adresojnë kërkesa, që ndonëse mund të jenë në interes të tyre elektoral, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht interesin publik dhe mungon perceptimi qytetar mbi to (p.sh., çështja e koalicioneve).
Së fundi, anketimi nuk ka qëllime shteruese në debatin parlamentar, politik dhe publik për reformën, por vetëm nxitëse, sensibilizuese dhe ndihmuese për të krijuar një panoramë sa më aktuale të perceptimit publik dhe për ta adresuar këtë perceptim në institucione. Grupi i Dialogut dhe partitë parlamentare, KQZ dhe institucionet e tjera të lidhura me zgjedhjet, organizatat civile që kanë fokus zgjedhor dhe ekspertët e fushës, misionet ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve janë përfituese direkt të gjetjeve të anketimit. Përmes marrjes, diskutimit dhe adresimit janë përfitues edhe qytetarët e përfshirë në anketim si dhe ata që presin standarde më të larta zgjedhore dhe përfaqësimi politik në Shqipëri. Kjo është edhe detyra klasike e shoqërisë civile.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) falënderon qytetarët që u angazhuan, stafin mbështetës, donatorin që mundësoi realizimin e anketimit, partitë politike që treguan interes për gjetjet e anketimit dhe ekspertët e angazhuar, si dhe organizatat partnere në projekt dhe në debatin publik mbi reformën zgjedhore dhe reformën në legjislacionin mbi partitë politike.
Materiali i plotë mund të shkarkohet/lexohet këtu:
Anketim mbi prioritetet e reformës zgjedhore dhe sfidat e përfaqësimit 2025