Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vazhdojnë të mbeten në listën e vendeve kandidate për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Reformat në gjyqësor janë kusht shumë i rëndësishëm që BE-ja kërkon nga të dy vendet të respektohet me përpikëri. Në Maqedoninë e Veriut besimi në gjyqësor është shumë i ulët ndërsa reformat po zhvillohen me ritme të ngadalta. Në Shqipëri, ekspertët vlerësojnë se ka ende një hendek të madh midis pritshmërisë së reformës dhe rezultateve konkrete, shkruan Portalb.mk.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në listën e vendeve kandidate për tu bërë pjesë e BE-së, bashkë me Serbinë, Malin e Zi dhe Turqinë. Më 25 mars 2020 Komisioni Evropian mirëpriti vendimin e Këshillit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mes tjerash, dy vendeve fqinje u është kërkuar të ketë progres në reformat zgjedhore dhe gjyqësore dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Njohësit e çështjeve euro-integruese vlerësojnë se për integrim në BE, reformat në sistemin gjyqësor janë me prioritet të veçantë në të gjithë rajonin.
“Viteve të fundit reformat në gjyqësor bëhen gjithnjë e më e rëndësishme në procesin e integrimit në BE. Gjithnjë e më shumë monitorohen rezultatet reale dhe rastet konkrete, përveç ndryshimeve ligjore dhe institucionale, të cilat janë domethënëse. Edhe pse theks i veçantë vendohet në institucionet demokratike në përgjithësi, në administratën publike dhe reformat ekonomike, gjyqësori është në plan të parë në të gjithë rajonin”, deklaroi ekspertja e euro-integrimeve Malinka Ristevska.
Si zhvillohet procesi i reformave në gjyqësor në Maqedoninë e Veriut?
E megjithatë në Maqedoninë e Veriut procesi zhvillohet me ritme të ngadalta dhe nuk ka qasje të organizuar, sistematike dhe strategjike nga autoritetet kompetente.
“Është një fakt që sektori gjyqësor në vend po përparon dhe përmirësohet vazhdimisht, dhe në të njëjtën kohë ekziston një ndërgjegjësim midis autoriteteve për nevojën e rritjes së besimit të qytetarëve në gjyqësor. Fatkeqësisht, një progres i tillë është relativisht i kufizuar në një numër të vogël të drejtimeve, për shkak të së cilës Maqedonia shpesh ka probleme në ndjekjen e trendeve dhe standardeve moderne në ligj, si dhe metodologjive moderne organizimin dhe monitorimin e punës së gjykatave dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi. Në këtë drejtim, shumica e shembujve pozitivë dhe praktikave të mira të veprimit në sistemin gjyqësor janë për shkak të përpjekjeve individuale dhe qasjes së individëve në institucionet ose organet kompetente”, thonë nga “Koalicioni Të Gjithë për Gjykime të Drejta”.
Ata vlerësojnë se sistemi gjyqësor në RMV është larg standardeve të BE-së, kjo për shkak se gjyqtarët, avokatet dhe prokurorët në vendin kanë shumë pak njohuri për Këshillin e Evropës dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriu.
Reforma në drejtësi, zhvillimi më i rëndësishëm i 5 viteve të fundit në Shqipëri
Sa i përket shtetit fqinjë, Shqipërisë, reforma në gjyqësor ka vite që është bërë zhvillimi më i rëndësishëm në vend por në thelb, është një reformë e iniciuar nga jashtë, një projekt më shumë amerikan dhe evropian sesa një projekt shqiptar për drejtësinë, vlerëson Afrim Krasniqi drejtues i Institutit për studime politike në Shqipëri.
“Sistemi i drejtësisë ishte i dominuar nga korrupsioni dhe sjellja korporative, ndaj ishte e nevojshme një operacion i thellë ndryshimi. Në fazën e shkrimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjeve themelore të reformës, nevoja për reformë dhe presioni për rezultate të shpejta dominuan nga nevoja për parashikimin e burimeve njerëzore dhe elementëve të tjerë përbërës të reformës. Për pasojë, krahas bazës kushtetuese të reformës së re, Shqipëria pagoi koston e shkrirjes reale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së lartë për rreth 2-3 vjet. Rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve dolën nga sistemi për shkak të vettingut, duke krijuar deficite të ndjeshme edhe në nivelet e tjera të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë. Vetëm gjatë vitit 2020 u arrit të krijohet kuorumi në Gjykatën Kushtetuese, të zgjidhen 3 anëtarë në Gjykatën e Lartë, të kemi Prokuror të Përgjithshëm, të zgjidhet Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe të krijohet struktura e posaçme antikorrupsion, SPAK.
Të gjithë këto institucione sipas reformës do të duhej të ishin krijuar rreth 3 vjet më parë. Pavarësisht vonesave dhe kostove të tyre, në thelb, reforma në drejtësi ka ende mbështetje të gjerë publike dhe shihet si një zhvillim thelbësor për programin e Shqipërisë. Qytetarët e mbështesin sepse besojnë se drejtësia e re do të jetë më e ndershme dhe më funksionale sesa sistemi i vjetër dhe mbi të gjitha, sepse ata besojnë se hapi pasues është hetimi i dënimi i zyrtarëve të lartë, midis të cilëve ka një numër të madh zyrtarësh të lartë politikë e shtetërorë të akuzuar për korrupsion”, shprehet për portalb.mk Afrim Krasniqi.
Ai shprehet se në Shqipëri ka reformë në drejtësi por nuk ka drejtësi, kjo për shkak të vonesave dhe problematikave në të gjitha nivelet e gjyqësorit.
“Ne kemi mungesë të theksuar të burimeve njerëzore për të pasur konkurruencë reale për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, apo për poste të tjera ku kërkohet vetting dhe përvojë e gjatë pune. Kjo është arsyeja që pas 5 vitesh janë rritur zërat dhe kërkesat për rishikim të kritereve. Gjithashtu, midis daljeve nga sistemi dhe hyrjeve në sistem ka një diferencë negative prej 5-7% dhe nevoja për rritjen e sasisë për hyrjet në sistem po përballet me nevojën që sistemi i ri të ketë jo vetëm individë të rregullt në kriteret financiare e ligjore, por edhe të aftë të marrin vendime profesionale. Ndikimi shpesh edhe jashtë kornizës diplomatike i SHBA dhe BE e ka ruajtur reformën nga kontrolli dhe ndikimi i brendshëm politik, por që reforma të ketë sukses afatgjatë, është e nevojshme që vetë institucionet shqiptare vendore të marrin përgjegjësi dhe të dëshmojnë integritet e profesionalizëm. SHBA e BE mund të asistojnë, por nuk mund të zëvendësojnë atë që është detyrë, nevojë dhe përgjegjësi shqiptare”, deklaroi Afrim Krasniqi nga Instituti për studime politike në Shqipëri.
Rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë e gjatë. Edhe pse Shqipëria nuk ka probleme me vendet fqinje, janë një sërë çështjesh tjera që duhet të rregullohen sipas kritereve të BE-së, si jetësimi me standarde i procesit zgjedhor parlamentar i prillit 2021, raportet kritike të qeverisë me lirinë e medias, si dhe masa konkrete antikorrupsion.
“Vitet e fundit Shqipëria po përballet me një paradoks, – mbështetja masive qytetare për integrimin vjen në kontrast me rolin e aktorëve kryesorë politikë, të cilët e shohin integrimin si kufizim të pushtetit personal dhe si kërcënim për ambiciet e tyre politike. Për sa kohë koalicioni informal i këtyre të fundit funksionon, nuk pritet të ketë progres domethënës në raportet Shqipëri – BE, bisedimet do të jenë të vona, të zgjatura dhe progresi gjithashtu i ngadaltë”, thekson Krasniqi.
Procesi i euro-integrimeve është tema më e diskutuar në RMV
Integrimet në BE është tema që më së shumti flitet nga politikanët në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse politikanët janë të premtojnë se së shpejti vendi ynë do të aderojë shumë shpejt në BE, progresi i reformave nuk është edhe aq optimist. Një sondazh mbarëkombëtarë i IRI-t, publikuar në mars të 2020, tregon se në opinionin publik ka një rënie të besimit se vendi do të sigurojë anëtarësim në BE në të ardhmen e afërt.
Në një sondazh tjetër të IRI-t për Ballkanin Perëndimor , 61 për qind e të anketuarve në RMV thanë se vendi po shkon në drejtim të gabuar, 81 për qind u përgjigjen se të rinjtë nuk mundet të kenë të ardhme të mirë në këtë vend dhe 62 për qind janë përgjigjur se kishin jetë më të mirë para se të shpërbëhej Jugosllavia. Mes tjerash të dhënat e IRI-t tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë besim tek institucionet në vend. Vetëm 3 për qind të anketuarve kanë besim të plotë tek gjykatat, 16 për qind disi besojnë, 29 për qind nuk besojnë dhe 50 për qind nuk besojnë aspak.
Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut qytetarët më së shumti ankohen për gjyqësorin në vend. Përfaqësuesja e Avokatit të popullit Vaska Bajramovska, deklaroi se në vitin 2019 i madh ka qenë numri edhe i ankesave për shkeljen e të drejtave të njeriut respektivisht të drejtave të fëmijëve, ato juridiko pronësore, urbanizëm dhe ndërtim, por edhe në mbrojtjen e të drejtave gjatë veprimit të policisë, mbrojtjen sociale, për sigurim pensional dhe invalidor.
Çfarë thuhet në Raportin e fundit KE-së për RMV-në dhe Shqipërinë?
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, sa i përket sistemit gjyqësor RMV dhe Shqipëria vlerësohen si vende mesatarisht të përgatitura. Maqedonia e Veriut ka pasur progres në implementimin e e strategjisë së reformës gjyqësore, megjithatë janë akoma të nevojshme përpjekje për të siguruar zbatimin sistematik të planit të veprimit të azhurnuar të strategjisë së reformës gjyqësore. Sa i përket Shqipërisë në Raportin e KE-së thuhet se në përgjithësi vendi ka pasur progres të mirë duke implementuar reformën gjithëpërfshirëse dhe të plotë në drejtësi.
SHEFKIJE ALASANI
Faktoje, MV