Presidenti i Republikës me dekretin nr. 13864, datë 24.10.2022, ka caktuar datën 14 maj 2023 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore. Këto janë zgjedhjet e nënta (1992, 1996, 2000, 2003, 2007, 2011, 2015, 2019) dhe të tretat me mazhorancën aktuale (2015, 2019, 2023).
Zgjedhjet janë të parat pas vendimit të BE për të nisur bisedimet në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Si të tilla, mbetet thelbësore integriteti dhe standardet e tyre, procesi në raport me zgjedhjet e mëparshme dhe aftësia e Shqipërisë për të krijuar mekanizma të besuar zgjedhorë.
Viti 2023 është viti i tretë i mazhorancës aktuale në mandatin e saj të tretë. Për shkak të krizës në opozitë dhe problematikave të saj në përfaqësim dhe vendimmarrje edhe në kuadër të reformës zgjedhore, mazhoranca vijon të jetë solide dhe e fokusuar në ruajtjen e kontrollit mbi bashkitë dhe këshillat bashkiakë. Një numër skandalesh dhe akuzash për korrupsion kanë dobësuar retorikën dhe aftësinë e mazhorancës për reforma serioze institucionale, por nuk ka tregues se janë element me ndikim të ndjeshëm në zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet e pjesshme të marsit 2022 u dëshmua se PS fitoi edhe në bashki ku zgjedhjet u shkaktuan nga arrestimi i kryetrarëve të bashkisë për korrupsion (Lushnje) apo dorëheqjeve në kuadër të dekriminalizimit (Vorë). Ajo që pritet në këtë fushatë elektorale është retorika e ashpër politike midis palëve, si dhe përpjekja e dy palëve për ti shndërruar zgjedhjet vendore në “zgjedhje kombëtare”, pra në zgjedhje politike që testojnë raportet në nivel kombëtar midis mazhorancës dhe opozitës.
Rekomandimet e ODIHR/OSBE janë një detyrim politik dhe institucional për Shqipërinë. Disa prej rekomandimeve të vitit 2017 vlejnë ende për zgjedhjet lokale, ndërkohë që ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe një opinion nga Komisioni i Venecias . Ndërkohë prioritare mbeten rekomandimet e zgjedhjeve të fundit parlamentare (2021). Mungesa e reformës zgjedhore ka pamundësuar edhe jetësimin e pjesës më të madhe të rekomandimeve, siç edhe disa deklarata politike (sidomos ajo për patronazhistët) ka lënë dyshime mbi vullnetin politik për të jetësuar rekomandimet.
Rrugëzgjidhja e mundshme
1. KQZ mund të ndërmarrë disa akte rregullatore që të “kompensojë mungesën e reformës zgjedhore”, duke minimizuar cenimin e standardeve zgjedhore dhe problematikën që sjell kjo mungesë.
2. Institucionet mund të ndërmarrin akte dhe të aprovojnë vendime që mbulojnë përgjegjësinë e tyre dhe që mund të ndikojnë pozitivisht në standardet e zgjedhjeve në disa zëra që lidhen me rekomandimet 2019 dhe 2021
3. Parlamenti mund të marrë vendime rregullatore ligjore nëse është e domosdoshme, pa përfshirë në to elementët e rëndësishëm të sistemit zgjedhor dhe të integritetit të procesit ligjor zgjedhor, të cilat ndalohen të ndodhin në periudhën para 6 muajve ose në vitin paraardhës të datës së votimit. Opozita ka propozuar një akt për burimet shtetërore, i cili është në procedurë parlamentare.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: