Përtej diskutimit për fondet e nevojshme, zbatimi i votimit elektronik në shkallë të gjerë mbetet ende një sfidë për t’u menaxhuar në nivel teknik dhe njerëzor. Në analizën e hartuar në bashkëpunim mes Akademisë së Studimeve Politike dhe Institutit të Studimeve Politike, prezantohen problematikat e hasura dhe nevoja për rregullime ligjore dhe administrimin e procesit si dhe rekomandime konkrete për të siguruar besimin e duhur në shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik të votës në zgjedhje.
Disa rekomandime për hapat që nevojiten të ndërmerren në kuadër të reformës zgjedhore për shtrirjen e votimit elektronik janë:
Detyrimi për të plotësuar legjislacionin për elektronikën në zgjedhje
Kuvendi nevojitet që të plotësojë më tej në Kodin Zgjedhor normimin e harmonizimit të standardeve të procedurave të votimit qe ndikohen nga aplikimi i teknologjisë si sigurinë, privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Mungesa e autorizimeve ligjore të qarta krijoi kosto të shtuara në zgjedhjet e fundit ndërkohë që elektronika duhej të shërbente për uljen e tyre. Pas mandatimit të duhur nga Kodi Zgjedhor, KQZ nevojitet të hartojë aktet nënligjore për zbatimin e memorandumit shpjegues te Rekomandimit CM/Rec(2017)5 i Komitetit te Ministrave te Këshillit te Evropës për vendet anëtarë për standarde e votimit elektronik.
Administrimi dhe burimet njerëzore
Ndryshe nga përdorimi i klasik i procedurave standarde të zgjedhjeve teknologjia kërkon që edhe komisionerët apo stafi teknik të ketë përgatitjen e duhur dhe familjarizim me procesin. Në praktikën aktuale të administrimit zgjedhor do të hasen vështirësi për të rekrutuar staf të përgatitur në të gjitha qendrat e votimit. Rekrutimi vullnetar i operatorëve për pajisjet elektronikë është ndeshur me mungesë aplikimesh dhe në disa raste edhe mosparaqitje në detyrë në ditën e votimit. Për këtë arsye zbatimi i gjerë i votimit elektronik mund të jetë e lidhur me zbatimin e depolitizimit të administratës zgjedhore, të përbërë nga nëpunës civilë apo profesionistë të tjerë të familjarizuar me teknologjinë, të cilët kanë një përgjegjësi të mëtejshme ligjore për të marrë pjesë në administrimin e procesit.
Siguria dhe auditueshmëria / verifikueshmëria
Sistemi aktual i votimit elektronik i zgjedhur nga KQZ garantohet se nuk është i aksesueshëm nga interneti dhe nuk ka rrezik për sulme nga jashtë sistemit. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që sistemi mund të tentohet të manipulohet fizikisht. Për këtë arsye rekomandohet klasifikimi i teknologjisë së zgjedhjeve si infrastrukture kritike prioritare dhe të sigurohen proceset e duhura të auditimit tërësor të pavarur për të nxjerrë në pah vulnerabilitetet e sistemit të ofruesit të shërbimit. Krijimi i procedurave të kontrollit dhe rritja e transparencës së procedurave nevojitet të rritet për të krijuar gjithashtu besimin e duhur të aktorëve politikë dhe publikut në teknologjinë e zgjedhjeve.
Zgjidhje hibride si një alternativë
Përdorimi i zgjidhjeve hibride për procese të caktuara të numërimit apo votimit, mund të jetë një mundësi për të kapërcyer problematikat e një votimit elektronik të plotë dhe sjellë përfitime të dyanshme. Për shembull, përdorimi i vulës në procesin e votimit dhe jo shkrimit me stilolaps, mund të lehtësojë procesin e numërimit të votave nga pajisjet ekzistuese të KQZ-së duke mundësuar vetëm blerjen e programeve për leximin e tabulimin e votës. Votimi me vulë mund të minimizojë gjithashtu riskun e pavlefshmërisë së votave apo pilotimit të votave përkundrejt pagesës apo presionit (votimi në një mënyrë të caktuar për të treguar se ai/ata zgjedhës kanë votuar në favor të një kandidati përkundrejt të cilit i është kërkuar kjo shenjë).
AKADEMIA E STUDIMEVE POLITIKE INSTITUTI I STUDIMEVE POLITIKE