Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 aplikuan një formë eksperimentale të votimit të preferuar, përmes të cilës kandidatët me mbi 10 mijë vota mund të siguronin mandate duke zhvendosur kandidatët në krye të listës shumëemërore por me numër votash nën këtë prag. Rastet ishin minimale. Gjithsesi zgjedhjet prodhuan një parlament, i cili do të duhej të kishte lidhje më të fortë midis deputetëve dhe votuesve të tij, në krahasim me legjislaturat e mëparshme të listës së mbyllur proporcionale. Kandidatët bënë fushatë personale, premtuan, krijuan kontratë besimi me zgjedhësit dhe u identifikuan me partinë politike, por pa filluar ende legjislatura disa prej tyre njoftuan dorëheqjen nga mandati. Fillimisht ishin tre deputetë, një nga opozita dhe dy nga mazhoranca, secili me dorëheqje për arsye të ndryshme.
Nga monitorimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) rezulton se gjatë viteve në vijim 2021-2023, pa konsumuar ende gjysmën e mandatit disa deputetë të tjerë dhanë dorëheqje, kryesisht nga opozita, duke iu rikthyer profesioneve të mëparshme. Po ashtu, në garën për zgjedhjet vendore të majit 2023 janë regjistruar si kandidatë disa deputetë, duke preferuar dorëzimin e mandatit parlamentar në shkëmbim të garës vendore. Të tillë janë pesë deputetë, tre nga opozita dhe dy nga mazhoranca, nga të cilët, vetëm dy (1 opozitë dhe 1 mazhorancë) kanë shanse reale për të fituar postin e kryetarit të bashkisë. Një deputet dha dorëheqje pas masave sanksionuese të SHBA ndaj tij.
Në një karrierë politike nuk ka post më të rëndësishëm sesi mandati parlamentar, por në rastin tonë, ka ndodhur e kundërta, ku deputetët japin dorëheqje në kërkim të një posti drejtues lokal. Në Tiranë dy kandidatët kryesorë kanë dhënë dorëheqje nga mandati parlamentar, i pari më 2015 dhe i dyti më 2023. Praktika të tilla kemi parë edhe më përpara, ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 vetëm një kryetar bashkie dha dorëheqje për të kandiduar për deputetë, pa arritur të sigurojë mandat parlamentar. Një tjetër kryebashkiak (Vlorë) e refuzoi ofertën, gjë që solli konflikt politik me partinë e tij politike dhe paralajmërim për dorëheqje nga politika pas mbarimit të mandatit vendor.
Në aspektin statistikor dhe të kontratës politike midis deputetëve dhe zgjedhësve të tyre, tabela e hartuar nga database e Institutit të Studimeve Politike (ISP) dëshmon të dhëna interesante. Në total mbi 40 mijë vota parlamentare nuk përfaqësohen në parlamentin e ri nga deputetët zëvendësues. Rreth 98 mijë vota janë larguar dhe rreth 58 mijë kanë hyrë në parlament, një tregues tjetër se listat vijuese dhe zëvendësuese nuk sollën legjitimitet më të madh përfaqësues sesa listat preferenciale të kryetarëve të partive. Kjo është e vërtetë sidomos tek lista e PD, ku vetëm një nga shtatë deputetët e dorëhequr ka pasur më pak vota më 2021 sesa kandidati që e ka zëvendësuar në parlament. Tek PS janë dy raste, dy emra të njohur politikë që kishin më shumë vota sesa deputetët që u dorëhoqën. Në tërësi prurjet e reja nga PD vijnë në parlament me mbi 17 mijë vota më pak përfaqësim sesa deputetët e larguar dhe se prurjet e reja nga PS sjellin në parlament mbi 15 mijë vota më pak sesa numri i votave të deputetëve të larguar. Deputetja pasuese tek lista e PSD rezulton se vetëm 9% të votave të deputetit që dorëzoi mandatin e kësaj partie.
Disa prej deputetëve që u tërhoqën nga mandati parlamentar nuk arritën të lënë gjurmë parlamentare ose patën vështirësi të përshtaten me mekanizmat e aktivitetit parlamentar, gjë që tregon hendekun midis ambicieve të vazhdueshme të politikanëve për tu bërë deputetë me aftësinë e tyre reale për ta ushtruar funksionin ligjvënës. Disa të tjerë më me përvojë parlamentare e politike ishin aktivë, por zgjodhën angazhime të tjera, kryesisht edhe për shkak të klimës politike konfliktuale dhe demotivuese në jetën parlamentare.
Vlen gjithashtu të theksohet se nëse tek PD katër deputetë zgjodhën rikthimin në profesion dhe qëndrimin jashtë politikës aktive (Marku, Duma, Veizaj, Rushaj), tek PS vetëm një deputet preferoi profesionin (Çomo) dhe dy të tjerë përfunduan në burg për korrupsion. Mbi 18 mijë votat e këtyre të fundit, për shkak të sistemit të votimit, kanë prodhuar për PS më shumë se 2.6 deputetë në zgjedhjet e vitit 2021. Vlen gjithashtu të theksohet se ndër emrat e dorëhequr nga mandati parlamentar janë tre deputetë me mbi 10 mijë vota, njëri prej të cilëve (Boçi) fitoi edhe në garën e brendshme në listën e PD Elbasan, duke zhvendosur emrin e kryetarit të degës lokale nga lista dhe fituar mandat parlamentar. Kreu i PSD ndonëse dha dorëheqje nga mandati vijon të jetë aktiv në krye të PSD pjesë de facto e koalicionit qeverisës, si dhe aktivitetin privat duke qenë një prej biznesmenëve politikanë më me ndikim.
Institutit i Studimeve Politike (ISP)