Raporti i BE për Shqipërinë 2025 u bë publik. Siç pritej, kryesisht për shkak të qasjes së re strategjike të BE dhe zhvillimeve gjeopolitike raporti do të ishte pozitiv. Shqipëria ka pasur kapitujt kryesorë ndaj meriton vlerësim.
Përtej deklarimeve “politikisht korrekte” dhe konstatimeve formale proceduriale, tipike për raporte të tilla që përfshijnë të gjitha fushat e qeverisjes, drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik e social, – nga këndvështrimi i angazhimit të ISP vlen të mbahen shënim:
➡️ Kritika për funksionin e parlamentit, kapacitetet e tij të kufizuara, mangësitë në transparencë, konsultim publik dhe funksionalitet, dominimi i tij nga qeverisja dhe nevoja për agjendë reformash, normalitet dhe rikthim në pozitën kushtetuese, – gjetje që përbëjnë konfirmim të raporteve periodike të kryetar nga ISP gjatë vitit 2024-2025 për parlamentin.
➡️ Kritika për rolin, aktivitetin dhe legjislacionin e paplotë zgjedhor dhe atë mbi partive politike, për mangësitë në jetësimin e nenit 9 të Kushtetutës për transparencën financiare, konfirmimet e raportit të ODIHR për zgjedhjet dhe theksimin e nevojës për reformë serioze dhe gjithëpërfshirëse, – çështje që përbëjnë edhe konfirmim të vlerësimeve të ISP përgjatë viteve 2024-2025.
➡️ Kritikat për efektivitetin dhe standardet e transparencës e llogaridhënies për disa institucione, përfshirë KLGJ e KLP, ILDKPKI, etj, për moszgjedhjen e pajustifikuar tw AP dhe KMD, për retorikën denigruese të aktorëve politikë ndaj SPAK dhe disa institucioneve të pavarura, si dhe për gjendjen e medias në vend, shumica e të cilave gjithashtu konfirmime edhe gjetjeve në raportimet e deklarimet tona publike.
➡️ Nga ana tjetër, – ISP do të donte të kishte më shumë vëmendje ndaj procesit të dekriminalizimit dhe standardeve të integritetit në përfaqësim, për korrupsionin politik dhe ndikimet e grupeve informale (+kriminale) në vendimmarrje, si dhe trendin e personalizimit të institucioneve dhe klientelizmit vendimmarrës, mungesën e standardeve demokratike brenda partive politike dhe qasjen e tyre ekstra-ligjore, deri edhe te rënie e Shqipërisë në standardet e lirisë akademike, – komponentë që mungojnë në raport dhe që janë pjesë e disa raporteve të tjera ndërkombëtare për Shqipërinë.
Gjithsesi, përmes raportit BE (Komisioni) ka bërë një pasqyrim të gjendjes së përgjithshme nga këndvështrimi i Brukselit, – rrallë e më rrallë po ndodh që imazhi që shohim nga brenda është i njëjtë me atë që shihet nga jashtë, dhe anasjelltas, por me rëndësi, – ne kemi sot një dokument vlerësues dhe orientues, i cili ndihmon për të reflektuar dhe ndërtuar roadmap për trajtimin dhe zgjidhjen e një sërë problematikash.
Leximi bardh (qeveria) dhe zi (opozita) nuk sjell dobi, nuk përputhet me realitetin dhe nuk tregon se kemi një elitë politikë të aftë, të maturuar dhe serioze që mund të marrë e realizojë sfida kaq serioze sa thekson thelbi i raportit dhe integrimit.
Mbi të gjitha, në thelbin dhe impaktin e tyre fundor standardet e kërkuara për në BE janë standarde që i janë premtuar periodikisht në çdo zgjedhje qytetarëve, që u duhen/shërbejnë qytetarëve dhe përputhen me pritshmëritë afatgjata të qytetarëve, ndaj edhe nevoja për t’i arritur ato përbën sfidën dhe thelbin e premtimit ende të pa përmbushur për shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.


