Bajraktarizmi i drejtimit të partive tona, si sfidë ndaj ligjit dhe standardeve
Nga Esiona Konomi
Partitë politike në Shqipëri vuajnë rëndë nga mungesa e demokracisë së brendshme, mungesa e forumeve, dhe instrumenteve për të mbajtur nën kontroll drejtuesit. Në partitë tona thuajse nuk votohet për asgjë, dhe kryetarët ngelin të paprekshëm.
“Bajraku” i Edi Ramës
Hera e fundit që socialistët zhvilluan zgjedhje për kryetarin e partisë, ishte viti 2009. Që nga ajo kohë, prej 16 vjetësh, Edi Rama është kryetar partie pa e testuar lidershipin e tij në anëtarësi, duke shkelur statutin e PS-së që përcakton se çdo 4 vjet duhen mbajtur zgjedhje në parti.
Në vitin 2016, deputeti i atëhershëm Ben Blushi, shpalli kandidaturën për kryetar partie, dhe kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve statutore për kryetar. Në vend që të organizonte zgjedhjet, Edi Rama vendosi një standard tjetër: kryetari i partisë vazhdon të shërbejë në krye të partisë pa patur nevojë për t’u zgjedhur, për aq kohë sa ai është kryeministër. Këtë standard Edi Rama e imponoi përmes një referendum në të cilin anëtarët e partisë u pyetën të vendosnin mbi pyetjen:
“Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandate i kryetarit?”
95 për qind e anëtarëve të PS-së votuan pro, duke fshirë kështu çdo lloj gare për kreun e partisë, kur ajo është në pushtet. Që atëherë posti i Edi Ramës në Partinë Socialiste është i padiskutueshëm qoftë edhe sa për fasadë. Në fakt Edi Rama është kryetari që qëndron më gjatë pa u zgjedhur në krye të një partie në gjithë historinë e Shqipërisë, pushtet që e mori 20 vjet më parë.
Askush në parti nuk ka ngritur më zërin për këtë standard të munguar.
Luftërat pa lavdi në PD
Nëse mes socialistëve, mungesa e demokracisë ka prodhuar standardin e heshtjes dhe instalimin e kryetaro-kracisë, në Partinë Demokratike, zhvillimet e 5 vjeçarit të fundit prodhuan se mungesa e rregullave të qarta, anëtarësia fiktive dhe mbivendosja e forumeve, mund të zhytin partitë në krizë të vërteta përfaqësimi, që menjëherë impaktojnë dhe demokracinë e përgjithshme të vendit.
Demokratët zhvilluan një proces zgjedhor në vitin 2013, kur Sali Berisha u tërhoq nga drejtimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve. Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha u përballën me anëtarësinë dhe në fund, Basha mori drejtimin e partisë.
Ketë post Basha e gëzoi deri në vitin 2024, kohë kur përplasjet e brendshme dhe një kalvar absurd juridik, i hoqën atij të drejtat mbi PD-në dhe rikthyen Berishën në krye të partisë.
Por derisa mbërritën në këtë pikë, Basha dhe Berisha, duke shfrytëzuar rregullat e brendshme të paqarta, mungesën e forumeve si dhe një regjistër jo transparent të anëtarësisë, për më shumë se dy vite, e konsideruan të dy veten kryetar të PD-së dhe konkurruan njëri-tjetrin me forume paralele, madje dhe matën forcat në një përplasje të përgjakshme e të dhunshme mes dy palëve për zotërimin e selisë qendrore.
Qartazi Berisha kishte fituar mbështetje drastike nga forumet demokrate, por Basha nuk i njihte ato, dhe me një grusht të vogël njerëzish rreth tij, mbajti për 3 vjet peng vulën dhe logon e PD_së, deri kur në fund të vitit 2024, një gjykatë njohu autoritetin e Berishës si kryetar të demokratëve.
Gjatë fushatës së rikthimit në krye të PD-së, Berisha premtoi se ai do të vendoste në zbatimin “Nenin Basha”, siç e quajti ai nenin statutor, se kur partia humbet, kryetari dorëhiqet.
Por e shkeli vetë këtë nen, menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit, kur nuk u dorëhoq, dhe e anashkaloi përgjegjësinë me argumentin se nuk ishin zgjedhje ato që u humbën, por një masakër/farsë elektorale.
Zërat në PD që kërkuar dorëheqjen apo votëbesimin e tij, ishin inekzistentë.
Pse zgjedhjet në parti janë “A-ja”?
Zgjedhjet e brendshme në parti janë “A-ja” e demokracisë, sepse përbëjnë themelin mbi të cilin ndërtohet një sistem politik i drejtë dhe përfaqësues. Kur drejtuesit e partive zgjidhen në mënyrë të lirë dhe transparente nga anëtarësia, krijohet besim, përgjegjshmëri dhe lidhje e drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Në të kundërt, mungesa e zgjedhjeve dhe e demokracisë së brendshme çon në centralizim të pushtetit, në krijimin e strukturave klienteliste dhe në largimin e njerëzve të rinj, me ide dhe integritet. Kjo situatë i shndërron partitë politike në instrumente personale, të mbyllura ndaj kritikës dhe ndryshimit, duke dëmtuar cilësinë e demokracisë në tërësi. Për këtë arsye, është e domosdoshme një reformë e thellë në legjislacionin për partitë politike në Shqipëri, që të garantojë transparencë në financim, rregulla të detyrueshme për zgjedhjet e brendshme dhe mekanizma kontrolli publik. Vetëm përmes një sistemi partiak të hapur dhe demokratik mund të ndërtohet një demokraci funksionale, ku pushteti vërtet buron nga qytetarët.
Demokracia e brendshme në partitë politike shqiptare mbetet kryesisht formale dhe e kufizuar, shpesh e reduktuar në një proces që legjitimon vendime të marra paraprakisht nga kryetarët. Në praktikë, shumica e partive funksionojnë si struktura vertikale, ku pushteti përqendrohet në duart e një lideri autoritar, ndërsa organet kolegjiale kanë rol dekorativ. Kjo kulturë politike e ndërtuar mbi nënshtrimin dhe lojalitetin, jo mbi meritën dhe idetë, ka penguar zhvillimin e brezave të rinj dhe të mendimit kritik brenda partive. Si pasojë, partitë nuk janë më hapësira të debatit dhe përfaqësimit të vlerave demokratike, por mekanizma kontrolli që shërbejnë për mbijetesën politike të individëve në krye të tyre. Ky realitet tregon se pa një reformë ligjore dhe kulturore që kufizon pushtetin e liderëve dhe garanton konkurrencë të brendshme reale, demokracia në Shqipëri do të vazhdojë të mbetet e deformuar dhe e papjekur.
Zgjedhjet periodike sipas modelit gjerman
Në realitetin politik shqiptar, zgjedhjet periodike janë detyrim statusor dhe standard. Të gjitha partitë shqiptare kanë përcaktuar rregullore statusore ose rregullore të brendshme mbi zgjedhjet periodike, por siç dëshmoi panorama e mësipërme, rrallë ndodh që këto afate të respektohen.
Instituti i Studimeve Politike rekomandon që rregullat për zgjedhje të brendshme në parti, nuk duhen lënë vetëm në aktet e brendshme të partive, por duhen integruar në ligjin për partitë politike.
“Përcaktimi në ligj i detyrimit për zgjedhje periodike, sipas modelit gjerman (detyrimi për të pasur zgjedhje çdo dy vjet si dhe përcaktimi në ligj i procedurave për zgjedhjes së kandidatëve / delegatëve për në Kuvendet Kombëtare të partive), ose modelit në Kosovë (detyrimit për zgjedhje periodike dhe raportim çdo fundviti për datën e zhvillimit të tyre)”,-thotë ISP.
Instituti vlerëson se partitë duhet të lejojnë monitorimin nga një palë e tretë institucioni përgjegjës që mund të jetë KQZ, etj.
Anëtarësia realiste, pse ka vlerë?
Ndonëse është e vështirë të bësh një analizë të anëtarësisë së PS-së pasi debati i fundit për zgjedhjet në parti është bërë para 10 vjetësh, në Partinë Demokratike dekada e fundit ka dëshmuar se anëtarësia ka qenë mollë sherri mes kandidatëve për drejtimin e partisë.
Agron Shehaj dikur rivalizoi Bashën, dhe lista e anëtarësisë nuk ju dha kurrë. Edhe në procese të tjera zgjedhore ka pasur debate se kush janë anëtarët realë të cilët kanë të drejtën e votës në proceset e brendshme.
Për shkak të specifikës shqiptare, valët e emigrimeve periodike, është e vështirë të ketë një listë solide të zgjedhësve me të drejtë vote, të cilët indirekt janë edhe zgjedhës potencial mbështetës dhe anëtarë në partitë politike. Pjesë e fiktivitetit dhe e debatit mbi legjitimitetin është edhe Regjistri i anëtarësisë në partitë politike.
Instituti i Studimeve Politike rekomandon formalizimin e listave në duart e shtetit.
“Regjistër jo publik i anëtarësisë: një numër shtetesh aplikojnë detyrimin që partitë çdo vit të depozitojnë listat e anëtarëve në zyrën përkatëse ku bëhet regjistrimi i partive politike, por aksesi në të dhëna është vetëm i institucioneve ligjzbatuese”,-është një prej alternativave nga ISP.
Ligji aktual për partitë politike nuk mundëson një mekanizëm se si mund të verifikohet anëtarësia e partive.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
https://360grade.al/810707/bajraktarizmi-i-drejtimit-te-partive-tona-si-sfide-ndaj-ligjit-dhe-standardeve/


