“Paratë në politikë janë si uji: gjejnë gjithmonë rrugën për të hyrë, sidomos aty ku ka më shumë çarje”. Kështu do të deklaronte dikur ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në një paralajmërim ogurzi se nuk duhen lejuar çarje kur bie fjala tek financimi i partive politike. Në fakt, paratë janë oksigjeni i korruptimit politik. Po si mund të ndalet ky fluks? Kush duhet ta bëjë kontrollin e financave të partive politike në Shqipëri? Sa i rëndësishëm është auditivi i fondeve? Një sfidë me shumë pikëpyetje.
Një biznesmen i panjohur me një dorë parash të thata kërkon të pastrojë disa fonde. Ai e di që partitë politike janë porta ideale për të “ligjëruar” paratë: një donacion formal, një faturë e dyshimtë, dhe papritur fondet e tij duket sikur janë legale. Ky nuk është një skenar filmash – ky është realiteti që prekin shumë qytetarë shqiptarë: financimi i partive politike është një zonë gri ku paratë e pista mund të gjejnë rrugën drejt buxhetit politik.
Ligji e ka caktuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si organin që duhet të monitorojë këtë financim. Ai harton rregulla, cakton auditorë, mbikëqyr shpenzimet dhe vendos gjoba. Në letër duket si mekanizëm i fortë. Në praktikë, realiteti është krejt ndryshe. KQZ-ja është vetë një organ me natyrë politike. Auditorët shpesh paguhen nga partitë që auditojnë. Shumë raportime janë formale dhe nuk kontrollohen thellësisht. Një qytetar që përpiqet të ndjekë rrjedhën e parave nuk ka rrugë të qartë për ta verifikuar atë. Një raport financiar mund të duket i rregullt, por fsheh donacione të padeklaruara, transaksione të dyshimta dhe shpenzime që nuk shkojnë në sy të publikut. “Dhurimet për partitë politike, kandidatët dhe zyrtarët e zgjedhur nuk duhet të jenë një mënyrë për të fituar favore personale ose politike, ose për të blerë qasje tek politikanët apo administrata publike… Partitë politike, kandidatët dhe politikanët duhet të deklarojnë pasuritë, të ardhurat dhe shpenzimet e tyre tek një agjenci e pavarur”, insiston ‘Transparency International’. Ky citat thekson një problem madhor: kur kontrolli nuk është i pavarur, çdo donacion mund të përdoret për interes privat, jo për politikë të pastër.
Kroacia: një shembull për auditim të vërtetë
Në Kroaci, auditimi i financave politike nuk i besohet një organi politik, por Kontrollit të Lartë të Shtetit, një institucion profesional dhe i pavarur. Auditorët atje verifikojnë çdo donacion, krahasojnë të dhënat me regjistrat tatimorë dhe bankarë, dhe raportojnë çdo shkelje. Publiku ka qasje të plotë në raportet financiare dhe çdo shkelje ka pasoja reale.
“Financimi i partive politike nga fondet publike duhet të bëhet me kushtin që llogaritë e partive politike të jenë subjekt i kontrollit nga organe specifike publike. Shtetet duhet të promovojnë një politikë transparence financiare për partitë politike që përfitojnë financim publik”, thekson Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Evropës
Modeli kroat ka krijuar klimë besimi: qytetarët dinë ku shkojnë paratë dhe nuk mbeten të braktisur nga sistemi. Një qytetar shqiptar që donte të kontribuonte ligjërisht do të përfitonte siguri të ngjashme, por në Shqipëri mungon një mekanizëm i tillë.
Krahasime rajonale dhe evropiane
Shqipëria nuk është e vetme në këtë problem. Në Slloveni, institucionet e pavarura sigurojnë auditim të thelluar dhe raportet janë publike. Në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë, auditimi ekziston, por shpesh është formal dhe i kufizuar. Në Gjermani dhe Holandë, institucionet supreme të auditimit kryejnë kontrolle të thelluara jashtë ndikimit politik. Çdo donacion dhe çdo shpenzim është i gjurmueshëm dhe publik. “Për të siguruar një sistem transparent dhe të drejtë financimi, dhe për të shmangur mundësinë e shmangies së rregullave përkatëse, si financimi i rregullt i partive ashtu edhe financimi i fushatave duhet të trajtohen në mënyrë të njëjtë në ligjet për partitë politike dhe fushatat zgjedhore”, thotë një raport i OSBE dhe Komisionit të Venecias. Kjo tregon qartë: pa auditim të pavarur, transparenca mbetet premtim ligjor – dhe terren ideal për para të dyshimta.
Zona gri e financave shqiptare
Shqipëria ka shumë boshllëqe. Dhurimet në natyrë, aktivitete bamirësie, kontributet e diasporës apo financimet indirekte nga fondacione shpesh nuk kontrollohen. Një ish-punonjës i një partie rrëfen: “Shumë herë kemi parë se si donacione të dyshimta futen në sistem dhe bëhen të ligjshme në letër. Auditorët vijnë, shohin disa dokumente, dhe largohen. Për qytetarët, transparenca është një fjalë bosh.” Kjo tregon se kur kontrolli nuk është i pavarur, çdo gërmim i lehtë zbulon rrjedhje të parave të pista drejt partive politike.
Si mund të bëhet më mirë
Zgjidhja është e qartë: transferimi i përgjegjësisë tek Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Një institucion profesional mund të:
-Kryejë auditime të thelluara dhe të krahasojë çdo donacion me regjistrat tatimorë dhe bankarë.
-Publikojë raportet dhe të vendosë sanksione të zbatueshme.
-Eliminojë konfliktin e interesit, duke mos lejuar që auditorët të paguhen nga partitë.
Në këtë mënyrë, qytetarët nuk do të jenë më spektatorë të parave të pista që përfundojnë në politikë. Kontributet legale do të jenë të gjurmueshme, dhe çdo shkelje do të ketë pasoja reale.
Për qytetarët, ky ndryshim është jetik
Financimi i partive nuk është thjesht çështje ligjore – ai lidhet me besimin në demokraci. Kur qytetarët nuk mund të dinë se ku shkojnë paratë, demokracia humbet pjesë të legjitimitetit.
Auditimi i pavarur nuk është praktikë teknike – është garanci për integritet, llogaridhënie dhe besim. Transferimi i kontrollit nga KQZ tek KLSH do të kthente procesin nga ritual formal në një mekanizëm të vërtetë, ku çdo shkelje ka pasoja dhe çdo fond është i gjurmueshëm.
Një Shqipëri transparente është e mundur
Shqipëria ka mundësinë të zgjedhë një rrugë të qartë: të transferojë auditimin tek KLSH, të eliminojë konfliktin e interesit dhe të bëjë që transparenca të mos mbetet një fjali në letër. Në fund, nuk është thjesht çështje teknike; është çështje qytetarësh, besimi dhe demokracie. Një auditim i pavarur dhe profesional do të ndalonte rrjedhjen e parave të pista, do të rrisë besimin e qytetarëve dhe do të bëjë që demokracia të funksionojë si duhet.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.


