Zgjedhjet vendore 2023 janë procesi i parë zgjedhor pas nisjes së bisedimeve të Shqipërisë me BE lidhur me anëtarësimin. Ato ishin një test maturie dhe testimi mbi aftësinë e Shqipërisë për të jetësuar zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për të balancuar përfaqësimin politik dëmtuar pas bojkotit të qeverisjes vendore nga opozita në zgjedhjet e vitit 2019. Zgjedhjet janë edhe një test paraprak politik për qeverinë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, si dhe një test personal për dy grupet rivale ne PD në përpjekjet për të marrë drejtimin e opozitës.
Zgjedhjet do të duhej të kishin fokus llogaridhënien në nivelin lokal (më shumë se 70% e kryetarëve rikandiduan ose erdhën nga poste të larta ekzekutive), të adresonin problematika lokale dhe të ofron rrugëzgjidhje për to, për decentralizimin dhe për reformën territoriale, debati mbi të cilin u mbyll në parlament në dhjetor 2022 për të vijuar në shtatorin e ardhshëm në kuadër të reformës së re zgjedhore.
Zgjedhjet nuk jetësuan shumicën e rekomandimeve të ODIHR/OSBE dhe komisioni i reformës nuk pati rezultat konkret, ndërkohë që fushata mori karakterin e fushatës politike kombëtare.
Pritshmëritë postzgjedhore
Periudha postzgjedhore nuk pritet të ketë zhvillime të rëndësishme politike. Palët politike do të kenë adresime në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, por janë të vetëdijshëm se nuk presin ndonjë vendimmarrje që të ketë pasojë në rezultatet e zgjedhjeve. Ankimimet do të shërbejnë për të fituar kohë, për të ri-reshtuar mbështetësit në parti dhe ndikimet në media e jetën publike, por në tërësi, asnjë politikan i rëndësishëm nuk pritet të japë dorëheqje dhe as të pranojë përgjegjësinë për humbjen apo defektet e procesit zgjedhor.
- Qeveria e kryeministrit Rama ndjehet komod me konfirmimin e saj absolut në zgjedhje dhe kursi i saj i personalizimit të pushtetit, qeverisjes pa përfshirje të opozitës dhe fokusimi tek zgjedhjet parlamentare 2025, mbetet i pandryshuar. PS në mandatin e tretë në qeveri nuk ka mundësi reale, vullnet dhe as potenciale njerëzore për të kryer reforma të mëdha, pra për të reformuar edhe vetveten dhe vendimmarrjet në dy mandatet e para. Ajo thjesht po konsumon pushtet dhe do të vijojë ta bëjë këtë e pashqetësuar derisa sistemi i saj i patronazhizmit në zgjedhje mbetet funksional dhe kriza e opozitës i krijon asaj hapësirë të gjerë veprimi.
- Proceset hetimore ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë hetimet për ministra, deputetë apo ish zv/kryeministrin, nuk pritet të kenë ndikim: disa kryebashkiakë nën hetim nga SPAK u konfirmuan në zgjedhje dhe se tradita e zgjatjes shumëvjeçare të hetimeve të bujshme pritet të shoqërojë edhe mandatin aktual të mazhorancës së majtë. Mungesa e kontrollit kushtetues, e balancës politike, e presionit nga brenda dhe e alternativës zgjedhore ka krijuar një mjedis pengues për demokracinë brenda PS, ka forcuar sjelljen arrogante dhe ka inkurajuar praktikat abuzive me pushtetin. PS fitoi Shkodrën, kryeqendrën historike të opozitës, falë këtij sistemi dhe koalicionit me dy biznesmenë me ndikim lokal, një tregues se parimi “qëllimi justifikon mjetin” vijon të jetë popullor dhe i suksesshëm në PS.
- I vetmi zhvillim i pritshëm në PS është përpjekja e disa politikanëve për tyë fituar më shumë peshë politike në parti dhe në publik për periudhën postRama. Rivaliteti i tyre personal është shumë i ashpër, por interesi për të mbetur në pushtet dhe drejtimi i personalizuar i E.Ramës pamundëson shndërrimin e rivalitetit të brendshëm në krizë politike për qeverinë dhe për PS-në.
- PD e drejtuar nga Alibeaj konfirmoi dështimin e saj për të ruajtur një strukturë funksionale dhe pafuqinë për të konkurruar pjesën tjetër të drejtuar nga ish kryeministri Berisha. Alibeaj do të ndodhet nën presion nga deputetët mbështetës për të dhënë dorëheqje, por grupi mbështetës i linjës (përfshirë Basha) do të përpiqet të mbajë të paprekur fraksionin (PD zyrtare), pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në krye të tyre. Berisha do të përdor prezencën parlamentare për të rikthyer konfliktualitetin dhe retorikën personale politike, pasi radikalizmi nuk lejon debate moderatore në parti, pa pasur ndonjë objektiv të qartë dhe as ndonjë rezultat pozitiv.
- PD e drejtuar nga Berisha, nuk pritet të ketë dorëheqja apo reflektime: dy figurat më të rëndësishme me potencial zëvendësues humbën mandatin parlamentare dhe garën për bashkinë, pra mbeten jashtë politikës aktive. Asnjë figurë tjetër e rëndësishme në këtë fraksion nuk ka forcë dhe pretendime për të iniciuar një debat të brendshëm reflektimi. Shumica e mbështetësve të Berishës do të vijojnë të mbeten të tillë, me shpresën të bëhen pjesë e listës së tij elektorale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023.
- Partia e Lirisë i mbijetoi zgjedhjeve duke marrë një numër të konsiderueshëm këshilltarësh sidomos në qytetet e mëdha, me një kosto financiare minimale. Ajo mbetet pjesë e koalicionit të opozitës ndonëse do të duhet të heqë dorë nga pretendimet maksimale, duke krijuar një bazë lokale më aktive në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
- Partitë e vogla, përfshirë partitë e reja (rasti Thurje apo Levizja Bashke) do ta kenë të pamundur të zgjerojnë aktivitetin dhe ndikimin e tyre, kryesisht për shkak të kalimit të vëmendjes tek partitë e mëdha, administrimi politik i zgjedhjeve dhe interesi i medias për të ruajtur status-quon me partitë e mëdha & liderit e vjetë
- SPAK ka pasur pritshmëri të mëdha lidhur me hetimet VIP, përfshirë krimet zgjedhore, por disa raste të ndalimeve dhe denoncimeve në fushatë dhe në procesin 4 mujor ende nuk kanë krijuar bindjen se drejtësia e re kërkon të krijojë një standard të ri mbi krimet zgjedhore. Përballë një pushteti të njësuar dhe solid qendror e vendor SPAK dh drejtësia e re mbeten nën presion të madh dhe mungesë vullneti për ndërhyrje e ndryshime radikale. Për këtë arsye roli i SHBA dhe BE mbetet thelbësor, – vetëm hetimet VIP, përfshirë krimet zgjedhore dhe korrupsionin, mund të çojnë në nisjen e reformimit të sistemit
- KQZ do të jetë nën presion për shkak të defekteve sidomos ditën e zgjedhjeve, por gjithsesi reforma e re elektorale nis në shtator-tetor dhe me siguri do të marrë më shumë se një vit kohë deri në arritjen e ndonjë kompromisi të mundshëm. Për pasojë, KQZ mbetet thuajse e paprekur, me të vetmen zgjidhje ndryshimin e ekipit drejtues në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
- Administrimi politik i zgjedhjeve dhe natyra bipartiake e reformave zgjedhore mbeten edhe më tej zgjidhje optimale si për qeverinë ashtu edhe për opozitën. Asnjëra palë nuk ka interes për reforma serioze dhe të thella zgjedhore dhe as për heqjen dorë nga kontrolli i dyfishtë partiak, sidomos pas rritjes së ndjeshme të votuesve bojkotues ose kundër dy palëve.
- Sistemi i patronazhizmit të brendshëm dhe problemet me pajisjet elektronike në zgjedhjet e të dielës i dhanë një goditje të dukshme pritshmërive se Shqipëria do të aplikojë më 2025 votimin edhe për diasporën e saj në botë (rreth 47% e votuesve aktivë me të drejtë vote). Asnjëra nga partitë e mëdha nuk pritet ta mbështetëse më votën e diasporës dhe vetë KQZ nuk pritet të japë garanci teknike për jetësimin e saj.
Raporti i plote mund te jete i aksesueshem pas kontaktimit ne emailin zyrtar te ISP [email protected].