Ligji i dekriminalizimit, i miratuar në vitin 2015 në Kuvendin e Shqipërisë si një nismë e Opozitës së përfaqësuar nga PD dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, synonte të adresonte çështjen e kriminalitetit në politikë duke larguar individët me të dhëna kriminale nga detyrat publike. Marrëdhëniet midis krimit dhe politikës nuk ishin asgjë e re për Shqipërinë në vitin 2015, por një seri ngjarjesh brutale që ndodhën edhe në brendësi të ambienteve të Kuvendit evidentuan se kriminelë me një të shkuar të rëndë penale kishin arritur të ktheheshin në përfaqësues të lartë. Në Shqipëri ishte zbatuar një skenar kolumbian dhe tanimë krimi i organizuar jo vetëm bashkëpunonte me pushtetin politik por e kishte infiltruar atë duke veshur kostumin e deputetit. Një reagim ligjor ishte kthyer në pashmangshmëri.
Në këtë mënyrë, ligji i dekriminalizimit u prezantua si përgjigje ndaj shqetësimeve lidhur me infiltrimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në politikën shqiptare. Synimi ishte të përmirësohej integriteti i detyrave publike duke diskualifikuar individët me lidhje me veprimtari kriminale. Sipas një raportimi të përpiluar në vitin 2020 nga Instituti për Studime Politike, pesë deputetë humbën postet e tyre dhe mbi 150 zyrtarë të niveleve të larta dhe të mesme humbën vendet e tyre të punës si pasojë e ligjit.
Rreth 200 këshilltarë lokalë dhe rreth 500 zyrtarë të ndryshëm kanë humbur të drejtën e ushtrimit të detyrës si pasojë e dënimeve penale, përfshirë katër kryetarë bashkish dhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Deri në vitin 2021, numri i përgjithshëm i deputetëve dhe të zgjedhurve vendorë që janë përjashtuar nga detyra është raportuar të jetë më shumë se 30. Kjo përfshin deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkish, anëtarë të këshillave vendorë dhe të tjerë që kanë qenë në pozicione publike.
Por edhe pse u prezantua me bujë dhe u prit me mjaft shpresë, Ligji i Dekriminalizimit nuk ka prodhuar një politikë të ndarë nga krimi dhe as nuk ka rritur në mënyrë të ndjeshme besimin e publikut tek pastërtia dhe ndershmëria e të zgjedhurve. Në këtë aspekt mund të thuhet se Ligji i Dekriminalizimit ka dështuar të përmbushë të gjitha pritshmëritë që ka mbartur, edhe pse është e pamohueshme se filtrat nëpër të cilët duhet të kalohet për të mbajtur një detyrë publike janë bërë më të imët. Po përse, 8 vjet nga miratimi I këtij ligji ka ende zyrtarë, të emëruar apo të zgjedhur që tentojnë ta mundin atë për tu bërë pjesë e institucioneve publike? Si të shpjegojmë që “frika nuk e ruan vreshtin?”
Shqipëria ka hasur sfida të mëdha në lidhje me kriminalitetin në politikë. Në shumë raste, politikanët kanë pasur lidhje të ngushta me organizatat e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Ligji i dekriminalizimit u përpoq të adresonte këtë problem duke i larguar individët me të dhëna kriminale nga detyrat publike. Megjithatë, për shkak të shkallës së gjerë të kriminalitetit në politikë, ky proces ka qenë sfidues dhe i gjatë. Aktorë të caktuar politikë kanë gjetur mënyra për të anashkaluar qëllimin e ligjit duke përdorur si proxy persona të tretë për të ruajtur një vend në tryezën e ligjvënësve në mënyrë që të ruajnë ndikimin dhe përfitimet financiare që rezervon të qenit pranë vendimmarrjes.
Ligji i dekriminalizimit dhe zbatimi i tij janë përballur me kritika që argumentojnë se procesi i vlerësimit ka qenë i ngadalë dhe i papërshtatshëm, me shqetësime rreth shpejtësisë dhe transparencës së vendimeve. Një sfidë kyçe ishte numri i madh i zyrtarëve publikë që kishin nevojë për të kaluar nëpër procesin e vlerësimit. Madhësia e kësaj detyre solli vështirësi logjistike dhe vonesa në zbatim. Ndërkohë, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është përballur edhe me vështirësi logjistike. Numri i madh i zyrtarëve publikë që duhet të kalonin nëpër procesin e vlerësimit ka krijuar një barrë të madhe administrative dhe organizative. Kjo ka çuar në vonesa dhe ka shtyrë procesin e pastrimit të politikës. Pavarësisht sfidave, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit ka bërë progres të konsiderueshëm duke rishikuar me sukses historitë e shumë zyrtarëve publikë e duke çuar në largimin e mjaft individëve me të shkuar kriminale nga detyrat publike.
Ligji ka shkaktuar përplasje politike dhe debate të ndryshme. Disa politikanë kanë kundërshtuar zbatimin e ligjit ose kanë përdorur strategji për të shmangur vlerësimin e tyre. Këto situate kanë krijuar tensione politike dhe ka ulur efektivitetin e ligjit. Një sfidë tjetër në pastrimin e politikës është rrjetëzimi i korrupsionit dhe mungesa e bashkëpunimit nga individët e korruptuar dhe grupet e interesave. Thelbi i problemit mbetet fakti që partitë politike bëhen shpesh burim korrupsioni dhe jo organizime që e luftojnë atë.
Politika ka pasur një ndikim të rëndësishëm dhe shpesh herë negativ në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në vendin tonë. Në disa raste, politikanët kanë përdorur pozitat e tyre, paratë dhe mjetet politike për të penguar vlerësimin e tyre nëpërmjet procesit të dekriminalizimit. Disa politikanë që janë prekur nga ligji i dekriminalizimit kanë përdorur resistencë politike për të penguar vlerësimin e tyre. Ata kanë shtuar ndikimin e tyre në institucionet shtetërore për të zvarritur dhe sfiduar procesin e dekriminalizimit.
Politikanët me lidhje të dyshimta me korrupsionin dhe organizatat e krimit kanë mundur të përdorin marrëdhëniet e tyre të korruptuara për të shmangur zbatimin e ligjit. Ata kanë lidhje me grupe që kanë interes të përfitojnë nga prania e tyre në politikë dhe përdorin marrëveshje të fshehta për t’i mbrojtur interesat e tyre.
Të tjerë politikanë të prekur nga ligji i dekriminalizimit kanë përdorur strategji legale dhe kanë sfiduar procesin në gjykatë. Ata mund të kenë përdorur rregulla juridike për të anuluar vendimet dhe për të vonuar ose penguar heqjen e tyre nga detyrat publike. Disa politikanë kanë ushtruar ndikim në institucionet e drejtësisë për të ndërhyrë në procesin e dekriminalizimit. Kjo ka marrë formën e trysnisë mbi gjyqtarët dhe prokurorët për të favorizuar politikanët e prekur nga ligji.
Ky ndikim politik në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit ka krijuar pengesa dhe ka zvogëluar besimin e publikut në procesin e pastrimit të politikës. Për të arritur një rezultat të suksesshëm, është e nevojshme të përmirësohet pavarësia, integriteti dhe profesionalizmi i institucioneve shtetërore, duke i shmangur ndikimet politike dhe korruptive. Mbi të gjitha nevojitet ripërtërimi i politikës përmes prurjeve të reja dhe njerëzve me integritet çka do të shtynte, përmes një vullneti të ri, zbatimin e rreptë të ligjit.
Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.