Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) me mbështetjen e fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) ka bërë monitorimin e pjesshëm të aktivitetit parlamentar gjatë periudhës janar-maj 2017. Monitorimi përfshin aktivin e deputetëve në seancë dhe në komisione, aktivitetin e Kuvendit, treguesit e transparencës dhe problematikat që lidhen me rolin e Kuvendit dhe mirëfunksionimin e tij. Raporti paraprak me gjetjet i është përcjellë zyrtarisht më 11.6.2017 Kuvendit të Shqipërisë dhe përmes tij, grupeve parlamentare. ISP do të vijojë monitorimin e Kuvendit edhe për periudhën vijuese shtator 2017-shtator 2020 me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Raporti konstatoi se Kuvendi i Shqipërisë përmbylli një legjislaturë kontraverse: me rezultate pozitive në reformën në drejtësi dhe disa reforma të tjera, por me problematika të mëdha shqetësuese në lidhje me dekriminalizimin, përbërjen, gjuhën e ashpër politike, bojkotin politik dhe arrogancën ndaj mendimit kritik. Në tërësi, parlamenti vijon ende të jetë larg nevojave dhe pritshmërive qytetare, i dominuar nga axhenda afatshkurtra partizane dhe me produkte minimale ligjore dhe me ende larg përgjegjësive kushtetuese në sistemin politik. Gjatë vitit 2017 Kuvendi vuajti nga bojkoti politik, si dhe reflektoi hendekun e madh midis një pakice deputetësh aktiv e profesionist me shumicën jo profesionale dhe inaktive.
Raporti citon raste të konfliktit të interesit midis deputetëve dhe rolit të tyre në miratimin e ligjeve, raste të shkeljes së rregullores dhe statusit të deputetit, evidenton nominalisht problematikat dhe bilancin për seancat dhe cdo komision parlamentar, kontaston se disa prej deputetëve më aktiv e cilësorë nuk janë rizgjedhur më 2017 dhe ata më inaktivët kanë siguruar mandat tjetër parlamentar, – kryesisht për shkak të mungesës së sistemit të meritës brenda partive politike. Disa praktika të rëndësishme, si emërimet apo zgjedhjet në institucione kushtetuese e ligjore me burim parlamentin, kanë treguar devijim nga parimet e transparencës dhe normës kushtetuese, si dhe pafuqi e Kuvendit për të përmbushur detyrën kushtetuese.
Raporti vlerëson programin e Kuvendit në drejtim të transparencë, thekson se aksesi online ka ndikim pozitiv në transparencë, por shpreh nevojën që Kuvendi të investohet për standarde të krahasueshme me vendet e BE-së, të fokusohet në cilësinë e përfaqësimit e të ligjeve, të zgjerojë bazën e konsultimeve publike dhe të investojë nga buxheti i tij për edukim më të madh ligjor e demokratik të deputetëve si dhe për botime serioze parlamentare.
Kuvendi nuk ka miratuar ende Kodin e Etikës, si dhe legjislacioni bazë (Statuti i deputetit e Rregullorja e Kuvendit) meritojnë përmirësime, për të rritur cilësinë, transparencën dhe llogaridhënien e institucionit dhe të deputetëve përpara qytetarëve. Rasti i privilegjimit diplomatik për ish deputetët e larguar me ligjin e dekriminalizimit, rasti i pengimit për të publikuar përfitimet e detajuara financare të deputetëve, apo rasti i ankesës nga vetë deputetët për kapacitetet e kufizuara të ekspertizës që iu ofrohet nga Kuvendi, meritojnë vemendje e vlerësim emergjent.
ISP do të realizojë brenda muajit shtator 2017 një database online me të dhënat e detajuara të cdo deputeti dhe aktivitetit të tij, shoqëruar me një aplikacion online me akeses të lirë për cdo qytetar, si pjesë e angazhimit për rritjen e transparencës, të forcimit të besimit publik dhe të investimit në një sistem përfaqësues llogaridhënës e më përfaqësues.
ISP falenderon drejtuesit e Kuvendit për komunikimin zyrtar, si dhe në vecanti, një numër deputetësh që kanë mirëpritur dhe ofruar sugjerime mbi gjetjet e raporteve tona, duke e konsideruar procesin përfshirës dhe me interes të shumëfishtë, institucional e publik.
Stafi realizues i programit të monitorimit të Kuvendit përbëhet nga staf i ISP, me formim shkencat juridike dhe politike, si dhe drejtohet nga Profesor Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.
Prezantimi i gjetjeve të raportit të monitorimit të ISP u bë në Tiranë, 6 korrik 2017, me prezencën e deputetëve V.Hysi (PS), A.Vokshi dhe Dh.Çupi (PD), ish deputetëve (Oketa, Gumi, etj), ekspertë të njohur të ligjit dhe marrëdhënieve publike, përfaqësues nga ISP dhe FES, si dhe nën moderimin e gazetës së njohur Ilva Tare. Raporti i monitorimit do jetë online në faqen zyrtare të ISP, kurse raporti i detajuar dhe i përshtatur do të publikohet në formë broshure nga ana e Institutit të Studimeve Politike dhe donatorit Fondacionit Friedrich Ebert.