Procesi për zgjedhjet vendore 2023 ka vijuar me një numër të madh ankimimesh dhe me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Rrogozhinë. Nga të dhënat e hetimeve administrative në KQZ janë konstatur raste nominale kur komisionerë, individë apo zyrtarë zgjedhorë:
kanë kryer shkelje të ligjit lidhur me abuzimet me burimet publike
kanë kryer shkelje të ligjit lidhur me votimin në burgje/institucionet e veçanta
kanë kryer shkelje të ligjit në procesin e numërimit të votave
kanë kryer shkelje të ligjit në procesin e administrimit të votave/dokumentacionit
kanë kryer shkelje të ligjit lidhur me reklamat në fushatën zgjedhore.
Kodi Zgjedhor, Kodi Penal, legjislacioni mbi nëpunësit civilë dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që lidhen me zgjedhjet përcaktojnë përgjegjësi ligjore në raste të tilla të provuara.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) nxit partitë politike që, bazuar në aktet e tyre të brendshme rregullatore dhe etike, të mbajnë premtimin për distancim nga individët, zyrtarët dhe përfaqësuesit e tyre që kanë shkelur ligjin, si dhe i kërkon institucioneve respektive ekzekutive marrjen e masave ligjore për të gjithë zyrtarët që janë gjetur në shkelje të ligjit.
Kjo video informuese realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmerisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.