30 vjet pas ndryshimit të sistemit politik shoqëria shqiptare ende përballet me sfidën e ndarjes së drejtë me të kaluarën, mungesën e dialogut social e publik ndaj saj dhe nevojën e madhe për trajtim profesional të jetës, shtetit e shoqërisë në vitet 1945-1990. Për brezat e vjetër dialogu mbi të kaluarën ka qenë e mbetet mit bardh e zi, por për brezin e ri ai duhet të jetë një cilësi e sjelljes, mendimit dhe formimit demokratik. Përballja me të kaluarën përmes memories dhe dialogut është nisma më e re e Institutit të Studimeve Politike mbështetur nga programi Transition i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë.
Në vijim të aktiviteteve të ndërmarra në disa shkolla të mesme të 12 bashki, stafi i ISP ishte sot në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, në një bashkëbisedim intensiv dhe mjaft pozitiv me përfaqësues të nxënësve të klasave X, XI dhe XII të kësaj shkolle.
Pjesëmarrës e folës në takim ishin zv/kryetarja e Misionit të RÇ në Tiranë Monika Kazdova, drejtuesi i ISP Afrim Krasniqi, gazetarja Anila Basha si dhe kuratori i Muzeut të Memories Migen Qiraxhi. Në ndërhyrjet e tyre ata sollën përvoja shoqërore e personale, krahasime midis vendeve ish komuniste dhe vlerësime të harmonizuara mbi memorien dhe nevojën e trajtimit të saj shumëdimensional.
Nxënësit pjesëmarrës parashtruan mendimet e vlerësimet e tyre mbi perceptimin dhe raportin tonë me të kaluarën. Përmes pyetjeve, komenteve dhe ndjesive personale ata sollën detaje e këndvështrime interesante rreth trashëgimisë së saj dhe mënyrës sesi ajo trajtohet nga tekstet mësimore, si dhe dëshmuan pasion, seriozitet e përgjegjshmëri në debatin mbi sfidat e brezave të sotme dhe nevojës për të reflektuar si shoqëri ndaj gabimeve të së kaluarës e të tranzicionit.