Gjatë periudhës mars-qershor 2020 Shqipëria u përball me sfidën e COVID-19. Më 11 mars 2020 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nxori urdhrin 156/2 “Për shpalljen e gjendjes së epidemisë” dhe më 23 mars Këshilli i Ministrave shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila vijoi deri më 23.06.2020. Situata e krijuar ishte e pashembullt për Shqipërinë dhe për funksionimin e institucioneve të shtetit. Kuvendi i Shqipërisë nuk i ka ndërprerë punimet në periudhën e trazirave 1997 dhe në asnjë prej periudhave të tjera të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësisë natyrore, etj. Në aspektin kushtetues dhe ligjor gjatë periudhës 11-23 mars të gjitha institucionet, shteti e shoqëria vepruan në kuadër të urdhrave dhe direktivave të nxjerra nga pushteti ekzekutiv, ndërsa midis 23 marsit dhe 23 qershorit aktiviteti i institucioneve, përfshirë parlamentin, u rregullua përmes akteve rregullatore të vetë institucioneve dhe akteve normative të qeverisë.
Kuvendi i Shqipërisë është institucioni kryesor vendimmarrës kushtetues. Ai vepron mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, të cilat përcaktojnë të gjithë mekanizmat e punës, elementët e transparencës dhe të vendimmarrjes, si dhe impaktin e tyre financiar, administrativ dhe politik. Kuvendi ka rol thelbësor dhe të pazëvendësueshëm jo vetëm në jetën politike të vendit, por edhe në ushtrimin e kompetencave kushtetuese në raport me procesin ligjvënës, rolin kontrollues ndaj pushtetit ekzekutiv, si dhe të transparencës e përfaqësimit. Nevoja që Kuvendi të jetë funksional është prioritare.
COVID-19 imponoi një model të ri të aktivitetit të institucioneve përfaqësuese, ku parlamenti ka rolin dhe vëmendjen kryesore. Instituti i Studimeve Politike (ISP) monitoroi standardet e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën e COVID-19. Projekti përmbledh periudhën 15 mars – 31 korrik 2020 dhe mundësohet nga Ndihma Amerikane për Demokraci NED (National Endowment for Democracy) në kuadër të programit rajonal në Evropën Juglindore “Forcimi i integritetit dhe pavarësisë institucionale në parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, i mbështetur institucionalisht nga NDI (National Democratic Institute for International Affairs) në Tiranë. Qëllimi i projektit ishte monitorimi aktiv i vendimmarrjeve, mbledhjeve, seancave, ligjeve dhe akteve të tjera në të gjithë periudhën e emergjencës, si një përvojë e re dhe e veçantë e aktivitetit parlamentar në Shqipëri. ISP paraqiti më 30 maj raportin e parë monitorues. Ky është raporti final që përmbledh të gjithë periudhën e monitorimit, mars-korrik 2020.
Monitorimi i Kuvendit në periudhën e COVID-19 nxori në pah vështirësitë e mëdha, me të cilat u përball institucioni në ushtrimin e aktivitetit dhe përgjegjësive kushtetuese. Vendimi për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve në sistemin online, me gjithë vështirësitë, u lejoi deputetëve të zhvillojnë debat politik dhe publik, pavarësisht vendndodhjes së tyre, nëpërmjet mjeteve të komunikimit online. Nga ana tjetër, stafi teknik përgatitor dhe administrativ i Kuvendit, përfshirë stafi teknik i sektorit të teknologjisë dhe informacionit, ai i ndjekjes së punës së komisioneve dhe seancave plenare, i trajtimit administrativ të dokumentacionit dhe akteve të Kuvendit, etj., u ndodh në një situatë shumë më të vështirë dhe në kontrast me përcaktimet ligjore: aktet normative kufizuan përgjegjësitë e daljes në punë të nëpunësve civilë, si dhe sugjeruan zhvillimin nga banesa të aktiviteteve të mundshme të administratës publike. Nga ana tjetër, legjislacioni mbi parlamentin dhe praktikat e punës aty kërkonin asistim teknik dhe administrativ të vazhdueshëm të punës në komisione, në seancat plenare dhe në aktivitetet e tjera parlamentare.
Monitorimi ka tentuar të bëjë ndarje të gjetjeve dhe vlerësimeve për treguesit politikë të Kuvendit (vendimmarrja politike, axhenda politike, deklaratat dhe nismat politike, sjellja politike, etj) dhe treguesit administrativë (puna e stafit administrativ, sistemi online, publikimi i të dhënave, sistemi i transparencës publike, asistenca ndaj komisioneve dhe deputetëve, etj.). Diferenca midis dy elementëve përbërës të Kuvendit reflektohet në të gjitha etapat dhe në të gjithë elementët e monitorimit. Raporti pasqyron aktivitetin parlamentar nën masat kufizuese të COVID-19 nga perspektiva e shoqërisë civile, duke përfshirë ndryshimet në bazën ligjore, sfidat në ushtrimin e funksionit ligjvënës, kufizimet në ushtrimin e funksionit kontrollues, dhe përpjekjet për të ruajtur standardet e transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare. Raporti ka për qëllim të mbajë publikun të informuar rreth punës së Kuvendit dhe të mbështesë aktivitetin e Kuvendit në përpjekjet për të ushtruar me efikasitet funksionet kushtetuese.
Raporti i plote mund te lexohet & shkarkohet ketu: