Më 4 gusht votohet për kryetar bashkie në Himarë për zgjedhjet e pjesshme, pas vendimit gjyqësor që dënoi për korrupsion elektoral ish kryetarin e zgjedhur të kësaj bashkie, Alfred Beleri (PD, PBDNJ+). Kjo bashki nuk zë peshë të rëndësishme në hierarkinë dhe strukturën e qeverisjes vendore në Shqipëri, por për shkak të pretendimeve dhe debatit politik midis Shqipërisë e Greqisë, si dhe interesit strategjik të disa prej oligarkëve e zyrtarëve kryesorë në vend për investime turistike, bashkia ka marrë vlerë të veçantë dhe zhvillimet aty kanë interes të dyfishtë.
Në zgjedhjet e kaluara vendore (2023) kandidati fitues u arrestua 48 orë përpara votimit, duke u bërë kandidati i vetëm në historinë e zgjedhjeve shqiptare që zgjidhet kryetar bashkie duke qenë në arrest në burg. Procesi ndaj Belerit u bë i komplikuar kur qeveria vendosi të emërojë si ushtrues detyre kryetarin që humbi zgjedhjet, një figurë e rëndësishme politike lokale e Partisë Socialiste, – një akt që bie ndesh me parimet demokratike, sipas të cilave kandidati humbës nuk mund të ishte edhe drejtues tej mandatit ligjor. Drejtimi i tij vijoi derisa ushtruesi i detyrës u arrestua për korrupsion nga SPAK dhe tashmë është në proces gjykimi. Pas tij PS emëroi dy kryetarë të tjerë bashkie (ushtrues detyre), njëri prej të cilëve dha dorëheqje, tjetri vijon detyrën por duke qenë njëherësh në proces hetimi për korrupsion nga SPAK.
Nga ana tjetër, kandidati fitues Alfred Beleri nuk u lejua të bëjë betimin dhe as të marrë pjesë në aktivitetet pasuese të zgjedhjes në krye të bashkisë, praktikë që i njëjti sistem administrativ (DPB) nuk e aplikoi në rastin kur i njëjti person u zgjodh deputet në parlamentin Europian në emër të “Demokracisë së Re” në Greqi. Ai u lejua të udhëtojë në seancën inauguruese në Strasburg, ndërkohë nuk u lejua të marrë pjesë në asnjë nga seancat, përfshirë atë inauguruese në Himarë. Një kandidat me rekorde kritike dhe në kontrast me dekriminalizimin, i ndaluar nga KQZ në një proces tjetër zgjedhor të kandidonte, por më 2023 i lejuar nga një KQZ i ri, – Beleri u bë pjesë e lojës dhe krizës politike afatshkurtër midis Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë që me të drejtë u krijua gjerësisht perceptimi se ndaj tij kishte cenime së të drejtave të njeriut. Procesi ndaj tij mori më shumë se një vit kohë duke aplikuar masat më ekstreme ligjore, tashmë i dënuar, KQZ vendosi heqjen e mandatit të tij.
Historia e zgjedhjeve në Himarë është specifike edhe në një këndvështrim tjetër: referuar të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), prej vitit 2000 zgjedhjet aty kanë qenë kryesisht produkt i raporteve politike midis PS dhe PD. Në vitin 2000 dy palët u bashkuan kundër kandidatit Bollano, një figurë lokale ekstremiste, duke e mundur atë me rezultat të thellë. Megjithatë më 2003 dhe 2007 i njëjti kandidat, Bollano, tashmë me përkrahjen fillimisht të PS dhe më pas të PD, siguroi mandate drejtimi. Pas tij ishte Jorgo Goro (PS), kandidati më me shumë gara elektorale në këtë bashki, që siguroi tre mandate radhazi, të fundit (2019) pa kandidatë rivalë, duke qenë i vetëm në fletën e votimit. Të katër drejtuesit e viteve 2000-2024 (Mato, Bollano, Goro e Beleri) janë arrestuar, hetuar ose dënuar për vepra të ndryshme penale (korrupsion apo vepra të tjera penale), numër rekord për drejtimin e një bashkie në Shqipëri.
Aktualisht zgjedhjet janë midis dy blloqeve kryesore politike, me kandidatë të “importuar”, Tavo nga Gjirokastra (PS+) dhe Gjikuria nga SHBA (PD+). Shqipëria nuk ka një sistem vendor si shumica e vendeve të Europës Lindore, ku vendi vakant i kryetarit të bashkisë ushtrohet nga këshilltari më i votuar i partisë së tij përkatëse, por në çdo rast ne aplikojmë zgjedhje të reja, të cilat kanë kosto të lartë financiare dhe në të shumtën e rasteve marrin vëmendje maksimale politike dhe passjellin debate politike për vendin.
Gjithsesi zgjedhjet e 4 gushtit, të vetmet prej disa dekadash në Shqipëri në kulmin e sesionit turistik, kanë vlerë simbolike, kryesisht për të testuar aftësinë e Shqipërisë për zgjedhje, interesin lokal për pjesëmarrje dhe maturimin e palëve për rikthimin në normalitet të një prej bashkive më atraktive në aspektin e potencialit turistik. Pavarësisht nga rezultati, me zgjedhjet nuk pritet të mbyllet debati dhe aq keqpërdorimi (brenda e jashtë vendit), të cilat janë në interes të palëve të vijojnë së paku deri pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, ndërkohë që mbetet e dukshme se jetësimi i koncepteve të qeverisës së mirë, transparencës dhe llogaridhënies në këtë bashki do të kërkojë periudhë shumë më të gjatë kohore.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)