Në dhjetor 2021 ripërtërihen mandatet për pesë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLGJ). Tre prej anëtarëve do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, dy të tjerët do të jenë kandidatë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë.
Në zbatim të ligjit 115/2016 Kuvendi më 22 korrik ka shpallur thirrjen për katër vendet vakante. Gjykata e Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm në korrik 2021 kanë publikuar thirrjen për vendet vakante. Kuvendi i është referuar afatit ligjor për kandidatët (11 gusht), kurse GJL dhe PP i janë referuar datës 3 shtator 2021, duke marrë në konsideratë periudhën e pushimeve vjetore në muajin gusht. Debati mbi afatet dhe periudha e pushimeve ngre shqetësim mbi kohën dhe mundësinë në dispozicion për kandidim. Nga verifikimet e ISP rezulton se jo të gjitha njësitë e drejtësisë në universitete janë përfshirë në lajmërim dhe se pjesa më e madhe e universiteteve / fakulteteve të drejtësisë nuk e kanë publikuar thirrjen, sipas ligjit.
Mandatet aktuale ishin produkt i një procesi të gjatë dhe kompleks, të diktuar nga vonesa në afate dhe mungesë të interesit nga kandidatët cilësorë. Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj më 2021 është rast i mirë për të dëshmuar se është reflektuar nga problematikat e kaluara dhe se institucionet përgjegjëse kanë kapacitetet dhe maturinë e jetësimit cilësor të tij.
Zgjedhjet e reja në KLGJ dhe KLP duhet të jenë produkt i një procesi sa më konkurrues, cilësor, efektiv, transparent dhe të besueshëm.
Koha është tani!
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke zbatuar projektin “Reforma: për një ritëm cilësor. Monitorim, sensibilizim dhe asistencë” mbështetur nga programi i shtetit të së drejtës të fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.