ISP zhvilloi në dy periudha të ndryshme anketim online me qytetarë lidhur me perceptimin e tyre mbi problematikat e jetësimit të ligjit të dekriminalizimit dhe standardeve të integritetit të personave të emëruar/zgjedhur në poste publike/politike në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.
Anketimi i parë u bë në fazën parazgjedhore dhe anketimi i dytë në fazën paszgjedhore. Ato u zhvilluan në dy nivele: me qytetarë dhe në nivel më të avancuar, me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të zgjedhjeve, pedagogë dhe stafe të tjera akademike. Të dhënat e pyetësorit dhe analiza e tyre është e përfshirë në raport, në kapitullin mbi pyetësorin.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është marrë me monitorimin dhe jetësimin e procesit të dekriminalizimit në zgjedhjet vendore (2019) dhe parlamentare (2017 dhe 2021) duke hartuar dhe publikuar studime dhe raporte periodike mbështetur në anketime periodike me qytetarët lidhur me perceptimin e tyre rreth dekriminalizimit, integritetit dhe standardeve të përfaqësimit. Në nismat e tij ISP është mbështetur gjatë viteve nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe nga National Endowment for Democracy (NED).
Gjatë viteve 2022-2023 Instituti i Studimeve Politike (ISP) po zbaton projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Qeveria Britanike. Pjesë e angazhimit në këtë projekt të ISP është edhe anketimi online post zgjedhor i perceptimeve qytetare mbi zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.
Bazuar në vijimësinë e metodologjisë së anketimit parazgjedhor ekspertët aplikuan të njëjtën formë pyetësori edhe në rastin e matjes së perceptimeve post zgjedhore në muajin shtator 2023. Qytetarët u pyetën në mënyrë jo të identifikuar lidhur me disa çështje për të marrë perceptimet e tyre si: vlerësimi i zbatimit të ligjit të dekriminalizimit në zgjedhjet vendore 2023, integriteti i personave të zgjedhur / emëruar dhe aktorëve të tjerë institucionalë në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, zbatimi i ligjit nga KQZ dhe Prokuroria, institucionet e tjera, partitë politike, besimi i qytetarëve në proces, etj. Kampioni përfshin 860 qytetarë të moshës +16 vjeç nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë. Shpërndarja sipas gjinisë është 51% meshkuj dhe 49% femra, me nivele të ndryshme të arsimimit. Linku i pyetësorit përveç shpërndarjes nëpërmjet postës elektronike, apo formave të tjera të komunikimit, u publikua nga ISP në formën e reklamës së paguar në rrjetet sociale facebook, twitter, instagram, linkedin.
Për ndjekjen e trajektores së zhvillimit të disa faktorëve të matur në pyetësorin parazgjedhor dhe për të krahasuar ndryshimin e perceptimit të zgjedhësve në periudhën pas zgjedhjeve, ekspertët e ISP në këtë pyetësor përveç pyetjeve të reja bazuar në kontekstin dhe zhvillimet gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve, kanë integruar disa pyetje të përsëritura në formë identike ose të përshtatura. Në këtë analizë krahasimore duhet konsideruar një marzh rezervë për shkak të disa kufizimeve metodologjike. Anketimi online krijon mundësi për matjen e perceptimit publik të grupimeve që kanë akses online dhe që përdorin më shumë mediat online dhe rrjetet sociale të komunikimit, gjë që kufizon aksesin e qytetarëve të moshave të treta dhe ata me vështirësi në aksesin online. Megjithatë, qëllimi kryesor i anketimit ishte adresimi tek qytetarët aktivë, të cilët kanë informacion nga mediat sociale dhe mediat tradicionale, që kanë interes tek zgjedhjet dhe administrimi zgjedhor, si dhe kanë njohuri mbi ligjin e dekriminalizimit dhe mbi synimet e tij.
Ky pyetësor paraqet situatën postzgjedhore, pasi partitë politike kanë kaluar fazat e zgjedhjeve të brendshme, përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të kandidonin në zgjedhjet vendore, zbatimin real të integritetit të subjekteve elektorale, dhe kalimin nga pritshmëritë e qytetarëve në vlerësimet e tyre reale të zbatimit të standardeve të dekriminalizimit pasi procesi zgjedhor ka përfunduar.
Gjetjet kryesore statistikore:
Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit mbetet sfidë e fortë në zgjedhjet vendore:
- 42% e të anketuarve vlerësojnë negativisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
- 1/2 mendojnë se standartet dhe niveli i integritetit të personave të zgjedhur apo emëruar në procesin elektoral të 14 Majit 2023 në institucionet që dolën prej tyre nuk kanë ndryshuar krahasuar me ato të zgjedhjeve të shkuara.
- 41%-55% mendojnë se aktorët institucionalë (faktori ndërkombëtar, KQZ, grupet monitoruese, partitë politike, administrata publike, etj.) nuk kanë ndryshime në nivel integriteti krahasuar me fushatat e shkuara.
- Perceptimi për verifikimin e kandidatëve që morën pjesë në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 është pesimist.
- Vetëm 1/3 vlerësojnë pozitivisht monitorimn e KQZ gjatë procesit zgjedhor.
- Vetëm 1/4 vlerësojnë pozitivisht monitorimin e Prokurorisë gjatë procesit zgjedhor.
- Prokuroria në krahasim me KQZ vlerësohet të ketë më tepër burime njerëzore të nevojshme dhe infrastrukturë efektive për verifikime të shpejtja dhe efektive në parandalimin e kandidatëve me rekorde kriminale në zgjedhje.
- PS është partia e cila vlerësohet më pozitivisht se partitë e tjera (PD, PD – rithemelimi, PL, PS, PSD) për rëndësinë që i ka dhënë pastërtisë së figurës së kandidatëve për kryetarë bashkie ose këshilltarë në zgjedhjet e 14 Majit 2023.
- 57% nuk vlerësojnë trasparencën në zgjedhjet e brendshme para ose pas zgjedhjeve vendore që zhvilluan partitë politike PS, PD, Grupi i rithemelimit të PD, PL, etj ose në përzgjedhjen e kandidatëve që do të garonin për organet e qeverisjes vendore.
Raporti i plotë i anketimit me gjetjet dhe rekomandimet gjendet këtu:
Integriteti i zgjedhjeve dhe partive politike – perceptime postzgjedhore 2023