Reforma në drejtësi nisi në vitin 2016 me ndryshime thelbësore në Kushtetutë dhe legjislacionin organik. Asnjë reformë tjetër në dy dekadat e fundit nuk ka pasur pritshmëri më të mëdha, nuk është bërë më e thellë dhe nuk është shoqëruar me më shumë debat publik e politik. Gjatë viteve 2016-2017 reforma u fokusua në ngritjen e strukturave të vettingut, KPK dhe KPA, si dhe në miratimin e paketës së ligjeve bazë. Pas marrëveshjes politike të korrikut 2017 nisi procesi i jetësimit të vettingut. Vitet 2017-2018 u dominuan nga retorika mbi produktet e vettingut dhe problematikat në ngritjen e KLGJ, KLP, KED dhe vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Në dhjetor 2017 u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm dhe në dhjetor 2018 u krijuan KLGJ dhe KLP. Viti 2019 vijoi me forcimin e rolit dhe vendimmarrjeve të KLGJ e KLP, zgjedhjen e anëtarëve të parë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe përfundoi me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe krijimin e SPAK. Viti 2020 nisi me zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe pritet të fokusohet tek aktiviteti i SPAK dhe plotësimi i trupës në Gjykatën Kushtetuese e të Lartë, pra për kalimin nga krijimi i institucioneve tek fillimi real i drejtësisë.
Në vitin e katërt të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, procesi i vettingut nuk ka testuar ende 30% e të gjithë subjekteve të rivlerësimit dhe një numër institucionesh, sidomos Gjykata e Lartë e Kushtetuese, vijojnë të kenë mangësi të theksuara në përbërje dhe në strukturat mbështetëse. Procesi i vettingut largoi nga sistemi drejtuesit kryesorë të sistemit të kaluar gjyqësor, duke shënuar një proces unik në të gjithë historikun e reformave në drejtësi në Evropën Lindore. Procesi është shoqëruar me mbështetje të madhe nga elitat politike dhe liberale në vend, sidomos nga institucionet ndërkombëtare aktive në Shqipëri, por edhe me kritika e kontestime nga aktorë të brendshëm politikë e institucionalë, përfshirë vetë aktorët brenda sistemit të drejtësisë dhe grupe të ndryshme mediatike e civile. Përvoja jonë monitoruese tregon se në përgjithësi, qoftë mitizimi, qoftë mohimi, janë zgjedhje të gabuara. Reforma është një proces, dhe si çdo proces, kërkon kohë, fokusim, investim, energji dhe mbështetje publike. Nevoja për reflektime dhe përmirësime të vazhdueshme të praktikave të punës, vendimmarrjes, afateve dhe cilësisë së produktit të reformës, janë e mbeten nevojë integrale e saj.
Reforma në drejtësi ka hyrë në vitin e katërt nga afati kohor 9-10 vjeçar i parashikuar nga ligjvënësi më 2016. Rezultatet e saj janë afatgjate, impakti është afatgjatë dhe vetëm përfundimi i saj do të mund të lejojë një analizë profesionale dhe të thelluar ndaj eksperimentit, pritshmërive dhe impaktit real për demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës. Në fazën aktuale vlerësimet janë të pjesshme, për shkak se rezultatet e reformës janë të pjesshme dhe vetë reforma nuk ka konsumuar ende gjysmën e rrugës drejt jetësimit. Aktualisht kemi reformë, kemi disa rezultate, kemi disa institucione të reja, por kemi ende vonesa në standardet dhe ofrimin e drejtësisë për qytetarët, mungesa në burimet njerëzore për prurjet në sistem dhe presion të gjithanshëm politik për të ndikuar në formatimin dhe vendimmarrjet e sistemit të ri të drejtësisë.
Parë në retrospektivë reforma ka disa përfitues, përfshirë shtetin e shoqërinë. Në terma konkretë brezi më përfitues janë të rinjtë studentë të fakulteteve të drejtësisë, të cilët, duke u edukuar në një kuadër të ri ligjor e kushtetues, duke u ndikuar nga reforma dhe impakti i saj, kanë mundësinë të përfitojnë dije e aftësi, që mund t’i bëjnë ata më shumë të interesuar dhe të fokusuar në drejtësinë e së nesërmes. Studentët e sotëm, në dallim nga brezat e mëparshëm të drejtësisë, do të jenë shumë më pak të ndikuar nga ofertat dhe presionet politike, do të kenë imunitet më të madh profesional, do të kenë shanse më të mëdha për karrierë dhe garanci më të mëdha për fokusim tek profesioni, për ruajtjen e integritetit dhe për krijimin e një imazhi shumë më pozitiv për veten dhe sistemin.
Kjo është një prej arsyeve kryesore që Instituti i Studimeve Politike aplikoi një thirrje të hapur për ese mbi reformën në drejtësi për studentët e fakulteteve të drejtësisë. Gjatë projektit ne morëm përgjigje nga një numër i konsiderueshëm studentësh nga universitete të ndryshme, të cilët prezantuan mendimet personale, reflektimet dhe vlerësimet në këtë moment të reformës. Mendimet e tyre janë individuale dhe ISP nuk është përfshirë në orientimin e tyre dhe as mbështetësi i projektit, Fondacioni i Hapur për Shqipërinë, nuk ka ndikuar në asnjë element të tij. Për këtë arsye mendimet janë përgjegjësi e autorëve dhe institucionalisht vetëm e ISP. Elementë të ndryshëm të analizës së eseve të studentëve nxorën në pah parashikimin e stafit monitorues të ISP, sipas të cilit, reforma duhet shoqëruar me një sjellje të re dhe reformim të programeve mësimore në fakultetet e drejtësisë, me një mentalitet të ri të brezit të ardhshëm të juristëve, me investim më të madh në forcimin e kulturës ligjore dhe të sistemit të magjistraturës, si dhe me dialog të vazhdueshëm profesional, të hapur dhe gjithëpërfshirës me stafet universitare dhe studentët, në funksion të koncepteve më të gjëra të reformës dhe rolit të sistemit të drejtësisë në demokracinë funksionale dhe jetësimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
ISP falënderon Fondacionin e Hapur për Shqipërinë për mbështetjen në realizimin e projektit “Sistemi i ri i drejtësisë: transparencë dhe përfshirje. Monitorimi i KLGJ, KLP, KED, KKRD dhe ligjërimit publik” 2019-2020, pjesë e të cilit është edhe ky botim. Gjithashtu ne falënderojmë të gjithë studentët e përfshirë në këtë botim me esetë e tyre, si dhe stafin mbështetës ekspertë të ISP që mundësuan komunikimin me studentët, Prof. Ervin Karamuço, Prof. Armela Kromici, prof. Entela Hoxhaj, Dr. Anjeza Licenji, Silvana Jaupaj, etj.
ISP do të jetë i fokusuar në monitorimin dhe analizën e zhvillimeve në reformën në drejtësi, ndaj bashkëveprimi me studentët dhe stafet akademike të fakulteteve juridike do të vijojë të jetë intestiv edhe në të ardhmen.
Materialin e plotë mund ta lexoni / shkarkoni këtu: