Zgjedhjet nuk janë vetëm proces votimi, por mbi të gjitha janë proces përgatitje, administrimi, konkurrimi dhe cilësie në përfaqësim. Votimi është akti final i vendimmarrjes nga ana e qytetarëve. Administrimi është detyrim ligjor dhe strukturat përgjegjëse caktohen nga Kodi Zgjedhor, mbi bazën e vendimmarrjes nga Kuvendi. Periudha zgjedhore është e shkurtër, por përgatitjet reale zgjasin shumë më tepër dhe problematikat zgjedhore shfaqen që në fazën e akteve të para nënligjore lidhur me procesin zgjedhor. E njëjta traditë po vijon edhe tani. Fushata nisi zyrtarisht më 25 mars, por partitë de facto e kanë nisur fushatën kohë më parë dhe KQZ ka nxjerrë shumicën e akteve nënligjore lidhur me zgjedhjet.
Aktualisht KQZ është e kompletuar, janë emëruar KZAZ-të, si dhe janë përcaktuar qendrat e votimit dhe elementët e tjerë teknikë që lidhen me administrimin zgjedhor. KQZ po pranon listat zyrtare shumëemërore dhe po bën verifikimin e të dhënave për secilin kandidat dhe subjekt zgjedhor.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë. Pjesë e projektit është monitorimi aktiv i respektimit të bazës ligjore mbi zgjedhjet, monitorimi i detajuar i aktivitetit të KQZ dhe akteve të nxjerra prej tij, reagimi i publikut dhe aktorëve politikë ndaj vendimmarrjes, si dhe ngritja e një sistemi “alert” që sjell në vëmendje akte të munguara ligjore apo çështje me rëndësi për zgjedhjet, por që nuk janë ende agjendë institucionale. Stafi i ISP ka marrë pjesë në takime konsultative me KQZ dhe me shoqërinë civile që monitoron zgjedhjet, duke shprehur shqetësimet e veta të vazhdueshme, por edhe duke ofruar rekomandime konkrete për rrugëzgjidhje. Sistemi “alert” ia mundëson ISP një kontribut konstruktiv në drejtim të rritjes së transparencës dhe të standardeve të procesit zgjedhor.
Ky është një raport i ekspertizës monitoruese së kontraktuar nga ISP në funksion të projektit. Të dhënat paraqesin problematikat kryesore aktuale dhe ofrohen rekomandime përmirësuese për të ardhmen.
GJETJE DHE REKOMANDIME
Në tërësinë e elementëve të procesit zgjedhor në javën e dytë të muajit mars 2021 ende nuk janë identifikuar lista e kandidatëve, fleta e votimit, mënyra teknike e vendosjes së subjekteve dhe e votës, çështja e votës së emigrantëve/diasporës, pjesëmarrja në votime e personave të prekur nga pandemia, çështja e vlefshmërisë së qytetarëve me karta identiteti dhe dokumente të skaduara në afat, çështja e burimeve shtetërore në fushatë, apo elementë të tjerë thelbësorë, si çështja e monitorimit të financimeve dhe shpenzimeve elektorale, e papajtueshmërisë midis kandidimit në zgjedhje dhe posteve ekzekutive, çështja e verifikimeve mbi rekordet e dekriminalizimit, etj.
Fushata zgjedhore ka nisur shumë më përpara sesa afati ligjor dhe KQZ nuk ka arritur ta parandalojë me gjithë pritshmëritë që penalitetet për shkeljet ligjore do të ishin më të mëdha sesa në zgjedhjet e kaluara.
Debati në Gjykatën Kushtetuese mbi të drejtën e aktiviteteve elektorale dhe masat administrative penalizuese, kryesisht për opozitën për aktivitetet elektorale në emër të shkeljeve ligjore të situatës së pandemisë, kanë krijuar kontrast të thellë, paqartësi dhe janë një burim i konfliktit të panevojshëm politik.
Disa parti eliminuan individë me rekorde kriminale nga listat shumëemërore, por gjithsesi cilësia e listave dhe e rekordeve të disa kandidatëve vijon të mbetet problematike dhe shqetësim për publikun, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë.
Institucionet ekzekutive nuk kanë arritur ende të parandalojnë përfshirjen e drejtuesve të tyre në fushatë elektorale dhe se praktika e monitorimit vetëm sa ka konstatuar gjetje, pa arritur që përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.
Shoqëria civile është shumë aktive dhe solidare në monitorimin e procesit zgjedhor, aksesi i saj tek Komisioneri Shtetëror dhe media ka qenë i plotë dhe ky mbetet një zhvillim pozitiv në raport me zgjedhjet e kaluara.
KQZ mund e duhet të ofrojë zgjidhje për çdo problematikë që del pavarësisht nëse ka një zgjidhje të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Në thelb, procesi zgjedhor nuk mund të jetë çështje procedurale, por substanciale dhe mangësitë teknike ligjore nuk mund të lejohen të cënojnë standardin e zgjedhjeve.
KQZ duhet të publikojë një listë të zgjeruar të zyrtarëve që duhet të japin dorëheqjen në momentin që kandidojnë për deputetë. Lista duhet të përfshijë jo vetëm zyrtarët e parashikuar në Kodin Zgjedhor, por çdo individ që merr vendime në një strukturë ekzekutive, individët me status të nëpunësit civil, individët që posedojnë poste drejtuese në ente shtetërore vetërregulluese dhe individë që mund të abuzojnë përmes postit dhe kandidimit njëherësh në zgjedhje.
Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë aktin zyrtar për krijimin e një Task – Force për zgjedhjet dhe të bëjë monitorimin real të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë elektorale. Fakti që shumicën e ditëve të javës zyrtarët kryesorë ekzekutivë nuk janë në zyrë dhe në punë, por në aktivitete partiake, është një sinjal negativ për fushatën.
Organet e KQZ duhet të marrin në shqyrtim elementët e Kodit të Sjelljes dhe të parandalimit të konfliktit të interesit në aktivitetin dhe vendimmarrjen e tyre. Rasti i vendimmarrjes nga KAS ndaj bashkisë Tiranë përbën një devijim nga këto standarde të nevojshme.
KQZ duhet të organizojë seanca dëgjimore me organet e qeverisjes vendore për të kryer verifikime nëse prej tyre janë zbatuar detyrimet ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor.
KQZ duhet të publikojë në faqen e saj të gjitha aktet e organeve të tjera administrative që lidhen me zgjedhjet, për të plotësuar database të saj mbi legjislacionin dhe zgjedhjet parlamentare 2021.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: