Në analizën juridike të pretendimeve dhe kërkesave ankimore, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ, ka mbajtur qëndrim të njëjtë dhe të unifikuar në përmbajtje (jo në mënyrë unanime) në të katër vendimet e mësipërme, duke dhënë arsyetimet e tij. Arsyetimi i vendimeve të KAS ka qenë shterues për të gjitha pretendimet e ngritura dhe i është nënshtruar një procedure shqyrtimi të rregullt dhe konform ligjit.
KAS vëren se në pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike ka akuza për një seri shkeljesh dhe parregullsish të supozuara ose të provuara të cilat kanë degraduar zgjedhjet në atë masë, saqë rezultati i tyre është jolegjitim dhe zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme në të gjithë zonën zgjedhore.
Sipas pohimit të përfaqësuesve të PD, pretendimi do mund të provohej kryesisht nga rezultatet e kërkimit të tij drejtuar institucioneve, i cili u rrëzua nga KAS-i. KAS argumentoi se PD nuk ka pasur në dispozicion, nuk ka pasur dijeni dhe nuk mund të parashikonte përfundimet që mund të dilnin nga prova, të cilat nuk ekzistonin në momentin e ngritjes së pretendimit. Sipas KAS, pretendimi i ngritur kryesisht mbi hipoteza është një pretendim kryesisht i pa mbështetur në prova.
Për KAS-in rezultonte i mbështetur në prova pretendimi i PD se Këshilli Ministrave kishte nxjerre vendime në kapërcim të ndalimeve zgjedhore e parashikuar nga pika 4 e nenit 91 të KZ. Neni 172 i KZ e trajton këtë rast si kundërvajtje administrative, por trajtimi i tij nuk mund të bëhej kryesisht nga KAS-i, ndërkohë që rezultonte e provuar se PD nuk e kishte vënë në lëvizje KQZ-në për këtë çështje.
GJETJET KRYESORE
- KAS nuk heton vepra penale dhe nuk kërkon prova qe të vërtetojë se ka ndodhur një vepër penale e pretenduar nga subjektet zgjedhore ankimuese;
- KAS nuk kërkon informacione tek institucione publike që nuk janë provë e drejtpërdrejtë për procesin;
- KAS nuk investohet për çështje që duhet të ishin ngritur si kundravajtje administrative pranë Komisionerit Shtetëror;
- KAS nuk ka gjetur ndikim në zgjedhje në akuzat e referuara nga subjektet ankimore;
- KAS shqyrton paligjshmëri dhe parregullsi, por kur këto të fundit kanë qenë të tilla që mund të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve sipas qarqeve;
- KAS nuk është kompetent për të shqyrtuar kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e akteve ligjore;
- KAS vijon të jetë e ndarë në vendimmarrje të mprehta me impakt politik midis të dy grupimeve rivale politike;
- KAS ka të drejte por jo detyrim sipas ligjit, kur e shikon të arsyeshme, të administrojë dhe kërkojë prova me iniciativën e tij;
- KAS mban një qëndrim të unifikuar mbi çdo pretendim të ngritur me natyrë të njëjtë apo të ngjashme në të gjitha kërkesat ankimore;
- KAS arsyeton në mënyrë shteruese të gjitha kërkesat ankimore të subjekteve.
Lidhur me pretendimin se ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë kryer pa konsensus politik dhe kanë cënuar për pasojë procesin zgjedhor, KAS argumentoi se kuadri ligjor i zgjedhjeve, me Kodin Zgjedhor, aktet nënligjore dhe aktet e tjera zbatuese në fuqi, është premisa e procesit zgjedhor. “Kodi Zgjedhor shërben si një bazë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike”, konstatoi misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it në deklaratën e tij për gjetjet dhe konkluzionet paraprake për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe si e tillë, sipas KAS, në asnjë rrethanë ky kuadër nuk mund të shërbejë si shkak për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
KAS deklaroi gjithashtu se aktet nënligjore dhe aktet zbatuese kontestohen veçmas, sipas rastit, me mjetet e ankimit administrativ dhe gjyqësor, por kur ato janë në fuqi, ato respektohen. Në këtë kuadër, e drejta e kryetarëve të subjekteve zgjedhore për të kandiduar deri në katër zona zgjedhore është e drejtë ligjore e tyre.
Po ashtu edhe kompozimi i fletës së votimit është bërë mbi bazën e ligjit, aktit nënligjor të Komisionit Rregullator dhe vendimit përkatës të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe ai nuk mund të atakohet vetëm se ka indicie se mund të këtë shkaktuar çoroditje tek zgjedhësit dhe për pasoje pavlefshmëri të lartë të fletëve të votimit. Fleta e votimit sipas KAS është e rregullt dhe e ligjshme, ndaj respektimi i këtyre akteve i bën zgjedhjet të rregullta dhe të ligjshme dhe kurrsesi të pavlefshme.
Lidhur me pretendimin e subjekteve politike ankimuese për vepra penale të hamendësuara gjatë procesit zgjedhor, KAS argumentoi se hetimi i veprave penale zgjedhore është ekskluzivitet i organeve të prokurorisë. Ai nuk pezullon shqyrtimin administrativ të ankimeve zgjedhore, por KAS-i nuk mund të paragjykojë, as të ndikojë rezultatet e hetimit penal përgjatë shqyrtimit të vet administrativ. Kallëzimet penale nuk provojnë ekzistencën e një ngjarje kriminale. Ato janë vetëm mjet ligjor për të vënë në lëvizje një hetim. Ekzistencën e një ngjarje kriminale e provon ligjërisht vetëm organi i hetimit dhe e konfirmon ligjërisht vetëm organi gjyqësor. KAS-i nuk mund as të provojë, as të konfirmojë ekzistencën e një ngjarje kriminale. KAS-i mund të marrë në shqyrtim ngjarje dhe fakte juridike, të cilat janë gjithashtu pjesë e lëndës së një hetimi penal, por mund t’i shqyrtojë ato vetëm për aq sa i nevojitet procedurës së shqyrtimit administrativ dhe vetëm nga këndvështrimi i legjislacionit zgjedhor.
Raporti i plotë IV mund të lexohet këtu: