Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 65, pikat 1 dhe 2, 92, shkronja “gj”, e 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të neneve 8, 9, pikat 1 dhe 4, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, me Dekretin nr. 11700, datë 06.09.2020, ka caktuar datën 25 Prill 2021 për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin.
Kuadri ligjor për organizimin e zgjedhjeve, përbëhet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Kodi Zgjedhor, Ligji për “Partitë Politike” Ligji për Dekriminalizimin, si dhe nga akte nënligjore të nxjerra nga organet kompetente në zbatim të tyre. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor u ndryshuan për herë të fundit në vitin 2020.
Në zgjedhje u regjistruan si subjekt zgjedhor 10 parti politike, 2 koalicione zgjedhore dhe 5 kandidatë të mbështetur nga zgjedhësit. Gjithsej në fletën e votimit për 12 zonat zgjedhore u paraqitën 1871 kandidatë.
Në vitin 2020, pas një periudhe gati katër vjeçare, përfundoi Reforma Zgjedhore, me disa ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor në korrik 2020 me ligjin nr. 101/2020, datë 23.7.2020, dhe më pas në tetor 2020 me ligjin nr. 118/2020, datë 5.10.2020, adresuan disa rekomandime të mëparshme të ODIHR-it, si dhe sollën disa risi në aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Këto ndryshime konsistojnë në:
Ndryshimi i periudhës zgjedhore në të cilën mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore në Shqipëri. Projektligji, në nenin 6 të tij përcakton zhvillimin e zgjedhjeve në dy periudha zgjedhore, që shtrihen nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor:
Mbi strukturën e KQZ-së
Mbi mënyrën e paraqitjes së listave shumemërore të kandidatëve nga Koalicionet Zgjedhore
Mbi kuotat gjinore në listat shumëemërore të kandidatëve për deputet
Mbi ndryshimin e numrit minimal të kandidatëve në listat shumëemërore të partive
Mbi të drejtat e kryetarit të partisë dhe koalicionit të kandidojnë deri në katër zona zgjedhore
Mbi procedurën e verifikimit të listave të kandidatëve
Mbi financimin publik dhe privat të fushatës
Mbi monitorimin e pasqyrimit të fushatës në media
Mbi identifikimin elektronik të zgjedhësve në ditën e votimit
Mbi pilotimin e teknologjive të reja të votimit dhe të numërimit
Mbi mundësinë e votimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë dhe banojnë
Mbi votimin preferencial të kandidatëve
Mbi zëvendësimin e pragut rajonal për subjektet zgjedhore, për t’u kualifikuar me pragun kombëtar prej 1 për qind
Mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore
Në këto zgjedhje fenomeni i miratimit të akteve normative me vonesë, duke zbehur efektivitetin e zbatueshmerisë së tyre është konstatuar në disa raste.
Rregullatori, organ drejtues i KQZ-së, për miratimin e akteve normative, me vendimin nr. 18, datë 14.04.2021 “Për miratimin e udhëzuesve për mënyrën e raportimit financiar nga partitë politike, kandidatët e listave shumemërore dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për fushatën zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021”, miratoi 10 ditë para datës së zgjedhjeve udhëzuesin për mënyrën e raportimit financiar nga partitë politike dhe kandidatët.
Vendimi i Rregullatorit nr. 18, datë 14.04.2021, ka një rëndësi të madhe për mënyrën e zhvillimit të fushatës, pasi udhëzon subjektet zgjedhore për mënyrën ligjore të fitimit, shpenzimit dhe raportimit të fondeve të fushatës. Për më tepër në këto zgjedhje ky akt pati një rëndësi të shtuar, për shkak të ndryshimeve te rëndësishme ne Kodin Zgjedhor për financimin e fushatës zgjedhore.
Një prej ndryshimeve ishte detyrimi për të raportuar fondet e përfituara dhe të shpenzuara gjatë fushatës zgjedhore, i kandidatëve për deputet në listat shumëemërore të partive politike dhe kandidatëve të mbështetur nga zgjedhësit. Akti është miratuar 10 ditë para përfundimit të fushatës(fushata zhvillohet për 30 ditë), dhe është publikuar i paplotë vetëm 8 ditë përpara përfundimit të saj.
Vendim nr. 13, datë 06.04.2021 “Për përcaktimin e rregullave për raportimin financiar të subjekteve zgjedhore, kontrollin dhe verifikimin e financimeve dhe shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore”. Fushata zgjedhore ka filluar rreth 10 ditë përpara miratimit të aktit. Miratimi me kaq vonesë, i dy akteve të sipërcituara, referuar objektit, e bën të mos përmbushin qëllimin, duke i kthyer në akte thjesht formale.
Subjektet zgjedhore duhet të fillonin fushatën më datë 26 mars 2021, duke qenë të qartë për rregullat dhe udhëzimet të cilat do të ndiqnin. Kjo realizohet jo vetëm me miratimin e akteve përpara fillimit të fushatës, por njëkohësisht dhe trajnimin e kandidatëve dhe personave përgjegjës për financat e partive politike.
Udhëzim nr. 06, datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, përcakton detyrime për kryetarët e bashkive dhe subjektet zgjedhore, për vendet ku do të afishohen materialet propagandistike dhe rregullat për afishimin e tyre. Afati fundor i realizimit të tyre ishte disa ditë përpara miratimit të aktit.
Udhëzim nr. 01, datë 02.02.2021 “Për caktimin e kritereve për përzgjedhjen e monitoruesve, procedurën, emërimin dhe objektin e monitorimit”. Monitoruesit duhet të emëroheshin dy muaj përpara miratimit të aktit.
Raporti i plotë III mund të lexohet këtu: