ISP eshte angazhuar ne monitorimin e jetesimit te ligjit te dekriminalizimit dhe standardet e integritetit te kandidateve per deputete dhe zyrtare te larte. Raporti i radhes per periudhen e monitorimit shkurt – maj 2025 ka evidentur disa gjetje kryesore:
SPAK vijon të ndërmarrë akte të forta kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar duke ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin e dekriminalizimit në jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë.
Gjatë periudhës shkurt-maj 2025, SPAK ka regjistruar gjithsej 45 raste procedimi penal ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë arrestin me burg të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe numrit dy të Partisë Socialiste. Edhe Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar gjithsej 46 procedime penale, kryesisht për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.
Organet e tjera ligj zbatuese si Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore(AMP) kanë trajtuar shkelje ligjore që lidhen me shpërdorimin e detyrës, korrupsionin pasiv dhe shkelje të kodit të etikës në punë. Policia e Shtetit ka regjistruar gjithsej 52 procedime ndërsa AMP ka trajtuar ose referuar në Prokurori 46 shkelje.
Kur kanë kaluar 10 vite nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit, ndarja e politikës dhe jetës institucionale nga ndikimi i botës së krimit dhe personave me rekorde korruptive mbetet akoma sfidë për Shqipërinë. Rezistenca ndaj procesit të dekriminalizimit ka marrë formë dhe metoda më të sofistikuara. Mbështetja e kandidatëve apo promovimi në funksionet publike të individëve të tretë nga rrjetet kriminale dhe interesat klienteliste ka ndërtuar mekanizma informale të ndikimit në vendimmarrjen publike dhe proceset politike.
Një pjesë e mirë e partive politike dhe institucioneve publike vazhdojnë të promovojnë ose kandidojnë persona me rekorde korruptive në funksione publike në një përpjekje për tu ofruar mbrojtje politike nga veprimet e drejtësisë.
Strukturat e drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe GJKKO, por edhe organet ligj zbatuese janë të ekspozuara ndaj dobësive strukturore si mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, dhe varësia nga mbështetja ndërkombëtare. Pa krijimin e një tradite dhe kapaciteteve institucionale organike, të qëndrueshme dhe autonome, Shqipëria do të ketë të vështirë ta fitojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare betejën e dekriminalizimit.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar institucionet, partitë dhe zyrtarët e lartë të zgjedhur dhe të emëruar, si pjesë të angazhimit në projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy). Pikëpamjet e shprehura në raport janë përgjegjësi e ISP-së.
Raporti i plote nuk eshte me akses publik, nje permbledhje e gjetjeve dhe konkluzioneve mund te lexohet bashkengjitur: