Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (“Komisioneri”), Komisioni Rregullator, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (“KAS”), si dhe Kolegji Zgjedhor kanë vijuar edhe gjatë muajit maj 2023 me vendimmarrjet e tyre.
Vendimmarrjet gjatë muajit maj 2023 lidhen kryesisht me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, referuar parashikimeve të Programit Analitik të akteve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, si dhe me mbarëvajtjen e votimeve, numërimeve të votave dhe me shpallljen e rezultateve.
Ndërkaq, nuk kanë munguar as vendimet sa i përket denoncimeve të kryera lidhur me respektimin e legjislacionit zgjedhor, apo masave administrative në këtë drejtim.
Vendime të Komisionerit: Vendime lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Më 03.05.2023, Komisioneri miratoi urdhërin mbi zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm rreth qendrës së votimit dhe në mjediset e jashtme ku janë vendosur qendrat e votimit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Në këtë seancë u shqyrtua edhe projektvendimi “Për heqjen e materialeve propagandistike që nuk përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të ….” (vijon emri i subjektit zgjedhor). Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi heqjen e të gjithë materialeve propagandistike që nuk përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të ….” dhe u ngarkua Policia e Bashkiake dhe Policia e Shtetit për heqjen e tyre. Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit duhet të raportonin në KQZ për ecurinë e zbatimit të këtij vendimi.
Gjithashtu, më datë 03.05.2023 Komisioneri urdhëroi që KZAZ-të të marrin masa për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve për anëtarë dhe sekretarë të GNV-së dhe vlerësimin e legjitimimit të tyre brenda afatit të përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse, si dhe në Kodin Zgjedhor
Më 05.05.2023, u dha autorizimi për ndryshimin e vendndodhjes së 22 qendrave të votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Ndërkaq, më 06.05.2023 Komisioneri miratoi manualet teknike të përdorimit të Platformës Elektronike Financiare (PERF) nga financieri i partisë politike gjatë zgjedhjeve, nga financieri i partisë politike gjatë vitit kalendarik, monitoruesit e fushatës zgjedhore, nga auditues ligjor, nga kandidatët e listave, nga kandidatët për kryetar bashkie dhe nga kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.
Gjithashtu, Komisioneri miratoi edhe kategoritë e subjekteve zgjedhore që do të plotësojnë dhe dorëzojnë raportin financiar nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF). Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore nëpërmjet PERF do të raportojnë partitë politike/koalicionet të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe kandidatët për Kryetar Bashkie. Raporti financiar pasi ngarkohet në PERF nga partia politike/koalicioni, dorëzohet fizikisht në KQZ, i nënshkruar nga financieri dhe Kryetari i partisë/personi i autorizuar prej tij. Raporti financiar i kandidatit për kryetar bashkie pasi ngarkohet në PERF prej tij, dorëzohet fizikisht i nënshkruar tek financieri i partisë politike. Raporti financiar i kandidatit të propozuar nga zgjedhësit për Kryetar Bashkie, pasi ngarkohet në PERF, nënshkruhet dhe dorëzohet fizikisht në KQZ prej tij.
Më 12.05.2023 Komisioneri miratoi urdhrin për dorëzimin e pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), dhe të kamerës së për video rregjistrim në qendrën e votimit, për zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Vendimmarrje kjo e cila ishte parashikuar në Programin Analitik, por që rezulton të jetë miratuar përtej afatit të përcaktuar për këtë qëllim.
Më datë 13.05.2023 Komisioneri miratoi urdhrin për paraqitjen në detyrë pranë qendrës së votimit, të operatorëve të pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, si dhe urdhrin për dërgimin e listave emërore të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit në komisionin qendror të zgjedhjeve nga komisionet e zonave të administrimit zgjedhor.
Më datë 14.05.2023 Komisioneri vendosi vijimin e procesit të identifikimit të zgjedhësve me listën e zgjedhësve, për zgjedhjet e datës 14.05.2023, për shkak të problemeve me pajisjet elektronike.
Më 15.05.2023 Komisioneri vendosi që KZAZ-të të zhvillojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për kryetar të bashkisë dhe të këshillit bashkiak në mënyrë të pandërprerë. KZAZ u urdhëruan të merrnin masa për zëvendësimin në kohë të anëtarëve të grupeve të numërimit nëse është rasti. KZAZ-të duhet të plotësonin dhe të administronin në mënyrë të saktë tabelat e rezultatit dhe çdo dokument tjetër zgjedhor, si dhe t’i përcillnin ato në KQZ nëpërmjet sistemit përkatës të transmetimit të të dhënave. KZAZ-të duhet të siguronin kushtet që çdo votë që numërohej dhe vlerësohej, si dhe të vëzhgohej nëpërmjet teknologjisë mbështetëse.
Konkluzione
Ajo që konstatohet nga sa më sipër, është fakti se problematike sërish mbetet situata lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore të subjekteve zgjedhore gjatë fushatës. Kjo referuar denoncimeve si dhe vendimmarrjeve të shumta të Komisionerit në këtë drejtim.
Gjatë muajit maj 2023, ashtu si edhe pritej, është evidentuar një situatë e ngarkuar lidhur me vendimmarrjet sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe të votimit.
Nga ana tjetër, deri tani rezulton se pjesa më e madhe e vendimeve të marra nga Komisioneri dhe Komisioni Rregullator, planifikuar sipas Programit Analitik, janë miratuar përtej afateve të përcaktuara për këtë qëllim.
Raporti i plotë është i aksesueshem pas kontaktimit në emailin zyrtar të ISP-së: [email protected].