Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit dhe dekarbonizimit, dhe ka një përputhje të madhe ndërmjet Planit të Veprimit të CRM 2.0 dhe Agjendës së Reformave. Megjithatë, bashkëpunimi i përmirësuar rajonal, koordinimi i fondeve dhe angazhimi i sektorit privat do të jenë thelbësore për të siguruar integrimin e suksesshëm në BE. Duke adresuar këto hendekë dhe siguruar harmonizimin më të mirë të politikave, Shqipëria mund të konsolidojë pozitat e saj si një lojtar kyç rajonal dhe të avancojë objektivat e saj për anëtarësimin në BE.
Për të siguruar zbatimin e efektshëm të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2.0 dhe Agjendës së Reformave, është thelbësore të ndërmerren veprime direkte në nivele të ndryshme qeverisjeje. Integrimi i suksesshëm i këtyre planeve kërkon përmirësimin e koordinimit financiar, forcimin e mekanizmave institucionalë dhe angazhim më të madh të aktorëve nga institucionet publike, shoqëria civile dhe sektori privat.
Për Parlamentin dhe deputetët, roli i tyre është thelbësor në miratimin e legjislacionit të nevojshëm për mbështetje të integrimit të Shqipërisë në iniciativat rajonale në përputhje me BE-në. Deputetët duhet të angazhohen më shumë për të siguruar që të gjitha politikat e propozuara mbështeten në baza të forta ligjore, të promovojnë mbikëqyrjen legjislative të zbatimit të reformave dhe të lehtësojnë konsultimet me palët e interesuara për të krijuar politika më gjithëpërfshirëse. Për më tepër, Parlamenti duhet të nxisë një dialog gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve kombëtare dhe organeve rajonale për të rritur bashkëpunimin në përpjekjet për digitalizim dhe kalimin në energjinë e qëndrueshme.
Për Qeverinë, kjo do të thotë zhvillim të kornizave ligjorë më të qartë për të siguruar që angazhimet rajonale sipas CRM të përputhen me proceset ligjore kombëtare. Gjithashtu, Shqipëria duhet të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës digjitale përmes investimeve strategjike dhe koordinimit më të mirë mes ministrive përgjegjëse për transformimin digjital, politikave energjetike dhe reformave për transportin. Qeveria duhet të punojë gjithashtu për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare të energjisë, për të harmonizuar mekanizmat e çmimit të karbonit me standardet e BE-së dhe për të siguruar eliminimin e gradual të subvencioneve për karburantet fosile në përputhje me politikat mjedisore të BE-së.
Për Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), roli i tyre duhet të forcohet në monitorimin e zbatimit të politikave, lobimit për transparencë dhe sigurimin e pjesëmarrjes publike në proceset e reformave. OSHC mund të kontribuojnë duke realizuar vlerësime të pavarura të progresit të Shqipërisë në CRM dhe Agjendën e Reformave, duke rritur ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e zhvillimeve digjitale dhe duke advokuar për qeverisje më të mirë mjedisore dhe kalimin drejt energjisë së gjelbër.
Raporti i radhës monitorues nga Shqipëria, realizuar nga stafi i Institutit të Studimeve Politike (ISP).
Projekti “Diplomacia parlamentare: Bashkëpunimi rajonal përmes dialogut të përforcuar parlamentar” udhëhiqet nga Instituti për Demokraci (IDSCS) – Maqedonia e Veriut me partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor: Instituti Alternativa (IA) – Mali i Zi, Instituti për Studime Politike (ISP) – Shqipëri, QKTLL – Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie – Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) – Kosovë dhe Rrjeti i Iniciativave Progresive (RrIP) – Bosnjë dhe Hercegovinë.
Raporti në shqip mund të lexohet këtu:
Albania – Mars 2025 Raporti shqip
Raporti në anglisht mund të lexohet këtu:
Albania – March 2025 English version