Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në vijim Kuvendi), përveç funksionit parësor të miratimit të ligjeve, i atribuohet me Kushtetutë edhe funksioni i kontrollit dhe mbikëqyrjes parlamentare, si dhe funksioni zgjedhor.
Kuvendi gjatë vitit 2024, në ushtrim të funksionit mbikëqyrës, ka përmbushur detyrimin kushtetues dhe ligjor për mbikëqyrje ndaj institucioneve të pavarura. 26 institucione kushtetuese dhe të krijuara me ligj kanë raportuar në Kuvend gjatë periudhës prill-korrik lidhur me veprimtarinë e tyre vjetore pararendëse dhe shkallën e përmbushjes së objektivave të ngarkuara nga ligji. Disa prej problematikave të ndeshura janë të ngjashme me ato të vitit 2023 dhe kanë të bëjnë kryesisht me depozitimin në Kuvend të raporteve vjetore përtej afatit ligjor, mosrespektimin e kërkesave ligjore dhe udhëzimeve të Kuvendit për strukturën dhe përmbajtjen e raportit vjetor, nevojën për një analizë dhe vlerësim më të thelluar të raporteve vjetore nga Kuvendi, mungesën e deputetëve në seancat mbikëqyrëse dhe të adresimit të çështjeve që lidhen me funksionimin e tyre si dhe me nevojën për monitorim më efikas të ecurisë dhe implementimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura drejtuar ekzekutivit dhe njësive të varësisë.
Përdorimi i kufizuar i mekanizmave për mbikëqyrje ndaj këtyre institucioneve vijon të jetë shqetësimi kryesor. Raportimi është i vetmi instrument, që shfrytëzon Kuvendi për të kontrolluar punën e institucioneve të pavarura, ndonëse kuadri ligjor parashikon një sërë mekanizmash, të cilat mund të shfrytëzohen veçanërisht për të bërë të mundur zbatimin e rekomandimeve. Përdorimi i kufizuar i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve të pavarura është një shqetësim i ngritur edhe në progres-raportin e KE-së për shqyrtimin analitik (Screening).
Që procesi mbikëqyrës të jetë efektiv, këto institucione duhet të mbahen nën mbikëqyrje në mënyrë të vazhdueshme dhe duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e parashikuara. Nevoja për një komunikim të vazhdueshëm midis këtyre dy aktorëve është parë si e domosdoshme edhe nga vetë këto institucione. Rezulton se mbikëqyrja parlamentare realizohet nga një përqindje e ulët e deputetëve. Që ky proces të jetë efikas kërkohet një përfshirje më e gjerë. Mbetet shqetësuese mungesa e deputetëve në komisione apo seancë plenare gjatë seancave mbikëqyrëse, gjë që tregon mungesë interesi për këtë proces.
- Kuvendit duhet ta zhvillojë këtë proces duke shfrytëzuar me efektivitet të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë, në mënyrë sistematike, të qartë dhe rigoroze për të mos mbetur tek komunikimi me bazë vjetore apo në disa raste edhe katër mujore. Nevojitet vullnet për shfrytëzimin me efektivitet të të gjitha mekanizmave të parashikuar në mënyrë që procesi të kryhet i plotë. Fuqizimi i funksionit mbikëqyrës përmes mekanizmave adekuatë dhe praktikave evropiane, do të kontribuojë në rritjen e nivelit të përgjegjësisë nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të pavarura.
- Kuvendi duhet të forcojë rolin e tij mbikëqyrës mbi punën e institucioneve të pavarura, duke përfshirë edhe sigurimin e monitorimit sistematik të rekomandimeve të institucioneve të pavarura dhe ndjekjen e tyre. Kërkohet ekspertizë e mëtejshme në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve sikurse parashikohet edhe në Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtësi.
- Kuvendi duhet të përmirësojë mekanizmat dhe praktikat e mbikëqyrjes parlamentare si dhe të zbatojë në mënyrë efektive mekanizmin ndërinstitucional Kuvend – institucione të pavarura – ekzekutiv me qëllim rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes parlamentare. Shfrytëzimi me efektivitet i mekanizmave specifikë për llogaridhënie, transparencë dhe mbikëqyrjen e këtyre institucioneve rrit besimin dhe sigurinë e publikut jo vetëm tek Kuvendi, por edhe tek këto institucione. Pa shfrytëzimin e të gjitha mjeteve kushtetuese dhe ligjore të parashikuara, mbikëqyrja e legjislativit do të jetë përherë e pjesshme dhe e pamjaftueshme.
Lidhur me funksionin zgjedhor të Kuvendit
Kuvendi gjatë vitit 2024, në ushtrim të funksionit zgjedhës, ka përmbushur detyrimin ligjor për zgjedhjen e disa kandidaturave të paraqitura. Institucionet që kanë pësuar ndryshime në përbërjen e organit të tyre drejtues (Bord, Këshill) janë: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Instituti i Statistikave, Këshilli Drejtues i Radio Televizionit, Komisioni i Prokurimit Publik, Enti Rregullator i Energjisë, komisionerët e Avokatit të Popullit, Komisioni i Konkurrencës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndërkohë, aktualisht, rezulton se një sërë institucionesh të tjera kushtetuese apo të krijuara me ligj prej disa kohësh kanë vende vakante në organet e tyre drejtuese si AP, ISKPKSH, KMD, KLGJ dhe KLP (shoqëria civile).
Problematikat e ndeshura gjatë procesit 2024 janë të ngjashme me ato të vitit 2023 dhe lidhen me mosrespektimin e afateve ligjore në faza të ndryshme të procesit, mospërfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces, zhvillimin joefektiv të seancave dëgjimore me kandidatët, mospublikimin e dokumentacionit të kandidaturave me qëllim njohjen e publikut me to si dhe me angazhimin jo të lartë të deputetëve në shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidaturave, tregues këto të një procesi jo cilësor. Mosplotësimi në kohë i vendeve vakante në këto institucione vijon të jetë shqetësimi kryesor.
Procesi në tërësi ka ecur me ritme të ngadalta duke bërë që një sërë vendesh vakante të plotësohen në tejkalim të afatit ligjor ndërsa të tjera ende të paplotësuara. Vonesat dhe politizimi i proceseve të përzgjedhjes i dobësojnë këto institucione të pavarura. Rastet më flagrante janë zgjedhja e anëtarit të KPP me 37 muaj vonesë, zgjedhja e anëtarit të KDRTSH-së me 31 muaj vonesë, zgjedhja e anëtarit të KS me 32 muaj vonesë, zgjedhja e anëtarëve të KLGJ e KLP (nga Avokatia) me 7 muaj vonesë, tregues dramatik dhe alarmant i një procesi jo efikas. Bllokimet dhe vonesat në procedurën e emërimeve vijojnë të mbeten shqetësim serioz edhe për organizmat ndërkombëtarë. Arsyet e bllokimit të procesit dhe për pasojë, mosplotësimit në kohë të vendeve vakante janë të ndryshme dhe lidhen kryesisht me ndikimin politik, problematikat me kuadrin ligjor, mungesën e dakordësisë midis forcave politike në Kuvend apo mungesën e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira në këtë proces.
Në këtë kontekst, duke parë problematikat e hasura gjatë procesit zgjedhës/emërues dhe duke u qëndruar rekomandimeve të dhëna, ISP vlerëson se Kuvendi duhet të punojë fort për të shmangur faktorët që ndikojnë dukshëm në mosplotësimin në kohë të vendeve vakante si dhe për të pasur qasje pozitive ndaj praktikave dhe kërkesave të BE-së, që të mund të dëshmojë se është gati për t’u anëtarësuar në familjen e madhe evropiane.
Instituti i Studimeve Politike (në vijim ISP), po zbaton projektin “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokracinë (WDF) me mbështetjen financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë. Gjetjet dhe vlerësimet e raportit janë përgjegjësi vetëm e ISP-së.
Raporti i plotë me gjetjet dhe rekomandimet konkrete mund të lexohet këtu:
ISP – Mbikqyrja parlamentare dhe funksioni zgjedhor i Kuvendit 2024