Kuvendi i Shqipërisë, i zgjedhur më 2017 kishte 140 deputetë. Pas vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve parlamentare gjatë 2019, u bë procesi i zëvendësimeve të pjesshme në listat shumë-emërore. Aktualisht parlamenti ka 122 deputetë nga 140 që duhej të kishte. Listat proporcionale kanë shteruar dhe për pasojë, nuk mund të ketë më zëvendësime të reja. Debati nëse parlamenti duhet të ketë 140 apo 122 deputetë është më shumë debat politik sesa kushtetues. Parlamenti, në momentin që është zgjedhur i ka pasur 140 deputetë, por zhvillimet që ndodhin gjatë legjislaturës nuk përbëjnë devijim thelbësor nga parimi kushtetues.
Në traditën politike shqiptare, në rreth 35% të jetës parlamentare ka ndodhur që parlamenti të mos ketë pasur në përbërjen e tij 100% të vendeve, kryesisht për shkak të dorëheqjeve, refuzimeve të gjata për pjesëmarrje nga një palë ose individë politikë, nga vendimet e ndonjë partie për të lënë vakant vendin e deputetit për më shumë se 3 vjet, nga vendimet për arrestim deputetësh dhe konsensus për mos zhvillim të zgjedhjeve në zonë, nga vendimi i ndonjë deputeti për të ikur nga Shqipëria pa dhënë deklaratë dorëzimi të mandatit, nga proceset gjyqësore të gjata lidhur me mandatet, etj, etj. Asnjëri prej tyre nuk ngjason me rastin aktual. Rasti më i afërt është viti 1996 kur opozita refuzoi për rreth 10 muaj të vijnë në parlament dhe ndaj parlamenti ishte nën kapacitetet numerike të plota, apo në fundin e vitit 2017 kur përfundoi lista e një qarku dhe nuk u bë zëvendësimi i mandatit të fundit parlamentar.
Problemi është më shumë politik në disa aspekte:
E para, sepse opozita reale nuk është e përfaqësuar në parlament dhe bashkë me të, edhe rreth gjysma tradicionale e numrit total të votuesve. Ajo ka vendosur të dorëzojë mandatet, – zgjedhje jo normale, por me kosto kryesisht për të, – megjithatë në një shoqëri të hapur demokracia nuk është thjesht numra, është frymë dhe kontratë midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve.
E dyta, siç rezulton edhe nga tabela, ka qarqe të vendit, dhe për pasojë, elektorat të shumtë, që nuk është i përfaqësuar sa duhet në parlament. Lezha është rekord negativ për mos-përfaqësim. Po ashtu edhe qarqe të tjera, kryesisht zona ku urdhri politik i dorëzimit të mandatit është respektuar, që janë të nën-përfaqësuara dhe në kontestin shqiptar, nën-përfaqësim do të thotë edhe pasoja negative në politik-bërje, në marrjen e vendimeve, në ndarjen e buxhetit, në lobing dhe përfaqësim të interesave të këtyre zonave.
E treta, hyrja e disa deputetëve në emër të opozitës, megjithëse është legjitime, nuk duket se është përfaqësuese, pasi kryesisht janë prurje nga parti të vogla aleate apo individë pa CV politike. Natyrisht ata janë legjitimë dhe përgjegjësia për vendimin e tyre është e atyre që kanë hartuar listat e kandidatëve dhe e atyre që imponuan vendimin e dorëzimit të mandatave, por në aspektin cilësor parlamentar dhe përfaqësues, standardi i përfaqësimit të votuesve kritikë ndaj qeverisë është minimal dhe shumë larg nevojave, kërkesave, pritshmërive dhe mundësive.
Së fundi, ka edhe një problematikë ligjore që në kushtet e leximit të ligjeve dhe Kushtetutës me dy ose më shumë standarde, mund të kthehet në ushqim për krizë politike ose avragim të saj. Në disa dispozita theksohen procedura të tilla, si dy të tretat e të gjithë deputetëve, tre të pestat e të gjithë deputetëve, etj, etj. Pyetja është, tre të pestat apo dy të tretat e 140 deputetëve apo të 122 deputetëve? Referimi tek 140 deputetët lidhet me Kushtetutën dhe zgjedhjet 2017, kurse referimi tek 122 deputetët lidhet me listën fundore të mundshme të përbërjes së parlamentit aktual. Në një vend me logjikë shtetërore dominon koncepti kushtetues i 140 deputetëve, por jemi në Shqipëri dhe koha ka treguar se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese secili partiak mund të marrë përsipër të bëjë leximin e saj.
Problematika, boshllëqe e debate të tilla janë një argument i fortë e domethënës më shumë për nevojën e madhe për një reformim të plotë të sistemit përfaqësues, – sistemit partiak, sistemit zgjedhor, – për të siguruar përfaqësim të drejtë e cilësor, vendimmarrje reale qytetare, demokraci brenda-partiake e garë vlerash brenda tyre, konkurrim pluralist e alternativ në zgjedhje dhe instrumente garancie për parandalim krizash apo zgjidhje institucionale të tyre. Rendja pas teknikaliteteve, kurtheve apo zgjidhjeve të sforcuara në funksion të politikës së ditës, – vetëm sa e zgjasin krizën e përfaqësimit dhe ndikojnë në rënien e besimit publik tek institucionet. Reformat serioze dhe afatgjata bëhen duke ndryshuar sistemin korruptiv e defektoz dhe jo individin e radhës krye apo përfitues të një sistemi të tillë.
ISP (Instituti i Studimeve Politike)
Monitoruese e Kuvendit dhe aktivitetit parlamentar ne Shqiperi