Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është detyrim ligjor dhe procedurë në seancën e parë të legjislaturës. Kryetari i Kuvendit është institucion me rëndësi në sistemin tonë parlamentar, kryesisht për shkak të rolit që luan në moderimin dhe sidomos përfaqësimin publik të parlamentit. Ndryshe nga modeli britanik i “speaker”, ku një politikan moderator drejton disa legjislatura të ndryshme, apo modelit gjerman të drejtuesit të Bundestag, ku kryetari ka edhe kompetenca direkte drejtimi & disiplinore, në rastin shqiptar kompetencat e kryetarit të parlamentit janë procedurale dhe protokollare, por sipas raporteve monitoruese të Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe të tjera ndërkombëtare disa “kompetenca dhe cilësi ekstra”, si ajo e mbështetjes pa kushte për qeverinë/kryeministrin, imponimi i preferencës personale në axhendën parlamentare, drejtimi real i administratës së Kuvendit, caktimit të delegacioneve, organizimi i vizitave zyrtare apo pjesëmarrja në ceremoni dhe aktivitete politike joparlamentare, i kanë dhënë atij më shumë pushtet praktik dhe fuqi veprimi sesa kompetencat ligjore, – një devijim nga praktikat e mira demokratike dhe tregues i brishtësisë së institucioneve tona.
Referuar bilancit të tranzicionit: gjatë fazës së parë të tranzicionit parlamenti kishte kryesi dhe drejtuesit ishin të vendosur së bashku në podiumin e Kuvendit. Më 1991 u aplikua praktika, sipas të cilës, një zv/kryetar i përket partisë kryesore të opozitës. Kryesia e parë e parlamentit përbëhej nga Kastriot Islami (PPSH), Lush Përpali (PPSH) dhe Aleksandër Meksi (PD). Më 1992 rolet u ndryshuan, praktikë që është përsëritur çdo herë kur ka pasur rotacione politike, me dallimin se prej disa legjislaturave zv/kryetarët nuk zgjidhen, por emërohen nga partitë respektive dhe Kuvendi vetëm sa njoftohet për këtë fakt.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), në 10 legjislatura Kuvendi ka pasur 10 kryetarë (Arbnori dhe Topalli kanë qenë drejtues secili në dy legjislatura) dhe se tri gra kanë arritur të jenë kryetare parlamenti (Topalli, Nikolla dhe Spiropali).
- Vetëm një kryetar parlamenti ka dhënë dorëheqje parimore (Dokle, 2002), një për “arsye shëndetësore” (Nikolla, 2024), një kryetar parlamenti është zgjedhur president (Meta, 2017), një ka dhënë dorëheqje pas rizgjedhjes deputet (Ruçi, 2021).
- Pellumbi e Ruçi janë të vetmit që pas mandatit kanë dhënë dorëheqje nga politika aktive, Islami është i vetmi që gjatë viteve kaloi deputet dhe drejtues i partisë kryesore rivale dhe që u zgjodh me votim të hapur, Meta është i vetmi që u rkthye në krye të partisë së tij, Topalli është e vetmja që pas mandatit krijoi parti të re politike.
- Politikani me karrierë më të gjatë në drejtimin e parlamentit është Jozefina Topalli, e cila ka qenë 8 vjet kryetare (2005-2013) dhe 8 vjet nënkryetare e Kuvendit (1997-2005).
- Në dy raste drejtimi i parlamentit i është besuar partive aleate (Gjinushi nga PSD 1997-2001 dhe Meta nga LSI 2013-2017), të cilët janë edhe kryetarët e vetëm të partive politike që kanë qenë kryetar parlamenti.
- Meta është i vetmi kryeministër dhe president që ka qenë edhe kryetar parlamenti, Ruçi dhe Gjinushi janë të vetmit kryetarë parlamenti që kanë qenë zyrtarë të lartë politikë edhe në sistemin e kaluar përpara 1991.
- Arbnori e Topalli ishin të vetmit jo ministra në krye të parlamentit dhe njëherësh, të vetmit ish të perndjekur politikë para 1990. Arbnori kaloi rreth gjysmën e jetës aktive në bugjet politike të sistemit të kaluar, ndërkohë që nga 9 kryetarët 5 kanë qenë anëtarë të PPSH në sistemin e kaluar.
- Spiropali ka lindur më 1983, 8 vjet para parlamentit të parë pluralist, duke u qenë edhe kryetari i dytë në moshë më të re në momentin e zgjedhjes në krye të Kuvendit.
- Midis drejtuesve në vite Islami, Gjinushi dhe Nikolla janë tre ministra të arsimit të zgjedhur kryetarë të Kuvendit, ministra kanë qënë edhe Dokle dhe Meta, Spiropali është e vetmja ministre për marrëdhëniet me parlamentin që merr post të tillë.
Referuar të dhënave statistikore të votimit për kryetar parlamenti, sipas ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike (ISP), bazuar në numrin total të deputetëve (jo vetëm atyre që morën pjesë në votim),
- Pjetër Arbnori (1996 dhe 1992) ka pasur përqindjen më të lartë të votave mbështetëse, përkatësisht 82% dhe 78%, herën e parë me mbështetjen e PSD dhe PR dhe herën e dytë pa praninë e opozitës në parlament, ndjekur nga Skënder Gjinushi më 1997 me 68% me votat e PS, PSD, PAD, PAA, etj, si dhe Islami më 1991 me 68% të votave të PPSH.
- Kryetari me përqindjen më të vogël të votave mbështetëse ka qenë Pëllumbi me 50% (2002) dhe Topalli me 53% (2009). Në rastin e zgjedhës së Servet Pëllumbit më 2002, në garë përballë tij ishin edhe Preç Zogaj dhe Nikoll Lesi, secili me përqindje të vogël votash mbështetëse.
- Rasti i vetëm kur deputetë të mazhorancës dhe të opozitës propozuan një deputet për kryetar Kuvendi është viti 1991, kur 10 deputetë nga dy palët propozuan Dritero Agollin, por ai u rrëzua para se të kalohet në votim.
Monitorimi i ISP tregon se në disa raste zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është bërë në kushtet e bojkotit parlamentar nga opozita, dhe se në tërësi opozita ka pasur votë politike kundër. Në këtë legjislaturë edhe në zgjedhjen e Lindita Nikollës (2021) opozita votoi politikisht kundër, duke hedhur votat jashtë kutisë së votimit, në rastin e Spiropalit (2024) opozita ishte në sallë por refuzoi pjesëmarrjen në votim. Në dy rastet votat e PSD ishin mbështetëse për kandidatin e PS për kryetar Kuvendi.
- Tre drejtuesit e Kuvendit 2021-2024 (Nikolla, Felaj dhe Alibeaj, ky i fundit i zëvendësuar nga Gjekmarkaj), nuk kanë pasur përvojë direkte të drejtimit të parlamentit dhe u zgjodhën për herë të parë në këto poste, ndërkohë që asnjë prej kryesisë së legjislaturës së kaluar (Ruçi, Hysi e Murrizi) nuk janë më deputetë në këtë legjislaturë. Mungesa e përvojës u reflektua edhe në mënyrën e drejtimit të Kuvendit (2021-2024).
- Nga drejtuesit e rinj (Spiropali dhe Çuçi) gjithashtu të dy nuk kanë qënë drejtues në Kuvend, por drejtues në grupin parlamentar të PS ose minister shteti. Kjo është hera e parë kur mazhoranca ndryshon kryetarin dhe zv/kryetarin e Kuvendit në vitin e fundit të legjislaturës.
- Në dallim nga Nikolla pasuesja e saj Spiropali është gjeneratë e re politike, por konsiderohet gjërësisht si figurë e linjës së ashpër partiake dhe jomoderatore, cilësi këto kritike që i kanë pasur më parë edhe katër nga 9 kryetarët e tjerë të Kuvendit.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit, duke qënë organizata e vetme që e kryen këtë proces në Shqipëri.
- Raportet periodike dhe deklarimet e vazhdueshme publike janë produkte monitorimi dhe referimet e vetme profesionale mbi bilancin dhe problematikat parlamentare në vend.
- Instituti i Studimeve Politike (ISP) i ka adresuar Kuvendit (edhe gjatë këtij viti) disa rekomandime konkrete lidhur me përmirësime ligjore në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për statusin e deputetit, si dhe për jetësimin integral të parimeve të Kodit të Sjelljes dhe të standardeve të integritetit parlamentar, të cilat janë pranuar nga Kuvendi, por ende nuk janë trajtuar për të ofruar bazë ligjore dhe funksionale më demokratike, më transparente dhe më llogaridhënëse të tij.
- Në funksion të informimit publik mbi parlamentin, krahas faqes zyrtare www.isp.com.al ISP ka krijuar edhe database http://deputetim.al/.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)