Këshilltarë aktivë? Vetëm 12% në gjithë qarkun Tiranë. Lista me 22 këshilltarët më aktivë
Këshilltarët janë përfaqësues të banorëve të bashkisë, janë përfaqësues politikë, janë institucion vendimmarrës në qeverisjen lokale, por edhe “kandidatë” të përhershëm për poste më të larta në partitë respektive dhe për hyrjen në parlament. Një këshilltar i angazhuar është i interesuar të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, të marrë prej tyre shqetësime dhe sugjerime dhe të japë informacion mbi aktivitetin e tij, të njihet me prioritetet e zonës zgjedhore dhe të krijojë harmoninë e duhur midis prioriteteve të zonës dhe prioriteteve të vetë bashkisë. Si është raporti midis përgjegjësive të shkruara dhe realitetit? Sa efektivë e përfaqësues janë realisht këshilltarët tanë? Si komunikojnë ata me qytetarët? Sa vendimmarrës dhe sa transpentë janë në aktivitetin e tyre? Nga 175 këshilltarë të pesë bashkive të qarkut Tiranë, cilët janë këshilltarët më efektivë, më prezent në media dhe më me angazhim publik në trajtimin e cështjeve dhe problematikave vendore?
Pas përvojës së suksesshme me monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë, Instituti i Studimeve Politike, me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) është duke monitoruar punën e këshillave bashkiakë në pesë bashkitë e qarkut Tiranë. Kjo është vetëm një pjesë e projektit “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” që ka në fokus edhe matjen e detajuar të efektivitetit të secilit nga këshilltarët në secilën bashki. Monitorimi i raportit të këshilltarëve me median e publikun është vetëm një prej aspekteve, për të vijuar më pas me të gjitha aktivitetet e këshilltarëve, – nismat, debatet, përfaqësimi, roli, aktet publike, llogaridhënia, transparenca, konflikti i interesit, etj.
Në këtë relacion reflektohen të dhënat e monitorimit mbi standardin e angazhimit të këshilltarëve në media të ndryshme, kryesisht në mediet online, gjatë periudhës shtator 2015 – shtator 2018. Rezultati? Tregues simbolik më rëndësi është fakti se vetëm 12% janë efektivë në listën e 175 këshilltarëve të bashkisë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë. Në tërësi, shumica e atyre këshilltarëve që nuk janë aktivë ose që kanë aktivitet simbolik, kanë lënë gjurmë online vetëm në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2015 apo parlamentare 2017. Pjesën tjetër të kohë midis fushatave elektorale nuk kanë “gjurmë” duke dëshmuar se mund të kenë qenë nxitur nga partia e tyre politike ose nga klima e përgjithshme zgjedhore në vend. Lista e këshilltarëve më me shumë aktivitet mediatik në bashkitë e qarkut Tiranë, bazuar në rendje alfabetike të emrave, ndodhet më poshtë.
Në listën e këshilltarëve më aktivë bëjnë pjesë 22 këshilltarë, nga të cilët 16 janë të këshillit bashkiak të bashkisë Tiranë, 3 nga këshillit bashkiak i bashkisë Kamëz, 2 nga këshilli bashkiak i bashkisë Kavajë, 1 nga këshilli bashkiak i bashkisë Vorë, ndërkohë që mungojnë vlerësimet maksimale për ndonjë nga anëtarët e këshillit bashkiak të bashkisë Rrogozhinë, për shkak të nivelit minimal të angazhimit të tyre. Një lexim më i detajuar i listës nxjerr në pah faktin se më aktivët në Këshill janë figurat drejtues të grupeve në Këshilli, drejtuesit e vetë Këshillit, individët me poste në partitë kryesore politike si dhe individët që kanë kryesuar listat e kandidimit në zgjedhjet lokale 2015. Për shkak të angazhimit part–time të këshilltarëve, drejtuesit e grupeve dhe figurat politike kryesore kanë edhe aktivitet më të fokusuar dhe mbajnë peshën kryesore të debateve në këshill dhe në përfaqësimin e tij në raport me institucionet e tjera dhe publikun.
http://www.kohajone.com/2018/10/06/22-keshilltaret-me-aktive-ne-pese-bashkite-e-qarkut-te-tiranes/?fbclid=IwAR1ntk8lslJ_NMzkFXzCHuErQLv8Lg7wuwFOms6HmzwLZvSDbtzPDRh8qIs
https://politiko.al/tabela-kush-jane-22-keshilltaret-me-aktive-ne-pese-bashkite-e-qarkut-te-tiranes-pd-kryeson-listen/?fbclid=IwAR2FskfCRdlyEitJiG6oPfpJlIr8tmAknTfJFhlk1p8NsEgpZ8fAt8QC_oA
http://www.gazetatema.net/2018/10/06/raporti-keshilltare-aktive-vetem-12-ne-gjithe-qarkun-tirane-angazhohen-ja-emrat-e-atyre-qe-jane-me-efektive/?fbclid=IwAR2YvOPzbYuE7buize7uT7WpquPSlHbE3T9_Vh7i8CxjoQHiIKDgPiJVs4M