Kuvendi organizoi hedhjen e shortit për KED më 7 dhjetor 2018. Dy kandidaturat e Gjykatës Kushtetuese ishin problematike, – një kandidat në proces vettingu në Kolegjin e Apelimit (u shkarkua një javë më pas), dhe kandidatura e dytë një anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të përfunduar dhe njëherësh kandidate për një post tjetër të lartë, kryetare në KLSH. Nga Gjykata e Lartë gjithashtu pati një të zgjedhur, njëherësh edhe kandidat për Gjykatën Kushtetuese dhe një zëvendësues, njëherësh kandidat tashmë i zgjedhur në KLGJ. Nga Prokuroria e Përgjithshme pati vetëm një kandidat, pa zëvendësim, Prokuroria aktuale e Përgjithshme. E njëjta situatë u paraqit edhe nga prokurorët e apelit, me vetëm një kandidat dhe pa zëvendësues. Pjesa më e madhe e anëtarëve të KED të zgjedhur nuk kanë kaluar ende në procesin e vettingut, dhe se disa prej tyre kanë poste të tjera të larta paralele. Konkretisht, sipas të dhënave nga raporti monitorues i Institutit të Studimeve Politike nga 9 anëtarë që duhet të ketë KED, aktualisht ai ka vetëm 7, pasi mungon një anëtar nga Prokuroria e Apelit, si dhe mungon një anëtar nga Gjykata Kushtetuese pas shkarkimit të kreut të kësaj gjykate. Nga anëtarët tanishëm të KED, katër e kanë kaluar vettingun, (Ardian Dvorani, Artan Marku, Vitore Tusha dhe Fatjona Memçaj), dy janë në proces vettingu (Fatri Islamaj dhe Gurali Brahimllari), kurse i fundit, gjyqtarja e apelit, Margarita Buhali, ende nuk është shortuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për të nisur procesi i vettingut.
Kryetar aktual i KED është zgjedhur anëtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, një emër i njohur në karrierën në gjyqësor, por i kontestuar ashpër nga opozita gjatë procesit të vettingut. Sipas njoftimit të Gjykatës së lartë në shkurt 2017, në atë kohë paraqitën kërkesën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese gjyqtarët Medi Bici, Ardian Dvorani dhe Luan Hasneziri. Bici është zgjedhur edhe anëtar i KLGJ, ndërkohë që është anëtar zëvendësues në KED, kurse Dvorani është kryetar i KED, pra i strukturës që duhet të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. KED do të përballët në muajt e ardhshëm me sfidën e konfliktit të interesit midis anëtarëve dhe ambicies së tyre për konkurrim për poste të larta në sistemin e ri të qeverisjes së drejtësisë, si dhe me vendimmarrjen e vettingut për disa anëtarë të tij.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se Institucioni i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) ka një rëndësi të madhe në jetësimin e institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos në procesin e zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe në nivele të tjera të sistemit. Sipas paketës kushtetuese dhe ligjore, KED për listimin e kandidatëve për poste të ndryshme, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, dhe nëse institucionet e tjera (Kuvendi, Presidenti, etj) nuk bien dakord për votim me shumicë të cilësuar të kandidatëve fitues aplikohet formula sipas të cilës, kandidati i parë i renditur në listën e KED fiton automatikisht. Pra, nga një strukturë që duhet të bëjë vlerësimin teknik të të dhënave të kandidatëve dhe renditjen e tyre mbi bazën e disa kritereve, KED de facto merr një rëndësi specifike, dhe renditja e saj, në mungesë të konsensusit politik shprehur me votën e shumicës së cilësuar në Kuvend, përcakton fituesit.
Për këtë arsye cilësia e përbërjes, standardet e funksionimit, kriteret e vlerësimit dhe të renditjes dhe praktikat e punës së KED kanë një rëndësi specifike dhe mund të kenë ndikim thelbësor në përbërjen e disa prej institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Përballë kësaj përgjegjësie të madhe do të duhej që KED të kishte përbërje sa më cilësore, të kishte legjitimitet maksimal dhe të veprojë me transparencë dhe standard të lartë. Në gjendjen aktuale KED është ende larg këtyre pritshmërive.
Për më shumë të dhëna dhe analizë, mund të lexoni / shkarkoni raportin e plotë të Institutit të Studimeve Politike mbi reformën në drejtësi, bilancin 2018 dhe sfidat 2019 në linkun
http://isp.com.al/…/reforma-ne-drejtesi-2018-bilanci-probl…/