Në të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë bashkia Vorë ka performancën më të lartë të komunikimit me qytetarët dhe në nivelin e ofrimit të shërbimeve publike. Të dhënat e konstatuara nga anketime dhe vlerësime profesionale mbi performancën, janë tregues se ndarja e re territoriale ka rezultuar pozitive për bashkinë Vorë. Megjithatë rruga drejt një bashkie dhe qeverisjeje vendore transparente, llogaridhënëse dhe në funksion të qytetarit aktiv dhe pjesëmarrës, mbetet ende e gjatë.
Për të debatuar mbi raportin që kanë komunitetet lokale në qeverisjen e re vendore, si edhe mbi problematikat specifike që lidhen me përfaqësimin, pjesëmarrjen dhe transparencën në rastin e bashkisë Vorë, ekipi i Institutit të Studimeve Politike ishte në shkollën e mesme “Shaban Sheshori” Prezë, Vorë. Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” mbështetur nga Lëviz Albania.
Ekspertët e ISP Ervin Karamuço dhe Elsa Kepi diskutuan me të rinjtë mbi gjetjet më të rëndësishme të raporteve monitoruese dhe aktivitetit monitorues të ISP ndaj kësaj bashkie. Ata iu përgjigjën interesit të të rinjve mbi rolin e komuniteteve lokale në mirëqeverisjen vendore, kërkesat dhe shqetësimet e tyre, perceptimet dhe sugjerimet mbi një sistem më përfaqësues dhe llogaridhënies në nivelin vendor, si dhe raportet e pushtetit vendor me atë qendror në zgjidhjen e problematikave prioritare qytetare, sidomos ato për të rinjtë.
Aktiviteti në Vlorë është pjesë e një liste të gjatë aktivitetesh të njëjta që ISP po zhvillon në shkolla të mesme, universitete publike e private, si dhe grupime komunitare në secilën prej pesë bashkive të qarkut Tiranë.