Monitorimi i ligjërimit politik në ecurinë e reformës në drejtësi gjatë muajit janar 2020 ka shënuar 15 raste kur politikanë të lartë, përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë, PS, PD, LSI etj, përmes konferencave të shtypit, fjalimeve apo shënimeve në rrjetet sociale, kanë denoncuar raste që sipas tyre përbëjnë bazë hetimi dhe fajësimi për korrupsion të rivalëve të tyre politikë. Në çdo rast denoncimi mediatik është shoqëruar me adresim gati urdhërues ndaj SPAK (Prokurorisë së Posaçme) për hetime.
ISP vlerëson se, ndonëse është pozitiv fakti se qeveria dhe partitë politike e pranojnë legjitimitetin e SPAK dhe kanë pritshmëri ndaj saj në vendimmarrjet anti-korrupsion, forma dhe mjetet që ato po ndjekin në adresim janë populiste, spekulative dhe de facto amnistuese ndaj korrupsionit. Politikanët, zyrtarët dhe çdo qytetar që posedon fakte denoncuese kanë të drejtën dhe përgjegjësinë ta adresojnë atë direkt në adresën e SPAK ose në faqen zyrtare “www.spak.al / raporto raste korrupsioni”.
Kjo e drejtë dhe përgjegjësi është e dyfishtë kur kemi të bëjmë me politikanë, të cilët e kanë votuar vetë ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” (SPAK). Nëse ata e kanë seriozisht retorikën dhe premtimet ndaj korrupsionit dhe nëse kanë fakte konkrete le të heqin dorë nga praktikat e fletë-rrufeve të revolucionit kulturor dhe të ndjekin rrugën zyrtare të denoncimit dhe hetimit të tyre. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se asnjë palë politike, as qeveria dhe as partitë kryesore, nuk kanë adresuar zyrtarisht ndonjë denoncim te SPAK.
ISP vlerëson se përpjekja për të bërë gjyqe publike përmes rrjeteve sociale, konferencave të shtypit apo fjalimeve, duke lëshuar urdhra e ultimatume verbale në adresë të SPAK dhe gjykatave, si dhe duke folur e kërcënuar në emër të tyre, përveçse një akt propagande denigrues ndaj luftës anti-korrupsion shpreh edhe kulturë politike para-demokratike. Kjo përbën edhe një investim publik kundër thelbit të reformës në drejtësi dhe pritshmërive të mëdha qytetare për vetingun në politikë dhe shtetin e së drejtës.
ISP fton gjithashtu edhe institucionet e reja të drejtësisë, – KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshëm dhe SPAK, – të apelojnë publikisht për ndalimin e dhunës verbale dhe spekulimit në emër të tyre nga politikanë të çdo spektri politik, si dhe të garantojnë qytetarët se në çdo rast janë e do të jenë në mbrojtje të zbatimit të ligjit përballë shkelësve të tij, përfshirë edhe rastet kur këta të fundit janë politikanë apo zyrtarë të lartë, individë apo grupe individësh me ndikim të madh në vendimmarrjet politike e publike.
DEKLARATA E PLOTË: