Shumica absolute e vendeve në rajon dhe më gjerë lejojnë konkurrimin lokal. Një parti me shtrirje lokale apo një parti me vetëm një grup kandidatësh të kualifikuar lejohen të konkurrojnë duke hyrë në garë vetëm në zona me potencial përfaqësimi. Ligji shqiptar është radikal: nuk lejon parti lokale dhe detyron partitë të paraqesin kandidatë në 12 qarqe. Kjo ndodh p.sh, edhe parti me natyrë minoritare, të cilat nuk kanë kandidatë realë në zonat e tjera, por detyrohen të gjejnë kandidatë fiktivë, për të qenë “ligjërisht korrekt”.
Kodi Zgjedhor 2020, neni 67/4, detyron partitë/subjektet politike të konkurrojnë jo vetëm në nivel kombëtar, por të paraqesin një listë me + 2 më shumë kandidatë sesa numri i mandateve në zonë. Kodi shkon më tej, kur në emër të balancimit gjinor, kërkon që në çdo rast numri i kandidatëve të jetë i pjesëtueshëm me 3, pra në shumicën e zonave të ketë më shumë se dy kandidatë. Konkretisht, nëse në Korçë, p.sh, ka 11 mandate, partitë duhet të paraqesin 15 kandidatë, sepse vetëm numri 15 përmbush kriterin, + 2 mandate dhe më pas edhe kriterin e pjesëtimit me 3. Në Kukës nga 3 mandate duhen 6 kandidatë, në Durrës nga 14 mandate duhen 18 kandidatë, në Dibër nga 5 mandate duhen 9 kandidatë, etj. Në total, për 140 vende duhet që partitë konkurruese të paraqesin minimumi 174 dhe maksimumi 177 kandidatë, pra rreth 34-37 kandidatë më shumë sesa vende në parlament, duke pasur parasysh se kryetari mund të konkurrojë në 4 zona.
Nevoja për të plotësuar këtë kusht, penalizon ndjeshëm partitë e vogla dhe partitë e reja politike, të cilat duhet të fokusohen tek gjetja e kandidatëve në të gjithë vendin dhe plotësimi i dokumentacionit të tyre dhe jo tek fushata elektorale në 4-5 qarqe, ku realisht ato kanë pretendime për vota. Gjithashtu skema të tilla detyruese vendosin sasinë mbi cilësinë e përfaqësimit, krijojnë lista kandidatësh fiktivë dhe pa ndonjë tregues profesionalë, duke sjellë në politikë emra që mund të jenë jo përfaqësues dhe me imazh negativ publik, siç ndodhi në prurjet e rastësishme nga listat zëvendësuese të vitit 2019 në parlament.
Kodi Zgjedhor nuk ndryshon dhe rregulli mbetet në fuqi, por partitë duhet ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të sjellë në lista emra me sa më shumë integritet, individë të pastër dhe kandidatë të denjë, pavarësisht shanseve të tyre elektorale dhe vendndodhjes në listën shumëemërore.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Tiranë.