Instituti i Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” në harkun kohor tetor 2023 – shtator 2025. Ky projekt, është një angazhim i gjatë i ISP-së në monitorimin e përpjekjeve për dekriminalizimin, garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike në Shqipëri. Nëpërmjet zbatimit të projektit konstatohet se parimet e integritetit në politikë dhe në vendimmarrje, janë kusht dhe interes jetik për shtetin dhe shoqërinë shqiptare dhe se kërkohet për të bërë akoma më shumë për një proces vendimmarrës të pastër, transparent dhe llogaridhënës për të rritur besimin e qytetarëve, pasi edhe pse u bë dekada e parë e miratimit të ligjit të dekriminalizimit çështja e integritetit të së zgjedhurve ka vazhduar të jetë çështje debati dhe në fund të ditës është e qartë se ende nuk ka një vijë të qartë ndarjeje mes politikës dhe individëve me lidhje dhe rekorde kriminale.
Shqipëria i afrohet një dekade nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit, megjithatë sfidat e pastrimit të politikës nga personat me të shkuar kriminale dhe korruptive kanë ndryshuar natyrë dhe formë. Forcimi i institucioneve të drejtësisë, respektivisht Vetingut (vlerësimi i pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional të prokurorëve dhe gjyqtarëve) si dhe funksionaliteti i plotë i SPAK (Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka ekspozuar gjithnjë e më shumë përfshirjen e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë në korrupsion dhe lidhjen e funksionarëve të policisë së shtetit dhe politikës me krimin e organizuar. Ligji i dekriminalizimit, SPAK dhe Vetingu përbëjnë një kornizë institucionale dhe ligjore gjithëpërfshirëse, që po godet pandëshkueshmërinë dhe krimin e organizuar duke dhënë shenja të forta për pastrimin e politikës dhe shtetit nga individët me rekorde korruptive dhe kriminale.
Ky raport në tërësinë e tij përmbledh aktivitetet, gjetjet kryesore, rekomandimet dhe problematikat në jetësimin e parimeve të dekriminalizimit dhe standardet e integritetit në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve publikë. Rekomandimet do t’u adresohen institucioneve shtetërore kushtetuese dhe përfaqësuese, aktorëve politikë dhe institucionalë përgjegjës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe respektimin e standardeve të integritetit të zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar.
ISP falënderon për mbështetjen stafin e NED për projektet në Shqipëri, organizatat e shoqërisë civile, median, institucionet përgjegjëse dhe stafin teknik që mundësoi monitorimin dhe zbatimin e të gjithë elementëve të tjerë të projektit.
GJETJET KRYESORE TË PROJEKTIT
Pavarësisht progresit në procesin e dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve shtetërore, jetësimi gjithëpërfshirës i parimeve të dekriminalizimit mbart akoma plot sfida.
Së pari, partitë politike dhe institucionet shtetërore në tërësi kanë bërë pak për integrimin konkret të praktikave parandaluese, duke mos garantuar kandidatë apo funksionarë politik dhe publik me integritet. Interesat e ngushta politike, kapitalizimi i lidhjeve informale me botën e krimit dhe individët e korruptuar për interesa elektorale, klientelizmi dhe sistemi i patronazhit në emërimin e funksionarëve publikë ka penguar jetësimin e praktikave të mira parandaluese në jetën politike dhe shtetërore. Kështu, vullneti politik për të garantuar funksionarë të zgjedhur dhe emëruar në pozita të larta shtetërore mungon.
Së dyti, procedimi dhe rënia eventuale në rrjetën e dekriminalizimit të zyrtarëve të niveleve të larta ka ashpërsuar retorikën politike kundër institucioneve të drejtësisë. Kreu i SPAK është sulmuar nominalisht nga politikanë të lartë në vend të cilët janë vendosur nën hetim apo masa sigurie nga SPAK si të dyshuar për korrupsion. Intensifikimi i retorikës kundër SPAK sinjalizon se do të ketë rezistencë ndaj efekteve të ligjit të dekriminalizimit në rast masash gjyqësore ndaj politikanëve me ndikim në jetë e vendit.
Së treti, goditja e kulturës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta ka nxitur përpjekje për të minuar punën e SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Në prill 2024 Kuvendi miratoi më votë pothuajse bipartizane një amnisti penale, e cila lehtësoi dënimet e disa zyrtarëve për korrupsion, duke goditur punën e institucioneve të drejtësisë në këtë drejtim. Veprime të tilla pengojnë thellimin e procesit të dekriminalizimit dhe minojnë shtetin e së drejtës dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Në kuadër të kësaj përpjekjeje duket edhe nisma e fundit në Kuvendin e Shqipërisë ku është ngritur një komision i posaçëm për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Nisma ka ngjallur debate të shumta dhe ka shqetësime serioze që ajo synon reduktimin e fushës së veprimit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Së fundi, delegacioni i BE në Tiranë ka nënvizuar se pavarësia e sistemit të drejtësisë nuk mund të jetë objekt i punës së institucioneve të tjera.
Akte të tilla tregojnë se Shqipëria ka rrugë të gjatë përpara në implementimin tërësor të parimeve të ligjit të dekriminalizimit. Forma të reja të rezistencës janë në veprim, ndërsa kultura e dobët demokratike dhe institucionale rrezikon ta kthejë dekriminalizimin në një punë të pambaruar për një periudhë të gjatë kohe.
Në terma konkretë si gjetje kryesore të konstatuar gjatë zbatimit të projektit, mund të përmendim:
- Gjatë periudhës së parë të vitit 2024 jetësimi në mënyrë gjithëpërfshirëse i parimeve të dekriminalizimit është paraprirë dhe ndihmuar nga intensifikimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar. Forcimi i mëtejshëm i organeve të reja të drejtësisë po ndihmon në shkëputjen e lidhjeve të aktorëve me rekorde korruptive dhe kriminale nga jeta politike dhe institucionale e Shqipërisë.
- Si rrallëherë në historinë post-komuniste të Shqipërisë, ish-presidentë dhe ish-kryeministra janë proceduar apo po hetohen nga SPAK për përfshirje në korrupsion. Një ish-ministër është referuar në GJKKO për gjykim, drejtues të bashkisë Tiranë po hetohen nga SPAK, ish-kryebashkiakë në Patos apo Lushnje, etj, po procedohen, drejtues dhe ish-drejtues në Bashkinë Tiranë, agjencitë shtetërore, Policinë e Shtetit, Bankës së Shqipërisë, prokurorë dhe gjyqtarë janë proceduar për vepra korruptive apo shkelje të tjera ligjore.
- Me gjithë burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare, strukturat antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar kanë goditur grupe kriminale me influencë në jetën ekonomike dhe politike të vendit. Janë arrestuar apo shpallur në kërkim individë të krimit të organizuar dhe janë konfiskuar pasuri të paligjshme duke goditur infrastruktura kriminale në vend. Disa grupe kriminale u goditën duke arrestuar dhe shpallur në kërkim dhjetëra drejtues dhe anëtarë, ndërsa hetimet nxorën në dritë lidhjet e ngushta të tre ish-deputetëve me krimin e organizuar.
- Institucionet e drejtësisë kanë thelluar luftën kundër kulturës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta, e cila po ndihmon në shkëputjen e lidhjeve të individëve me rekorde korruptive nga vendimmarrja publike e Shqipërisë. Progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka forcuar dhe zgjeruar hapësirën vepruese dhe parandaluese të ligjit të dekriminalizimit. Vendosja nën hetim e zyrtarëve të lartë dhe ekspozimi i individëve të përfshirë në aktivitete kriminale po këput lidhjet e individëve me probleme ligjore me institucionet e shtetit dhe dekurajon përfshirjen e drejtpërdrejtë të rrjeteve kriminale në jetën politike dhe publike të vendit.
- Thellimi i luftës së organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit në nivele të larta ka ashpërsuar retorikën e aktorëve politikë kundër institucioneve të drejtësisë. Zyrtarë të lartë publikë kanë sulmuar punën e SPAK, ndërsa miratimi i një amnistie penale nga Kuvendi minoi progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tentativa e aktorëve politikë për të bërë ndryshime ligjore në reformën në drejtësi pa u konsultuar me institucionet e drejtësisë dhe në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare, rrezikon të reduktojë fushën e veprimit të drejtësisë kundër korrupsionit dhe krimit. Kjo do të sjellë rrjedhimisht gërryerjen e zbatimit integral të ligjit të dekriminalizimit.
- Kultura e brishtë demokratike në partitë politike, nepotizmi dhe klientelizmi në institucionet shtetërore është një faktor shtesë pengues i zbatimit të klauzolave ligjore parandaluese të parashikuara në ligjin e dekriminalizimit. Ndërsa Shqipëria bëhet gati të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, rreziku i influencës informale në proceset politike dhe vendimmarrjen publike të aktorëve me rekorde korruptive dhe kriminale do të rritet.
- Mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional dhe rezistenca ndaj veprimtarisë së organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit në nivele të larta, vendosin në rrezik progresin e arritur deri tani me dekriminalizimin e shtetit dhe jetës politike. Ndërsa korniza institucionale në sistemin e drejtësisë dhe parimet radikale në ligjin e dekriminalizimit po japin efekte pozitive, është jetike që aktorët e shëndoshë politikë, shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar të mbrojnë dhe forcojnë pavarësinë dhe kapacitetet e sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
- Në vjeshtë të vitit 2024 Shqipëria hapi grupin e parë të kapitujve në procesin negociues për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, intensifikimi i reformave në fushën e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do jetë thelbësore për ritmin e avancimit të vendit në rrugën e integrimit evropian.
- I lidhur ngushtë me integrimin në BE, gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 procesi i dekriminalizimit ka vijuar të paraprihet nga progresi i bërë nga institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhjetëra zyrtarë të lartë janë proceduar për vepra të reja penale, ose janë referuar në gjykatë për gjykim, duke paralajmëruar efektet pasuese të ligjit të dekriminalizimit. Gjithashtu dhjetëra individë të krimit të organizuar me lidhje informale me politikën janë goditur nga SPAK dhe ndodhen përpara drejtësisë.
- Në nivel të mesëm dhe të ulët të administratës dhe institucioneve kushtetuese janë proceduar rreth 117 individë me probleme me ligjin nga Prokuroria e Përgjithshme, 80 oficerë policie janë pezulluar ose referuar në Prokurori për shkelje administrative ose vepra penale, dhe 130 individë në administratën publike në nivel qendror dhe vendor janë proceduar nga Policia e Shtetit. Një numër kaq i lartë tregon se institucionet shtetërore kanë aplikuar standarde të dobëta verifikimi paraprak dhe rekrutimi.
- Progresi i institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar është hap pozitiv në jetësimin gjithëpërfshirës të parimeve të dekriminalizimit në jetën politike dhe shtetërore të Shqipërisë. Megjithatë, procesit i kanosen disa rreziqe dhe sfida me të cilat do të duhet të përballet në vitet në vijim.
- Partitë politike dhe institucionet kushtetuese të vendit nuk kanë ndërtuar mekanizma efektivë dhe transparentë parandaluese. Aktet rregullatore të miratuara mbeten shpesh vetëm në letër. Kultura klienteliste, interesat elektorale të ditës dhe sistemi i patronazhimit në promovimin politik dhe emërimin në detyra shtetërore vijojnë të sfidojnë parimet e dekriminalizimit.
- Lidhjet informale me botën e krimit mbeten prezentë, ndërsa ka shenja se puna e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër kulturës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta po has rezistencë. Ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar me objekt të paqartë dhe me fuqi për të kufizuar veprimtarinë dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë qëndron si shpatë demokleu mbi kokën e parimeve të ligjit të dekriminalizimit.
REKOMANDIME KRYESORE
ISP duke qene se ka një periudhë disavjeçare qe ndjek dhe monitoron promovimin dhe llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur, nëpërmjet raporteve periodike ka dhënë rekomandime në lidhje me dekriminalizimin, antikorrupsionin dhe integritetin e personave te zgjedhur apo të emëruar në funksione publike, si në aspekte të rishikimit të legjislacionit specifik, ashtu dhe në rekomandime për masa parandaluese nga partitë politike dhe institucionet ligjzbatuese. Në këto kushte përveç rekomandimeve që ka parashtruar në raportet e mëparshme, të cilat janë të pazbatuara dhe të cilave ISP u qëndron, në përfundim të analizës të këtij raporti rekomandon dhe sa më poshtë :
- Politika duhet te heqë dora nga praktika e ushtrimit të presioni ndaj institucioneve te cilat kanë detyrën kushtetuese dhe ligjore për të audituar hetuar dhe ndëshkuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, shpërdorimit të detyrës etj. qoftë edhe nëse përdoren “taktika ligjore”, nëpërmjet komisioneve parlamentare. Pavarësia e institucioneve si SPAK, GJKKO, KLSH, garanton largimin dhe ndëshkimin e personave te inkriminuar dhe korruptuar nga funksionet publike.
- Institucionet dhe partitë duhet të respektojnë kodet e sjelljes dhe standardet e integritetit të ligjëruara në aktet e brendshme rregullatore. Ato duhet të nxisin forcimin dhe reformimin e praktikave të zgjedhjes/emërimit, si dhe të bëhen llogaridhënëse.
- Një politikë me integritet përdor mekanizmat, fuqinë dhe përgjegjësinë për të shmangur tensionet, incidentet dhe konfliktualitetin. Demokracia funksionale dhe shteti i së drejtës mundësohet vetëm nga integriteti në përfaqësim, në vendimmarrje dhe në llogaridhënie.
- Krimet zgjedhore të denoncuara nga organet ligjzbatuese dhe të provuara publikisht meritojnë hetime shteruese dhe brenda një afati të arsyeshëm. Asnjë zyrtar i përfshirë në krime zgjedhore nuk duhet të vijojë të ushtrojë funksione drejtuese.
- Kuvendi dhe partitë parlamentare duhet të reformojnë aktet e brendshme
rregullatore në mënyrë që zyrtarët e zgjedhur të jenë realisht llogaridhënës dhe të përballen me ligjin kur ata kryejnë akte antiligjore. - Legjislacioni duhet të mundësojë që zyrtarët përgjegjës për jetësimin e standardeve të emërimeve/konkurrimeve duhet të përballen me pasojat ligjore apo administrative për çdo rast kur aktet e tyre rezultojnë në shkelje ose devijim nga standardet e ligjit dhe integritetit.
- Kuvendi përmes raportimeve vjetore, qeveria përmes enteve përgjegjëse, sidomos Ministria Antikorrupsion dhe ajo e Drejtësisë duhet të adresojnë shqetësimin, duke ofruar mekanizma funksionalë të kontrollit, transparencës dhe integritetit antikorrupsion.
- Institucionet e ngarkuar me përgjegjësi nga ligji 138/2015 duhet të kryejnë verifikime paraprake, të publikojnë formularët dhe të reagojnë në kohë dhe me standarde të njëjta për çdo rast të dyshuar, të denoncuar publikisht ose të raportuar në media.
- Për të garantuar integritetin në institucionet arsimore dhe shkencore, Senatet e universiteteve dhe strukturat e etikës, Kuvendi dhe Ministria përgjegjëse, përmes akteve konkrete duhet të reflektojnë që të sigurojnë liri akademike, konkurrencë vlerash dhe jetësim të transparencës dhe llogaridhënies. Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpërmjet auditimeve financiare dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve nëpërmjet mbikëqyrjes duhet të denoncojnë të gjitha rastet korruptive, të marrin masat për garantimin e zbatimit integral të ligjeve dhe jetësimin e masave antikorrupsion përmes ndërhyrjes ose nxitjes për transparencë, meritokraci dhe llogaridhënie.
- Standardet e dekriminalizimit dhe të vetingut në politikë duhen jo vetëm deklaruar, por edhe zbatuar në radhë të parë nga partitë kryesore politike. Interesi për vota nuk mund të konkurrojë me integritetin e personave të kandiduar apo të shkëmbehet me poste politike dhe ekzekutive.
- Kuvendi ka detyrimin kushtetues të zbatojë menjëherë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të dëshmuar funksionalitetin e shtetit ligjor, integritet, besueshmëri, efektivitet dhe aftësi në zbatimin dhe përvetësimin e politikës së pastër dhe standardeve të shtetit të së drejtës.
- Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të investohen më shumë në rritjen e profesionalizmit dhe integritetit publik përmes një sistemi më transparent emërimi dhe karriere. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe institucionet e tjera duhet të refuzojnë donacionet private në konflikt interesi dhe të jenë transparentë me median.
Raporti mund të sigurohet duke kontaktuar ISP në adresë zyrtare. Për shkak të të dhënave sensitive rezervojmë të drejtën të mos e publikojmë në versionin e plotë.