Viti 2025 është i dyti pas përvojës së vitit 2021 kur zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e ri në mesin e sesionit të rregullt parlamentar. Në praktikën e vitit 2021 raportimi i institucioneve të pavarura dhe miratimi i rezolutave u bë për më pak se 90 ditë, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare. Kuvendi ka miratuar kalendarin e raportimeve dhe ushtrimi cilësor i funksioneve mbikëqyrëse dhe zgjedhore të parlamentit përbën një sfidë për Kuvendin.
Bazuar në këtë përvojë dhe pritshmëri, ISP vlerëson dhe sugjeron:
Lidhur me institucionet e pavarura kushtetues edhe ato të krijuara me ligj:
- Institucionet mund të reflektojnë nga kritikat dhe rekomandimet e ndryshme të procesit mbikëqyrës 2024 për të përmirësuar strukturën dhe brendësinë e raportimit;
- Institucionet mund ta adresojnë raportet vjetore përpara afatit të kërkuar ligjor për të mundësuar më shumë akses për konsultime dhe debate publike;
- Institucionet mund të adresojnë në Kuvend pozicionet e lira ose me mandat të përfunduar, duke nxitur sensibilizim publik dhe politik për zgjedhjen e tyre;
- Institucionet mund të koordinohen me Kuvendin për të njësuar praktikat, metodologjinë dhe formatin e raportimeve vjetore.
Lidhur me rolin e Kuvendit dhe përgjegjësitë e tij:
- Komisionet përgjegjëse parlamentare mund të adresojnë me prioritet seancat dëgjimore paraprirë nga aksesi për konsultime më të gjëra publike;
- Komisionet përgjegjëse parlamentare mund të planifikojnë thirrje dhe procedura për zgjedhjen e vendeve vakante në institucionet e pavarura;
- Kuvendi mund të përmirësojë sistemin online të informacionit për publikun lidhur me raportet vjetore, gjetjet dhe sugjerimet;
- Kuvendi mund të krijojë akses më të hershëm për shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të vlerësuar raportet vjetore dhe ofruar opinione.
Ky infograf bëhet në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë. Informacioni dhe pikëpamjet e shprehura në këtë factsheet janë ato të ISP-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të WFD-së, financuesve të saj apo Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. As WFD dhe as ndonjë person që vepron në emër të saj, nuk mund të mbahet përgjegjës për përdorimin që mund t’i jetë bërë informacionit që ai përmban.