ZGJEDHJE 2015 – RISITË DHE PROBLEMATIKAT E PËRFAQËSIMIT GJINOR

  • February 2, 2018
  • 19 Views
ZGJEDHJE 2015 – RISITË DHE PROBLEMATIKAT E PËRFAQËSIMIT GJINOR

Më 21 qershor 2015 u zhvilluan zgjedhjet lokale në Shqipëri. Këto ishin zgjedhjet e para lokale në kuadër të reformës së re territoriale dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor lidhur vendosjen e kuotave gjinore për në këshillat bashkiakë. Sistemi i votimit bazohej në dy vota: votë në mazhoritar për kryetarin e bashkisë dhe votë në proporcional për këshillat bashkiakë, përkatësisht, listën e mbyllur të kandidatëve të paraqitur nga partitë dhe koalicionet politike. Në këto zgjedhje Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e UN Women dhe Ambasades Suedeze, kreu monitorimin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në zgjedhjet lokale.

Në zgjedhje morën pjesë 47% e zgjedhësve me të drejtë vote, 42% e të cilëve janë votuese gra dhe vajza. Në shifra krahasuese morën pjesë 4-5% më pak votues totalë sesa në zgjedhjet e vitit 2011 dhe 2013, dhe 3% më pak gra e vajza votuese në krahasim me 2011. Rënia e pjesëmarrjes lidhet me një sërë faktorësh, ku më kryesorët janë paqartësitë rreth reformës së re territoriale, problematika e krijuar nga fushata në një territor e numër popullsie shumë herë më të madh, fakti se diferencat midis koalicioneve dhe ofertave politike ishin minimale dhe se vota lokale pas rotacioneve politike reflekton edhe një masë zhgënjimi ose proteste ndaj problemeve të qeverisjes qendrore.

Në hartën e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në zgjedhje ekzistojnë diferenca të mëdha midis bashkive. Hendeku më i madh shënohet midis Bashkisë M.Madhe (12%) e Përmet (16%) me bashkitë Has (52%) dhe Klos (50%). Në nivel qarku, Durrësi ka rritjen më të madhe me 6% më shumë votuese gra e vajza sesa më 2011, kurse Gjirokastra dhe Shkodra kanë rënien më të madhe, përkatësisht, 8% dhe 14% nga viti 2011. Kurba e pjesëmarrjes lidhet me specifika të zonave elektorale, ndikimi i emigrimit të viteve të fundit, niveli i rivalitetit elektoral mobilizues, si dhe faktorë të tjerë socialë e lokalë.

Në zgjedhjet 2015 u aplikua për herë të parë kuota gjinore e kandidimit 50% me 50% për në këshillat bashkiakë. Përpjekja për vendosje kuote kandidimi për në garën për bashkitë u refuzua nga Kuvendi. Pavarësisht kuotës 50% të kandidimit për këshilla në përfundim rezultuan 35% gra e vajza të zgjedhura në këshilla. Diferenca midis dy shifrave duket shpjeguar nga sistemi i votimit në proporcional, ku sa më shumë parti politike të fitojnë aq më pak shanse ka respektimi i kuotës së barabartë gjinore, pasi shumica e partive të vogla kandidojnë me lista me në krye kandidate meshkuj.

RAPORTI I PLOTË MUND TË SHKARKOHET / LEXOHET MË POSHTË:

ZGJEDHJE 2015 – RISITË DHE PROBLEMATIKAT E PERFAQESIMIT GJINOR