Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë është institucioni kryesor politik dhe vendimmarrës në sistemin tonë politik. Ai përfaqëson pushtetin legjislativ dhe ka rol thelbësor në jetësimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale. Krahas funksionit ligjvënës Kuvendi kryen edhe funksion zgjedhor, funksion mbikëqyrës dhe kontrollues për institucionet e pavarura.
Një parlament funksional dhe cilësor ka mekanizma efektivë për ushtrimin e llogaridhënies, – institucionet që raportojnë në Kuvend kanë mundësi që përmes këtij procesi të dëshmojnë integritet dhe të jetësojnë standardet e transparencës. Raportimi periodik, kontrolli parlamentar, procesi i mbikëqyrjes parlamentare, adresimi i rekomandimeve dhe ndjekja e zbatimit të tyre, janë instrumente demokracie dhe anti-korrupsioni.
Për të diskutuar mbi gjetjet, rekomandimet, praktikat e mira, konceptet e përfaqësimit dhe të transparencës, mekanizmat e llogaridhënies dhe të integritetit, ISP organizoi një forum debati me studentë të drejtësisë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Prof. Ervin Karamuço foli mbi standardet e integritetit parlamentar, Prof. Dorina Hoxha foli mbi funksionin përfaqësues të parlamentit dhe praktikat e bashkëpunimit të fakultetit në aktivitete të tilla, si dhe Prof. Enkelejda Olldashi solli ekspertizë dhe rekomandime në referimin mbi sfidat për integritet, transparencë dhe llogaridhënie në parlamentin shqiptar.
Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Ëestminster për Demokraci (WFD) me mbështetjen financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Gjatë vitit 2023 Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar me monitorimin, analizimin dhe adresimin e rekomandimeve përmirësuese për funksionin mbikëqyrës dhe standardet e mekanizmit raportues të Kuvendit. Disa raporte me gjetje e rekomandime janë publike në adresën e ISP-së www.isp.com.al.