Shqipëria tashmë është përfshire në fushatën elektorale për zgjedhjet administrative të 14 Majit 2023. Aktualisht, atmosfera politike duket e qete dhe nuk janë evidentuar tensione sinjifikative, qofte dhe në distance, nga ana e partive politike apo koalicioneve garuese. Përveç masivitetit në takimet e hapjes së fushatës zgjedhore, anëtaret dhe militantet e subjekteve politike kane qenë të moderuar në demonstrimin e simpative elektorale dhe vepritmarise organizative në të cilat janë përfshirë. Megjithatë, nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të kaluara, ngjarjet dhe përplasjet verbale apo edhe në konfrontime fizike deri në përdorim të armeve të zjarrit, kanë ndodhur më së shumti në vigjilje të ditës se votimit ose gjatë fazës se numërimit të votave.
Në fillim të muajit Mars 2023, Prokuroria e Përgjithshme mori masat për të riorganizuar grupet task-force për zgjedhjet vendore, duke planifikuar shtrirjen e juridiksionit të tyre dhe llojin e veprave penale, për të cilat do të vendoset ndërhyrja për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt elektoral, duke zbuluar dhe hetuar krimet zgjedhore. Ndërkohë, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngarkoi me detyra konkrete dy prokurore dhe disa hetues të SPAK, të cilët do të angazhohen për vepra penale të mundshme gjatë zgjedhjeve lokale, vetëm për ngjarje ku zyrtaret publike do të kryejnë shkelje të Kodit Penal për veprat të korrupsionit aktiv ose pasiv.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit ka filluar trajnimin e nivele drejtuese dhe të mesme në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare për të përmirësuar performancën e saj në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike gjatë fushatës elektorale dhe ditës se votimit. Ky trajnim pritet të shoqërohet me pas me instruktazhe të posaçme ndaj forcave operacionale të terrenit dhe nivelit zbatues policor. Aktualisht, Policia e Shtetit ka filluar zbatimin e planit të masave për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë fushatës elektorale dhe po punon ndërkohë për përfundimin e programit koordinues të sigurisë, se bashku me institucione të tjera ligjzbatuese, lidhur me shpërndarjen e forcave policore, në mbrojtje të procesit gjatë ditës së votimit.
Gjatë vitit 2023, rendi dhe siguria publike po përballen me shifra të larta të veprave penale dhe ngjarjeve të renda kriminale. Qe nga fillimi i këtij viti, në vendin tonë kane ndodhur 18 vrasje dhe mbi 60 plagosje kryesisht me arme të ftohta, trend i cili tejkalon në mënyrë të dukshme shifrat e vitit të kaluar. Për disa prej ngjarjeve të renda kriminale, me gjithë hetimet e deritanishme të Prokurorisë dhe veprimeve në terren nga ana e policisë, zbulueshmeria ka qenë shume e ulet. Ndërkohë qe në disa prej këtyre ngjarjeve kane humbur jetën ose janë plagosur persona të pafajshëm, të cilët nuk kane rezultuar të kenë qenë në shënjestrën e ekzekutoreve.
Shqipëria ka disa vite qe ka evidentuar fuqizimin me problematika të shtuara të grupeve kriminale në raportet e publikuara mbi gjendjen e kriminalitetit. Në raportet ndërkombëtare të OSBE/ODHIR për dy fushatat zgjedhore të mëparshme, janë deklaruar në mënyrë eksplicite përfshirja e krimit në fushatat zgjedhore, duke intimiduar votues, bllokuar kartat e identitetit dhe blere vota. Nga përgjimet e bëra publike në zgjedhjet e vitit 2017, një aktivitet i tille u provua në mënyrë të pakundërshtueshme dhe me gjithë sagën e gjatë të hetimit dhe gjykimit, tashme kemi persona të dënuar për vepra penale kundër zgjedhjeve të lira.
Gjatë muajit Prill 2023, tentativa e vrasjes së Kryetarit të PD se Vaut të Dejës me anë të shpërthimit me eksploziv të makinës së tij dhe vrasja në Shëngjin e një biznesmeni dhe përfaqësuesi politik lokal, nëpërmjet një ekzekutimi të mireorganizuar të stilit mafioz, krijoi një panik dhe pasiguri të madhe jo vetëm tek popullata e këtyre qyteteve, por tek i gjithë opinionin publik. Këtyre ngjarjeve ju parapriu edhe sulmi ndaj medias kombëtare Top-Channel, ku ngeli i vrare një pjesëtar i personelit të sigurisë. Pavarësisht faktit se ende nuk ka autor të identifikuar për këto ngjarje, ato ndodhen në vigjilje të fushatës zgjedhore dhe domosdoshmërisht qe njëra prej pistave të hetimit vijon të jetë edhe motivi politik.
Ngjarjet e mësipërme dhe zbulueshmeria e ulet nga organet ligjzbatuese, ka të dhëna që po pasohen nga një pasiguri publike dhe frike të shtuar tek qytetaret. Këta të fundit po manifestojnë në media dhe rrjetet sociale një indinjate për situatën e krijuara të rendit dhe sigurisë publike. Ndërkohë që një gjendje e tille sipas tyre, nuk premton një proces normal fushate elektorale dhe një dite të qete të votimit. Këto të dhëna, sigurisht qe po mbahen në konsiderate edhe nga grupet e vëzhguesve kombëtare dhe ndërkombëtar qe po monitorojnë zgjedhjet vendore të 14 Majit në vendin tone. Kjo për shkak se njëra prej garancive kryesore për mbarëvajtjen e një procesi të qete dhe të ndershëm zgjedhor mbetet perfomanca e larte e rendit dhe sigurisë publike.
Shqipëria e ka detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar të realizoje zgjedhje të lira dhe demokratike, ndaj forcimi i sigurisë publike përben një hallke të rëndësishme për tju krijuar votuesve garanci për mjedis të qete dhe paqësor, nëpërmjet të cilit ata të shprehin vullnetin e tyre të lire në kutitë e votimit. Çdo ngjarje e rende kriminale dhe çdo pasiguri publike që mund të krijohet gjatë kësaj kohe, ndikon drejtpërsëdrejti në intimidimin dhe friken e votuesve, si dhe në humbjen e besimit të tyre për një proces votimi të lire dhe demokratik. Në këto kushte, garantimi i sigurisë publike është njëkohësisht mbrojtje e proceseve të konsolidimit të demokracisë nëpërmjet votës se lire dhe si i tille kjo garanci duhet të jete një sfide dhe qellim kryesor në masat aktuale të qeverise shqiptare dhe organeve ligjzbatuese.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.