E dini që monitorimi i ligjërimit politik dhe i raportimeve në media lidhur me reformën në drejtësi tregon se një pjesë e madhe e politikanëve dhe e gazetarëve nuk kanë informacionin e duhur për ta trajtuar reformën dhe as nuk janë investuar në njohjen e ndryshimeve kushtetuese dhe të legjislacionit mbi reformën në drejtësi? E dini se pjesa dominuese e deklarimeve të politikës mbi reformën në drejtësi nuk lidhet me reformën, por me përdorimin e saj si mjet lufte politike midis palëve të kundërta politike? E dini se reforma në drejtësi është zhvillimi më i rëndësishëm por njëherësh ka mungesë të theksuar të debatit profesional midis ekspertëve mbi reformën dhe problematika të veçantë të jetësimit të saj?
Këto e të tjera janë pjesë e gjetjeve dhe e raportimeve në takimin e sotëm prezantues të dy raporteve mbi reformën në drejtësi:
– një studim për matjen e vazhdueshme dhe raportimin periodik të cilësisë së debatit dhe të raportimit mbi dhe për reformën në drejtësi tek mediat kryesore vizive, të shkruara dhe atyre online; monitorimi i ligjërimit publik të aktorëve kryesorë politikë si dhe të aktorëve të vetë sistemit të drejtësisë në raport me reformën në drejtësi dhe ecurinë e saj, si dhe;
– një studim për monitorimin e cilësisë së vendimmarrjes së organeve të vetting-ut nga janari deri në tetor të vitit 2018, standardet dhe qartësia e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendimmarrja mbi kriterin e pasurisë dhe standardi i analizës së këtij kriteri.
Instituti i Studimeve Politike falënderon Komitetin Shqiptar të Helsinkit për bashkëpunimin pozitiv, OSFA për mbështetjen si dhe ekspertët e shumtë, përfshirë koleget Evis Alimehmeti, Lutfi Dervishi, Artan Hoxha, Sokol Sadushi, Kujtim Çashku, Arjan Dyrmishi, etj, për kontributin e tyre në debatin e kësaj tryeze.
Dy organizatat ISP dhe KSH do të vijojnë edhe më tej monitorimin e procesit të vettingut dhe të ligjërimit politik e publik mbi reformën në drejtësi. Aktiviteti i tyre mbështetet nga Programi i Reformës në Drejtësi i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Pikëpamjet e shprehura në raportet e KSHH dhe ISP përfaqësojnë opinione e gjetje të vetë organizatave.
Për raportin e plotë të Institutit të Studimeve Politike, klikoni
http://isp.com.al/wp-content/uploads/2018/11/ISP-MONITORIMI-I-LIGJERIMIT-POLITIK-2018.pdf