Politika dhe të rinjtë, sfidat shqiptare dhe modelet e suksesshme perëndimore. A ka vend për ndryshim elitash, për hyrje të të rinjve në politikë, për debatin midis brezave apo për lidhje midis profesionit në jetë dhe aspiratës politike? Cilat janë sfidat e integrimit, cila është rruga më e mirë për një karrierë të qëndrueshme, cilat janë gjërat që duhen ndryshuar në Shqipëri, cilat janë “sëmundjet” e projektit evropian dhe pritshmëritë e të ardhmes?
Këto e tematika të tjerë dominuan bashkëbisedimin e ekspertit holandez Michiel van Hulten dhe të rinjve të angazhuar në rrjetin e komunikimit të Institutit të Studimeve Politike.
Pjesëmarrësit studentë ose ish studentë bënë pyetje që lidhen me standardet e përfaqësimit, për modelet e karrierës politike për të rinjtë, për problematika që lidhen me valën e re të emigrimit dhe me zërat kritikë brenda BE ndaj Shqipërisë, për raportet midis medies e politikës dhe për vlerësimet që lidhen me cilësinë e përfaqësimit parlamentar në Shqipëri dhe sfidat kryesore të Shqipërisë.
Aktiviteti u mbështet nga ambasada holandeze në Tiranë dhe u moderua nga ekspertja e komunikimit në ISP, Edlira Gjoni.