Brezat e sotëm të studentëve kanë lindur rreth një dekadë pas rënies së sistemit komunist. Ata jetojnë në një ambient të ri shoqëror, në një sistem të ri politik, kushtetues e përfaqësues, në një raport të ri midis shtetit, shoqërisë e individit, në një marrëdhënie të re të Shqipërisë me Perëndimin dhe pjesën tjetër të botës, si dhe në një hapësirë pafund të marrjes dhe përpunimit të informacionit. Perceptimi i tyre për të kaluarën, memorien historike, procesin e ndarjes prej saj, sidomos në elementët e të drejtave të njeriut, është e mbetet me interes kërkimor.
Fokusimi tek të rinjtë lidhet edhe me potencialin e tyre të madh për të pasur një këndvështrim më neutral dhe profesional mbi të kaluarën, të cilës nuk i përkasin dhe nuk e kanë jetuar. Formimi i tyre arsimor dhe individual i lejon ata të marrin informacione të klasifikuara dhe profesionale mbi ngjarje, personazhe dhe zhvillime të së kaluarës dhe të tranzicionit, si dhe për të arritur të gjejnë elementë krahasimor në përvojën tonë ose në atë ndërkombëtare. Bindja se pa një dialog të tillë, të bazuar tek faktet dhe respekti për mendimin e Tjetrit, tek ndarja me drejtësi me të kaluarën dhe tek aftësia për të parë jashtë interesave të ngushta politike të ditës ose pengjeve profesionale e familjare të së kaluarës, – do të jetë e vështirë të ketë një proces të drejtë reflektimi shoqëror, aq të nevojshëm për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Për këto qëllime, Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e programit TRANSITION të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë planifikoi një konkurs dhe botim me punime nga studentë të universiteteve publike e private.
Të rinjtë nuk janë adresuar në tema e çështje konkrete, duke ia lënë atyre preferencën e zgjedhjes. Qëllimi ynë është që të angazhohen të rinjtë e sotëm të arsimuar për të debatuar mbi të kaluarën dhe memorien tonë, të shoqërisë e shtetërore, si mënyrë e matjes së perceptimit të tyre mbi të kaluarën dhe tranzicionin. Fokusimi në të drejtat e njeriut lidhet me kriterin e qartë ndarës midis dy sistemeve politike dhe faktin se brezi i ri gëzon sot të drejta, të cilat u janë privuar prindërve dhe gjyshërve të tyre në më shumë se dy breza. Mendimet e tyre janë individuale dhe ISP nuk është përfshirë në orientimin e tyre dhe as donatori mbështetës i projektit, Ambasada e Republikës së Çekisë, nuk ka ndikuar në asnjë element të tij. Për këtë arsye mendimet janë përgjegjësi e autorëve dhe botimi është përgjegjësi e ISP-së.
Punimet janë origjinale, stafi i ISP ka bërë vetëm redaktimin dhe vendosjen e një titulli për secilin punim, në mënyrë që të evidentojë më mirë autorët dhe mesazhin kryesor. Në punimet e studentëve del në pah vlerësimi për memorien dhe nevojën e reflektimit shoqëror, për dialog dhe përballje me të kaluarën, si dhe për njohuri më të thelluara për të me bindjen se përmes njohjes më të mirë lehtësohen forca e vizioni për progresin shoqëror e shtetëror. Në tërësi, në punimet e tyre mund të dallohen katër tipare të përbashkëta. Konkretisht;
a) Të gjithë janë unanim në vlerësimin se periudha 1945-1990 përbën një dramë të dhimbshme me pasoja ende aktive për shtetin e shoqërinë shqiptare, sidomos në aspektin e dhunës, mohimit të të drejtave të njeriut, izolimit, propagandës dhe diferencimit shoqëror e politik.
b) Studentët nuk kanë dilema në nevojën e madhe të shoqërisë për njohje më të thelluar të së kaluarës dhe të përballjes me të, për memorie dhe dialog midis brezave, duke ofruar alternativa e mekanizma konkretë sesi mund të realizohet ky proces. Ata nuk flasin për hakmarrje apo për një konflikt të ri brezash, por fokusohen tek lustracioni, tek drejtësia, tek shkolla, tek media, tek përsosja e modelit të sotëm të shoqërisë si përgjigje ndaj dështimeve të djeshme.
c) Të gjithë janë po ashtu unanim në vlerësimin se periudha e tranzicionit post ’90, me gjithë arritjet dhe ndryshimet politike, kushtetuese dhe sociale, ende nuk ka përmbushur pritshmëritë për garantimin e plotë të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Tonet kritike ndaj tranzicionit janë shprehje e zhgënjimit të brezit të ri, një e dhënë e rëndësishme e këtij botimi, e cila merr vlerë për të kuptuar më mirë se sfida për përballjen me të kaluarën bëhet akoma më e vështirë në një mjedis skeptik ndaj ndikimit të madh të trashëgimisë së saj në elitën politike dhe modelet e tranzicionit.
d) Së fundi, midis studentëve ka nivele të ndryshme profesionale të analizës, ka vlerësime të fituara më shumë nga njohuritë e përgjithshme sesa studimet e thelluara në auditore, por nga ana tjetër, ka një vullnet të qartë për të folur me “zë të lartë”, për të kërkuar të vërtetat, për të shprehur revoltën ndaj të djeshmes e të sotmes që ka dhunuar ose që cenon të drejtat e njeriut, si dhe ka një vendosmëri e optimizëm për të kontribuar në ndryshimin e gjendjes. Këta nuk janë 25 të rinj që i largohen përgjegjësisë duke bërë konstatime, por janë 25 të rinj që i njohin përgjegjësitë, përballen me to dhe duan të ndikojnë të jenë pjesë e zgjidhjes, duke besuar se mund ta ndryshojnë të ardhmen.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) falënderon Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën e Republikës Çeke për mbështetjen e projektit “Three decades later: memories and dialogue from a student’s perspective”, falënderon të gjithë studentët pjesëmarrës, rrjetin studentor ELSA Albania, si dhe stafin mbështetës ekspertë të ISP që mundësuan komunikimin me studentët dhe realizimin e botimit dhe jurinë e vlerësimit.
Botimi i plotë mund të lexohet / shkarkohet këtu: