Shqipëria nuk ka patur një kulturë të zhvillimit dhe përdorimit të sondazheve, por me kalimin e kohës ato kanë zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën tonë social-politike. Të nisura kryesisht nga qendra të huaja dhe me përvojë, ata janë shfrytëzuar nga institucione ndërkombëtare, por edhe nga aktorë dhe faktorë vendas. Nevoja për të bërë analiza dhe studime mbi perceptimin e opinionit publik dhe “fotografimin” e realiteteve të ndryshme, ka nxitur një sërë aktorësh që të përfshihen në realizimin e sondazheve.
Në tërësi, ato kanë ndihmuar institucionet e pavarura, median dhe politikbërjen në Shqipëri, duke ofruar mundësi analize dhe studimi për çështje të caktuara me interes të gjerë publik. Por, pavarësisht kësaj, ka edhe shumë raste të tjera, kur sondazhet janë keqpërdorur dhe vijojnë të keqpërdoren si ushqim bazë për propagandën politike. Në shumë raste, ato kanë shërbyer për mjegullimin e të vërtetave, që vijnë nga terreni dhe leximi selektiv që u bëhet disa rezultateve, më shumë kanë dëmtuar, sesa kanë ndihmuar të vërtetën apo kauzën pë të cilën janë shprehur qytetarët. Sondazhet po bëhen një institucion i rëndësishëm studimor dhe për këtë qëllim, mendoj se duhet hapur një debat profesional për ardhmërinë e kësaj forme të kërkimit dhe studimit. Duhen diskutuar kufijtë midis përdorimit dhe keqpërdorimit, mes efekteve dhe defekteve të tyre.
Me një shikim të shpejtë, mund të identifikojmë disa lloje sondazhesh, që janë përdorur deri tani;
- Sondazhe të përkohshme/sporadike. Këto lloj sondazhesh zhvillohen herë pas here nga portale dhe media online, të cilat kërkojnë opinionin e qytetarëve për lajme dhe ngjarje të caktuara apo për persona publik. (Pa përmendur raste flagrante kur individë të caktuar nga llogaria e tyre në FCB kërkojnë opinioned he përgjigje për tema apo persona). Këto nuk kanë një organizim të mirëfilltë profesional dhe kanë një metodologji të thjeshtë dhe pa shumë pretendime. Vetë rezultatet e këtyre lloj sondazheve u shërbejnë mediave për të bërë lajme shtesë..Kanë pak ndikim në fushën e studimeve.
- Sondazhe të specializuara periodike. Ato zhvillohen nga institute dhe qendra kërkimore profesionale dhe kanë një periodicitet të përcaktuar; kryesisht një herë në vit, por edhe dy apo tre herë në vit. Rrokin fusha specifike të interesit publik dhe nuk kanë ndryshime të mëdha të pyetsorit. Nëpërmjet tyre krijohen të dhëna të qëndrueshme dhe një bazë e mirë kërkimore nga të interesuarit. Kanë një metodologji të qëndrueshme dhe marzh të vogël gabimi.
- Sondazhe sporadike për efekt propagande. Porositen ose kryhen nga parti të caktuara politike, me qëllim ndryshimin e opinionin në favorin e tyre dhe në dëm të kundërshtarit. Kanë shumë paqartësi dhe nuk jepen element të metodologjisë, kampioneve apo tërësia e të dhënave. Kanë lexim sipërfaqësor dhe tendencioz. Mirëpriten nga militantët dhe kori propogandues, por nuk kanë efekt të madh në publik dhe as nuk mund të përdoren për qëllime studimi. Ndodh që janë serioze dhe kanë vetëm përdorim të brendshëm, larg syve të publikut.
- Sondazhe periodike për interes studimi dhe hartim politikash strategjike. Këto lloj sondazhesh janë më të rralla dhe dallojnë nga gjithëpërfshirja e temave dhe problematikave. Zakonisht kryhen me fokus grupe, por edhe me metoda të tjera kërkimi bashkëkohorë. Ndërmerren nga qendra studimore të pavarura.
Lidhur me metodologjitë kryesore, nëpërmjet të cilave kryhen sondazhet, mund të përmendim marrjen e kampionit (përgjigjeve të qytetarëve) nëpërmjet telefonit, nëpërmjet programeve të caktuara në internet, nëpërmjet fokus grupeve, nëpërmjet intervistave të realizuara direkt në terren pa përzgjedhje paraprake etj.
Në të gjitha rastet, ka shumë rëndësi se kush e organizon sondazhin dhe sa paanshmëri ka ky grup apo institucion. Për të vijuar me pyetjet se; ku e merr kampionin, si e merr kampionin, si e lexon produktin dhe si i përcjell të dhënat, çfarë dhe sa pyetje bën, sa ruhet anonimiteti i të intervistuarit, sa është kampioni në çdo sondazh dhe a respektohen kriteret e moshës, gjinisë, arsimit etj?.
Tendenca për të përfshirë kompani të huaja në sondazhe (kryesisht për fushatat elektorale) po e dëmton thelbin e misionit që ka sondazhi dhe përdorimi i të dhënave për problemet e brendshme të vendit. Marketingu politik është ai që ngre vlerën e këtyre sondazheve “ndërkombëtare”, nëpërmjet të cilave kërkohet të ushtrohet një lloj ndikimi tek votuesit. Këto lloj sondazhesh janë për përdorim të përkohshëm dhe vlera e tyre mbaron pothuajse pas mbarimit të zgjedhjeve. Ata nuk janë qendra të mirëfillta studimore, që konservojnë të dhëna për përdorim të gjerë.
Nëse do të bëhej një sondazh i sondazheve, të cilat kanë qarkulluar dhe qarkullojnë vitet e fundit, shumica prej tyre do të rezultonin pa ndonjë vlerë studimore dhe utilitare. Përdorimi për propagandë politike dhe në luftën për imazh elektoral, ka gërryer thellë besueshmërinë e sondazheve si institucion dhe herë pas here ndërmarrjet për të bërë sondazhe reale janë në kufijtë e dekurajimit.
Shqipëria e ka nevojën e sondazheve dhe duhet ta institucionalizojë këtë formë të kërkimit shkencor të opinionit publik. Ato janë dhe mund të përdoren shpesh herë edhe si “zë referendar” për çështje të caktuara me interes të gjerë. Ne kemi nevojë, që sondazhet të bëhen në vazhdimësi dhe me kritere të rrepta shkencore, me qëllim që ato të jenë të besueshme dhe të përdorshme. Këto sondazhe do t’u shërbenin të gjithë atyre që merren me hartim politikash zhvillimi, duke nisur nga vetë Organizatat dhe Institutet joqeveritare, tek qeveria dhe institucionet shtetërore dhe për të vazhduar tek institucionet ndërkombëtare, korporatat e huaja, media dhe opinionbërësit. Sondazhet janë dhe duhet të jenë lënda e parë për studiuesit dhe opinionistët.
Nga foltoret e partive politike, shpesh herë dëgjojmë togfjalëshin; “sondazhet më serioze na nxjerrin fitues absolut”. Pra, secila palë, kërkon t’i shesë publikut jo vetëm “rezultatet” e sondazheve të tyre, por edhe t’u japë me vete “vulën” e besueshmërisë dhe seriozitetit të tyre. Një sondazh “serioz” e zhvilloi edhe vetë qeveria, kur me 8 prill 2022 u nisi qytetarëve 12 pyetje. Natyrisht, të gjithë e kuptuan se rezultatet e sondazhit drejtoheshin aty ku kishte nevojë qeveria për një “po” të qytetarëve, e cila u mor në forma të paqarta dhe aspak shkencore dhe të pavarura. Ky ishte një rast tipik i shtrirjes së kontrollit qeveritar deri tek marrja e lirë dhe e pavarur e mendimit të qytetarëve. Ndonëse u tha se, “nuk ka identifikim të personave që përgjigjen”, të gjithë e dinin se ky ishte një proces i kontrolluar dhe me përgjigje të marra kryesisht nga administrata publike. Si rregull, qeveritë konsultohen dhe kontraktojnë kompani të pavarura sondimi, të cilat sjellin opinionin e vërtetë të qytetarëve.
Sondazhet duhet të pasqyrojnë me vërtetësi dhe paanshmëri mendimin e lirë të shprehur pa rezerva nga ana e qytetarit për çdo problem, çështje, institucion apo figurë politike e publike. Në të gjitha rastet, kur nëpërmjet marrjes së këtyre kampioneve (përgjigjeve) merren edhe të dhënat personale si numra telefoni, adresa e në disa raste edhe emra, atëherë ky nuk është sondazh, por inspektim.
Pas një tranzicioni të gjatë, edhe instituconi i sondazhimit ka nevojë për t’u vënë në shinat e profesionalizmit dhe identifikimit me modelet më bashkëkohore europiane. Përgjegjësia duhet të nisë, pikë së pari nga institucionet e pavarura kërkimore-shkencore, për të vazhduar me median (e cila shpesh porosit sondazhe) dhe për të përfunduar me institucionet shtetërore dhe partitë politike, që i duan, por nuk i vlerësojnë siç duhet sondazhet. Sondazhet nuk janë reklama marketingu, por zëri qytetar më i besueshëm që kërkon të dëgjohet. Për ta përmbyllur; jo të gjithë ata që shkruajnë opinione personale në Facebook apo Twitter janë gazetarë, ashtu siç jo të gjithë ata që tregojnë grafika e përqindje, dinë të bëjnë sondazhe!
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.
*Nga Arben Çejku – Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ACGG