5 vjet pas fillimit të reformës në drejtësi ende nuk është plotësuar numri i nevojshëm i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Për një periudhë të gjatë kohe Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, por progresi i vitit të fundit në emërimin e disa prej anëtarëve e ka tejkaluar krizën. Strukturat përgjegjëse, KLGJ, KED, etj, kanë në shqyrtim kandidatë të tjerë për të dy nivelet e larta të drejtësisë.
Në fazën aktuale Shqipëria përgatitet të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kriteri i shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale është baza kryesore e këtij procesi. Shqipëria meriton të ketë Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese me numër të plotë anëtarësh dhe funksionale në çdo element të tyre.
Produkti kryesor i procesit të vetingut, largimi nga sistemi i individëve që nuk përmbushin kriterin e profesionalizmit, integritetit dhe të pasurisë, nuk mund të jetë shkak për vonesa ose pamundësi të përkohshme në dhënien e drejtësisë dhe në funksionimin e standardeve të shtetit ligjor.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor.
Koha është tani!
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke zbatuar projektin “Reforma: për një ritëm cilësor. Monitorim, sensibilizim dhe asistencë” mbështetur nga programi i shtetit të së drejtës të fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.